1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njeriu i ri nga Lindja

Christoph Hasselbach30 Nëntor 2014

Presidenti i ri i Këshillit të BE-së Donald Tusk do të sjellë një erë të re në Bruksel. Por ai mund të mësojë diçka nga paraardhësi i tij Herman Van Rompuy, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1Dx6s
Donald Tusk
Fotografi: Reuters

Paraardhësi i Tuskut Herman Van Rompuy ishte një President Këshilli shumë i përmbajtur. Menjëherë pas marrjes së postit ai tha se mendimi i tij personal nuk ka rëndësi. Ai e shihte detyrën e tij para së gjithash tek konsensusi mes shteteve anëtare. Vetëmohimi i Rompuy-it shkonte thuajse deri në mazokizëm. E paharruar është skena groteske në Parlamentin Evropian kur Nigel Farage, kryetari i partisë britanike UKIP, me qendrim armiqësor ndaj Evropës, e shpotiti Van Rompuy-in se "kishte karizmën e një lecke të lagur dhe pamjen e një nëpunësi të rëndomtë banke". Van Rompuy u kthye në karrige dhe rrotulloi sytë por e duroi goditjen. Nuk ishte skenë aspak e bukur.

Belgjika - Vatra e konsensusit

Van Rompuy ishte i pari Presidenti i Këshillit të Evropës. Presidenti drejton për shembull samitin e BE-së dhe e përfaqëson Unionin jashtë. Deri në 2009 kryetarët e shteteve dhe qeverive e kishin mbajtur me radhë kryesinë e Këshillit. Krahasuar me protagonistë si Tony Blair apo Jacques Chirac, Herman Van Rompuy kishte pamjen e një njeriu të parëndësishëm.

Një e "metë" e tij ishte edhe fakti që vinte nga Belgjika, një "jo-vend", siç e quajti në të njëjtin fjalim të hidhur Nigel Farage duke iu referuar konfliktit mes flamandëve dhe valonëve. Por origjina e tij belge dhe pamja e tij e parëndësishme ishin pikërisht bazat e suksesit të tij relativ. Në Belgjikë, këtë kompromis të bërë shtet, e ka mësuar ai kërkimin e konsensusit dhe ka konstatuar se vetëprofilizimi në këtë mes më shumë pengon se ndihmon. Para së gjithash në krizën financiare përpjekjet e tij këmbëngulëse ishin receta për vendime të përbashkëta.

Askush nuk duhet të lërë në hije kryetarët e shteteve

Veç kësaj kryetarët e shteteve dhe qeverive donin patjetër një president Këshilli relativisht të parëndësishëm. Fillimisht për postin për shembull u diskutua Tony Blair. Ai me të vërtetë do t'i kishte dhënë BE-së një profil më të fortë ndërkombëtar, nëse do t'ia kishin dhënë mundësinë. Por kjo do të kishte ndodhur në kurriz të kryetarëve të tjerë të shteteve dhe ata nuk e donin këtë. Për këtë arsye President i Këshillit u zgjodh dikush si Herman Van Rompuy. Dhe kryetarët e shteteteve duket se kanë qenë në përgjithësi të kënaqur me të si makinë konsensusi, ndërmjetës dhe drejtues në prapaskenë. Ndryshe nuk do ta kishin rizgjedhur pas mandatit të parë prej dy vjet e gjysmë. Nëse BE ka ruajtur unitetin në çështje të rëndësishme, kjo ka qenë jo së fundi edhe meritë e Van Rompuy-it, megjithëse nuk mori lëvdata për këtë. Dhe kur Unioni nuk fliste me një zë, atëherë fajtor ishte ai.

Deutsche Welle Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/P. Henriksen

Më pak modesti

Donald Tusk duket të jetë pasuesi i duhur. Ashtu si është paraqitur deri tani, ka disa prej anëve të forta të Van Rompuy-it por i kompenson dobësitë e tij. Tusk nuk ka gjasa të kënaqet me rolin e përulur të cilin kishte pranuar belgu. Kjo do të jetë mirë për BE-në. BE me 28 shtete dhe 500 milionë banorë për fat të keq nuk luan në arenën kombëtare me peshën që i takon. Kjo ka të bëjë edhe me përfaqësuesit e tij të lartë. Herman Van Rompuy nuk ka faj për këtë, por në disa takime ndërkombëtare ai thjesht lihej në harresë pasi refuzonte të ishte të plan të parë megjithëse formalisht ishte përfaqësuesi më i lartë i BE-së. Ky qendrim i një modestie të tepruar pritet të ndryshojë me Donald Tuskun. Ndërsa Tuskut do t'i vijë në ndihmë fakti që si kryeministër i Polonisë prej shumë vitesh ka kontakte të ngushta dhe të larmishme politike.

Përvojat me Rusinë

Interesante do të jetë se çfarë ndikimi do të ketë fakti që Donald Tusk si evropianolindor sjell një këndvështrim krejt tjetër në BE, pikërisht tani në konfrontimin me Rusinë. Polonia është më afër Rusisë, ka vuajtur nën Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik; në krizën e Ukrainës edhe Donald Tusk si kryeministër i Polonisë ka pasur tone më të ashpra dhe paralajmëruese kundrejt Rusisë se sa kryetarët e shteteve nga Perëndimi i Evropës. Por si President i Këshillit të BE-së ai nuk duhet të lejojë të drejtohet nga origjina e tij, por duhet të bashkojë të gjitha mendimet.

Këndvështrimi i ri sidoqoftë i bën mirë BE-së, e cila politikisht vazhdon të ketë një mbipeshë evropianoperëndimore. Edhe në politikën ekonomike Tusk mund të sjellë një erë të re: ai e ka drejtuar vendin e tij me sukses në krizën ekonomike, me reforma të zgjuara por pa paketa ndihmash. Shembulli mund të përdorej nga vende si Franca dhe Italia të cilat kërkojnë gjithnjë para evropiane në vend që të ndryshojnë vetë. Por faktin që modele të tij në politikën ekonomike liberale janë Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, duhet ta mbajë më mirë për vete si President i Këshillit të BE-së; ndryshe do të shkaktonte polarizim të panevojshëm.

Jo më poezi Haiku në samite

Donald Tusk nuk është ideolog, as në politikën ekonomike dhe as në qendrimin me Rusinë, por më shumë një pragmatik. Ideologët nuk janë njerëzit e duhur në postin e Presidentit të Këshillit të BE-së. Një aspekt që duhet të përmirësojë është zotërimi i anglishtes. Ai flet mirë gjermanisht dhe rusisht. Por megjithëse kjo mund t'u pëlqejë rusëve dhe mund të jetë ndoshta ndihmë për zgjidhjen e krizës së Ukrainës, pa anglisht në skenën evropiane dhe aq më tepër atë ndërkombëtare, nuk ecën asgjë. Pjesa frengjishtfolëse e BE-së duhet të heqë dorë nga kjo gjuhë nga goja e polakut. Ata ishin mësuar mirë me Herman Van Rompuy-in i cili fliste njësoj rrjedhshëm frengjisht, anglisht, holandisht dhe madje edhe pak gjermanisht. Edhe diçka tjetër do të mungojë në netët e gjata të samiteve: poezitë Haiku të Van Rompuy-it. Por kujt i mungojnë mund t'i blejë ato si libër.