1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: martesë pa pasion

Christian F. Trippe11 Shtator 2014

Evropianët dhe amerikanët po shkëputen politikisht nga njëri- tjetri, sipas një anketimi në të dy anët e Atlantikut. Të habisin këtë herë edhe rezultatet nga Rusia. Ato të japin madje shpresë, mendon Christian F. Trippe

https://p.dw.com/p/1DB2m
Symbolbild Flaggen USA und EU
Fotografi: Getty Images

Herë pas herë, German Marshall Fund of the United States, i quajtur shkurt GMF, kërkon të mësojë atmosferën në marrëdhëniet transatlantike. GMF është një organizatë joqeveritare, që i ka vënë vetes detyrë të përkujdeset për lidhjet politike mes Uashingtonit dhe Evropës, lidhje të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Këto lidhje janë goditur mjaft vitet e kaluara.

Lufta kundër Irakut në vitin 2003, politika e jashtme e vrullshme e George W. Bushit, skandali i përgjimeve të NSA dhe më në fund orientimi i qeverisë Obama në hapësirën e Paqësorit konsiderohen si hapat kryesore të ftohjes dhe largimit nga njëri-tjetri. Sondazhet GMF i filloi në dhjetë vende të BE, në Turqi dhe në SHBA në vitin e luftës së Irakut. Qytetarë të zgjedhur në mënyrë përfaqësuese duhet t'u përgjigjeshin pyetjeve politike delikate të gjeopolitikës. Për t'i rënë shkurt: po, partnerët janë më të huaj me njëri-tjetrin se një vit më parë. Dhe jo, aleanca transatlantike nuk është në diskutim.

01.2012 DW Europa aktuell Moderator Christian Trippe
Christian TrippeFotografi: DW

Evropa kërkon ta drejtojnë

Sepse në pyetjen kryesore për rolin udhëheqës të SHBA në botë, tregohet një konstante e habitshme: 56 përqind e evropianëve e quajnë pak a shumë të preferueshme, që të jetë Uashingtoni ai që të përcaktojë tonin, 40 përqind nuk e duan këtë. Kjo thirrje për lidërship të SHBA nuk është zbutur në vitet e kaluara. Edhe nëse me këtë nuk thuhet se si vlerësohet konkretisht kjo udhëheqje.

Shumë ngjashëm konstante janë vlerat edhe për NATO-n: roli dhe rëndësia e Aleancës - dhe me të indirekt të SHBA- quhen të rëndësishme nga dy të tretat e evropianëve të pyetur. Vetëm një e treta mendon se mund të bëhet edhe pa aleancën ushtarake.

Gjermanët janë krejtësisht brenda kësaj tendence, ata grupohen pas NATO-s dhe SHBA -së me një përjashtim: për herë të parë pjesa më e madhe e qytetarëve gjermanë kërkon që Berlini të veprojë në çështjet ndërkombëtare më i pavarur nga SHBA-ja: 57 përqind e gjermanëve e kërkojnë këtë, 17 përqind më shumë se një vit më parë. Këto rezultate nuk përputhen kaq mirë me njëra-tjetrën dhe prandaj nxisin debate të gjalla në Gjermani. Në rastin më të keq, gjermanët do t'i ngjajnë së shpejti edhe më shumë ariut të përrallës, të cilit do t'i pëlqente ta lante gëzofin, por ama që kishte frikë nga uji.

Edhe rusët duan bashkëpunim

Që ta krahasojnë me ariun, Rusia është mësuar prej shumë kohësh. Pas vitit 2012, GMF e hodhi sondën demoskopike për herë të dytë edhe në perandorinë e Vladimir Putinit: Amerika është atje shumë e padashur, BE nuk vlerësohet shumë. Dhe politika e jashtme e Putinit, shumica e rusëve u duket e mirë. Kjo pritej.

Por të çudit që një shumicë rusësh thotë se vendi i tyre duhet të koordinohet për politikën ndaj Iranit dhe Sirisë me evropianët dhe amerikanët. Edhe vetë marrëdhëniet midis BE-së dhe fqinjëve të tyre lindorë, 43 përqind e rusëve preferojnë t'i mbajnë më mirë së bashku, vetëm 36 përqind janë për hapa të veçuara të vendit të tyre. Ndoshta propaganda e Kremlinit tani është bërë kaq shurdhuese sa e ka zgjuar arsyen nga gjumi i dimrit- dhe ajo po fillon sërish të punojë.