1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Matja vendimtare e forcave në Minsk

Ingo Mannteufel20 Gusht 2014

Nuk përjashtohet një luftë e hapur ruso-ukrainase. Konflikti në Ukrainën lindore po hyn në një fazë tjetër vendimtare, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1Cy8G
Ushtarë rusë në kufirin ukrainasFotografi: Reuters

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës po negociojnë për një armëpushim në Lindje të Ukrainës, deri tani pa rezultat. Ndërkohë luftimet në Donetsk dhe Luhansk po marrin një intensitet të ri. Dhe megjithatë është njoftuar takimi i presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko dhe kryetarit të shtetit rus Vladimir Putin pas një jave në Minsk. Konflikti gjendet në një prag të ri: ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, nëse lufta aktuale ruso-ukrainase do të kthehet zyrtarisht në një luftë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kievi është për zgjidhje ushtarake

Pas një situate të vështirë për marrjen e informacioneve në terren, keqinformimit të qëllimshëm të palëve në konflikt dhe marramendjes nga frazat e paqarta diplomatike, situata aktuale bëhet disi e paqartë në sytë e opinionit publik: Udhëheqja ukrainase vendosi në fund të qershorit për një zgjidhje ushtarake të konfliktit në Donetsk dhe Luhansk. Pas shumë përpjekjeve të dështuara për zgjidhje, presidentit Poroshenko edhe për shkak të arsyeve të brendshme politike, nuk i mbeti ndonjë zgjidhje tjetër. Goditja e aeroplanit malajzian të pasagjerëve MH17, sipas të gjitha gjasave nga separatistët e mbështetur nga Moska, ka shtuar edhe mirëkuptimin ndërkombëtar pro kësaj politike.

Politika ukrainase për momentin nuk është e interesuar për një armëpushim, përderisa ai vetëm do të zgjaste gjendjen aktuale dhe do t'u jepte frymëmarrje separatistëve.

Qëllimi i Kievit është me sa duket të marrë mundësisht deri në ditën e pavarësisë së Ukrainës me 24 gusht qytetet Donetsk dhe Luhansk, siç duket edhe në qoftë se kjo mund të çonte në një katastrofë të madhe humanitare. Më pas Kievi do të përpiqej që të rifitonte kontrollin mbi të gjithë kufirin ruso-ukrainas.

Moska deri tani ka kryer një destabilizim të fshehur

Në disa pjesë të kufirit të kontrolluar nga separatistët vjen akoma furnizim me ushtarë dhe armë nga Rusia. Politika ruse deri tani ka bërë gjithçka për të destabilizuar lindjen e Ukrainës. Ajo do të pengojë, që Kievi të rimarrë të gjithë kontrollin mbi rajonin e Donbasit. Me këtë Moska ka një sërë synimesh: Dobësimin e udhëheqjes së papëlqyer në Kiev, krijimin e një konstrukti separatist ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Ky konstrukt mund të shërbente edhe si tampon për Ukrainën, e cila tenton politikisht drejt perëndimit, por njëkohësisht edhe si peng për bisedimet e ardhshme për të ardhmen politike të Ukrainës.

Por që prej goditjes së MH17 politika ruse rezulton se është një lojë rë rrezikshme. SHBA, por edhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione të dhimbshme kundër Rusisë, duke reaguar më ashpër se ç'mund ta kishte pritur Kremlini. Me ngut Moska është përgjigjur me kundër-sanksione, të cilat në fund të fundit do të prekin më shumë popullsinë ruse se sa prodhuesit evropianë të lëndëve ushqimore. duke patur parasysh faktin se Bjellorusia dhe Kazakistani, të dyja në një union doganor me Rusinë, deri tani nuk dëshirojnë të marrin pjesë në këto sanksione, tregon se sa pak e menduar mirë është politika ruse.

Ingo Mannteufel
Ingo Mannteufel, drejtues i seksionit Europa në DWFotografi: DW

Lufta apo paqja në duart e Putinit

Kremlini duhet tani të vendosë. Ai mund ta përshkallëzojë më tej situatën, duke forcuar mbështetjen e separatistëve dhe të përdorë katastrofën humanitare në Ukrainën lindore si pretekst për pushtim të hapur ushtarak, nëse separatistët dëmtohen përfundimisht. Për këtë lëvizje ka mbështetje në elitën politike ruse, sidomos në qarqet ushtarake, industriale dhe nacionaliste. Ata shpresojnë që përmes shkëputjes së Rusisë nga tregu botëror të arrijnë riindustrializimin e Rusisë me ndihmën e rezervave të devizave të grumbulluara prej vitesh.

Alternativa do të ishte, që presidenti Putin të ndërmarrë një politikë deeskalimi dhe t'ua heqë faktikisht mbështetjen separatistëve. Këtë ai do ta bëjë vetëm, nëse Ukraina dhe BE do t'i lejojnë atij që të tërhiqet nga kriza, por duke ruajtur fytyrën. Sepse implikimet e brendshme të një humbjeje të dukshme do të ishin shumë të rrezikshme për Putinin, madje më të rrezikshme se një luftë e hapur ruso-ukrainase, që në Rusi propagandohet si mision paqeje.

Njoftimi për takimin e Putinit me Poroshenkon së bashku me përfaqësuesit udhëheqës të BE-së në Minsk të martën jep një fije shprese për një zgjidhje diplomatike. Fakti që Angela Merkel më parë do të shkojë të shtunën në Kiev, për herë të parë që nga fillimi i krizës në Ukrainë, për t'u takuar me presidentin Poroshenko para takimit vendimtar në Minsk, tregon se edhe kancelarja e ka të qartë se për çfarë është fjala aktualisht.