1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Më shumë, por jo sa duhet

Max Hofmann20 Qershor 2014

Gjermania do të marrë më shumë përgjegjësi, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në SHBA. Por për një rol serioz në aspektet ushtarake nuk bëhet fjalë, mendon Max Hofmann.

https://p.dw.com/p/1CMzu
Ursula von der Leyen për vizitë në SHBA
Ursula von der Leyen për vizitë në SHBAFotografi: Paul J. Richards/AFP/Getty Images

Sigurisht edhe ministri amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, e di se homologja e tij gjermane Ursula von der Leyen duhet të marrë në konsideratë ndjeshmërinë e popullsisë së vendit të saj. Gjermanët janë shumë të kujdesshëm për gjithçka, që ka të bëjë me ushtrinë. Vendimmarrësit në Uashington e shohin pozitivisht, që von der Leyen, e mbështetur edhe nga presidenti gjerman, parashikon një angazhim më të madh ndërkombëtar të gjermanëve, po të jetë nevoja edhe me mjete ushtarake.

Po çfarë do të thotë kjo? Vazhdimisht në vizitat e saj në SHBA përmenden fjalët sanitarë, logjistikë, trajnime, kur bie fjala për kontributin gjerman. Sigurisht të gjitha aspekte të rëndësishme të një operacioni ushtarak, por jo më të rëndësishmet. Edhe nëse Gjermania bën tani me të vërtetë ndryshime dhe ndoshta madje në një të ardhme të afërt drejton një mision paqësor të OKB-së, siç u parashikua nga ministrja në Nju Jork, kjo nga këndvështrimi amerikan është ende shumë pak.

Ursula von der Leyen dhe Chuck Hagel, ministri amerikan i Mbrojtjes
Ursula von der Leyen dhe Chuck Hagel, ministri amerikan i MbrojtjesFotografi: picture-alliance/dpa

Europianët duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë

E vërteta është se gjermanët, kur bëhet fjalë për ushtri, mbështeten ende shumë te amerikanët. Këtu nuk është fjala aspak për misionet e huaja. Bëhet fjalë për mbrojtjen kombëtare dhe të aleancës, pra detyra themelore ushtarake. Sipas disa vlerësimeve, SHBA shpenzojnë për sigurinë e Evropës më shumë se evropianët vetë. Shembulli më i mirë, është një i njohur qëkur, -obligimi i anëtarëve të NATO-s i vitit 1997 për të përdorur dy për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto për shpenzime ushtarake. 17 vjet më vonë SHBA japin rreth 4.2 për qind, gjermanët 1.3 për qind.

Mendimi gjerman se nuk bëhet fjalë vetëm për sasi, por edhe për cilësi, është plotësisht i kuptueshëm. Dhe se nuk është aq e dëshirueshme për të shpenzuar sa më shumë para për të shkatërruar nga rrënja çdo konflikt në botë. Edhe shumica e amerikanëve e ka përvetësuar këtë nën presidentin e saj aktual. Një mendësi, që duhej të mirëpritej nga popullsia gjermane. Vetëm se këtu qëndron një problem për politikën e mbrojtjes gjermane: amerikanët e lodhur nga lufta, kanë gjithnjë e më pak dëshirë për të mbajtur mbi supe shpenzime ushtarake shtesë , vetëm për shkak se evropianët nuk i bëjnë detyrat e shtëpisë.

Von der Leyen thekson vazhdimisht në Uashington rëndësinë e të vepruarit në mënyrë multilaterale dhe për mbushjen me jetë të aleancave si NATO. Në kushtet e një përshkallëzimi të gjendjes në Lindjen e Mesme, të veprimeve të paparashikueshme të Rusisë, shpenzimet ushtarake të së cilës, të matura me produktin e brendshëm bruto i kalojnë edhe ata të SHBA-së, do të thotë se ministrja e Mbrojtjes duhet të bëjë më shumë se ato, që ka prentuar në Nju Jork dhe Uashington, edhe pse pjesës më të madhe të popullsisë gjermane nuk i pëlqen.