1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Lufta kundër IS ende nuk është fituar

Rainer Sollich29 Janar 2015

Rimarrja e qytetit Kobane tregon: "Shteti Islamik" nuk është i pamposhtshëm. Xhihadistët mund të vazhdojnë të përfitojnë prej problemeve të pazgjidhura politike, komenton Rainer Sollich.

https://p.dw.com/p/1ESrr
Sieg der YPG in Kobane Syrien 26.01.2015
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në internet prej javësh qarkullon ballafaqimi i dy sistemeve ligjore që ekzsitojnë realisht në Lindjen e Mesme. Të dy këto sisteme i referohen Sherihatit. Me saktësi aty përcaktohet se për çfarë "shkeljeje" kërcënohet nga dënimi me goditjet me kamzhik apo me gurë - dhe se cilat "shkelje ligjore" konsiderohen aq të rënda sa ato madje ndëshkohen me prerjen e kokës.

Dallime thuajse nuk ka fare: Të dy këto sisteme e interpretojnë në mënyrë ekstremisht brutale Sherihatin dhe në kundërshtim themelor me mendimin e universalitetit të të drejtave të njeriut. Një dallim qenësor konsiston megjithatë në çështjen, se ku janë të vlefshme këto dy sisteme ligjore thuajse identike. Njëri prej tyre vlen në territoret, që mbizotërohen prej "Shtetit Islamik" (IS). Sistemi tjetër vlen në Arabinë Saudite - një vend, që konsiderohet si "partner" perëndimor dhe që merr pjesë aktive në luftën kundër terroristëve - IS. Vetëm se shtrohet pyetja: Për çfarë qëllimesh luftojnë në të vërtetë sauditët?

Vështirësi dhe kontradikta

Arabia Saudite është padyshim shembulli më ekstrem për një sërë vështirësishë dhe kontradiktash, që lidhen me luftën perëndimore si dhe të vedneve arabe kundër IS dhe Al-Kaidas. Edhe vende të tjera që marrin pjesë direkt ose indirekt në të ndjekin në thelb interesat e tyre. Kjo vlen për Turqinë po ashtu si edhe për qeveritë në Bagdat dhe në Teheran, për regjime dhe grupime të ndryshme opozitare në Siri - e madje edhe për kurdët. Një pjesë jo e vogël e tyre e konsiderojnë luftën kundër IS si një hap të ndërmjetëm drejt synimit të kahershëm për pavarësi shtetërore.

Deutsche Welle Rainer Sollich Arabische Redaktion
Rainer SollichFotografi: DW/P. Henriksen

Të gjitha këto nuk duhet të anashkalohen. Por sidoqoftë dëbimi i IS nga Kobane është një lajm i mirë - veçanërisht për banorët e qytetit. Rimarrja e Kobanes tregon qartë, se IS nuk është i pamposhtshëm. E kjo të bën të shpresosh, që bashkëveprimi i sukseshëm i trupave të këmbësorisë të njësive lokale dhe sulmeve të forcave aleate nga ajri mund të përsëritet diku tjetër në formë të ngjashme. Por kurrësesi në këtë drejtim nuk duhet tërhiqur prej iluzioneve. IS ndonëse me rimarrjen e Kobanes ka humbur aureolën apo shkëlqimin e tij, rreziku ende nuk është shmangur. Çdo humbje e IS në zonat e luftës shton njëkohësisht rrezikun, që terrori të kapërcejë edhe më fort në metropolet perëndimore ose në metropole të tjera arabe.

Kobane mund të jetë vetëm fillimi

Jo vetëm në Kobane, por edhe në pjesë të jtera të Sirisë e të Irakut disa ekspertë shohin tani shansin, që ta godasin ushtarakisht dhe ta sprapsin IS-in. Pavarësisht nëse kjo mund të ketë rezultat ose jo, vendimtare është që më në fund të trajtohen problemet politike, të cilat e kanë forcuar IS-in: Në Irak sunitët duhet të integrohen më mirë. Në Siri duhet t'i jepet fund luftës përmes një zgjidhjeje politike, pa e shpërblyer regjimin totalitar të Baschar al-Assad-it. Kurdët po ashtu duhet të përfshihen në këtë proces si edhe Turqia, e cila do ta pengojnë një shtet kurd. E ky proces nuk mund të jetë i plotë pa Iranin. Madje as që nuk mund t'i dilet pa Iranin, rivalin më të madh të Arabisë Saudite, që nën mbretin e ri të saj do të bënte mirë të paktën gradualisht t'i ripërtërinte bazat e shtetit të vet ideologjik dhe teologjik, në mënyrë që në të ardhmen sërish të mund të luajë një rol të fuqishëm dhe stabilizues në këtë rajon.

E gjitha kjo për fat të keq do të zgjasë shumë më tepër se sa çlirimi i Kobanes. Lufta kundër IS ende nuk është fituar.