1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo grusht shteti kundër Putinit

Roman Goncharenko28 Korrik 2014

Putin e ka ndërtuar prej më shumë se dhjetë vjetësh sistemin e tij të sundimit dhe në postet kryesore ka njerëzit e tij. Prandaj Roman Goncharenko dyshon për efektet e sanksioneve.

https://p.dw.com/p/1Cjfh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pesë muaj. Kaq shumë kohë i la vetes Bashkimi Evropian për t'i kthyer fjalët e tij në vepra. Së fundi Evropa po reagon me sanksione të ashpra ekonomike ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Nuk ishte aneksimi i gadishullit të Krimesë dhe as lufta e fshehur keq në Ukrainën lindore me qindra ukrainas të vdekur, që e bënë Brukselit të ndërmarrë këtë hap. Jo. Ishte goditja e një aeroplani malajzez pasagjerësh me rreth 300 të vdekur, përgjegjësinë për të cilin e mbajnë me sa duket separatistët prorusë që i ndihmon Rusia.

Ndikimi i oligarkëve

Konfrontimi mes Perëndimit dhe Rusisë gjendet këto ditë në një pikë kthese. Deri tani politikanët rusë vetëm se janë tallur me sanksionet perëndimore, si bllokimi i llogarive bankare apo ndalimi i hyrjes në Evropë për individë të caktuar. Ato janë një pickim mushkonjash, asgjë më shumë. Tani Evropa po nxjerr armët e rënda dhe dëshiron që përmes sanksioneve kundër kompanive ruse ta detyrojë Moskën që ta lërë Ukrainë në qetësi.

Shërbimi Informativ Federal gjerman (BND) pretendon se ka informacione, se për këtë arsye ka nisur një luftë mes përfaqësuesve të linjës së ashpër politike dhe elitave ekonomike për të ndikuar ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Kështu njofton revista "Der Spiegel". Oligarkët e fuqishëm rusë kanë frikë për bizneset e tyre, vilat e tyre në Côte d'Azur dhe miliardat që kanë në llogaritë bankare perëndimore.

A do ta detyrojnë tani oligarkët Putinin që të ndryshojë qëndrim? A do ta përmbysin ndoshta udhëheqësin e Kremlinit me një grusht shteti - si në vitin 1964, kur u hoq nga pushteti lideri i Partisë Komuniste Nikita Hrushovi? Ata që besojnë gjëra të tilla janë naivë.

Moskau Russland Präsident Wladimir Putin
Fotografi: Reuters

Putin e ka ndërtuar prej më shumë se dhjetë vjetësh sistemin e tij të sundimit. Në postet kryesore ai ka njerëzit e tij. Kjo vlen edhe për ekonominë. Politikanët dhe oligarkët e dinë se ata rrezikojnë jetën e tyre, në qoftë se rebelojnë kundër kreut të shtetit dhe të besuarve të tij më të ngushtë.

Shumë kohë para aneksimit të Krimesë, shefi i Kremlinit po përgatitej për një konfrontim me Perëndimin. Zyrtarëve të shtetit ju ndaluara, ndër të tjera, që të zotërojnë prona jashtë vendit. Kështu Putini u bë më pak i prekshëm për të sanksionet perëndimore.

Përgjigja e Putinit

Po mos vallë Putini mund ta ndryshojë vetvetiu kursin ndaj Ukrainës? Gjithashtu as kjo sigurisht nuk do të ndodhë. Lideri rus i ka thyer të gjitha urat pas tij, dhe nuk mund të kthehet më prapa. Makineria propagandistike është në aktivitet të plotë: Rusia dëshiron ta ruajë me çdo kusht ndikimin e saj mbi Ukrainën. Edhe në qoftë se kjo do të thotë luftë dhe izolimi i Rusisë në botë.

Konfrontimi me Perëndimin stilizohet si një betejë apokaliptike midis të mirës dhe së keqes. Nëse Putini i bindet presionit të sanksioneve, ai do të konsiderohet si një ngordhalaq. Kjo do të ishte sipas tij vetëvrasje politike.

E prandaj ditët dhe javët e ardhshme Putin do të të godasë përsëri. Ai do ta lëndojë perëndimin rëndë, shumë rëndë. Për shembull me anë të sanksioneve ndaj kompanive evropiane dhe amerikane në Rusi ose me ndërprerjen e furnizimeve me naftë dhe gaz. Po ashtu ai do të zgjerojë edhe ndihmën e tij për të separatistët në Ukrainë: më shumë mercenarë, më shumë armë. Gjithashtu mund të kemi shpejt edhe një pushtim të hapur të maskuar si mision paqeje.

BE-ja nuk donte ta provokonte këtë dhe ndër të tjera prandaj qe e përmbajtur me vendosjen e sanksioneve të forta. Por pas goditjes së avionit Boeing të Malajzisë nuk kishte zgjedhje tjetër. Për sa kohë që Putini është në pushtet, ai do ta vazhdojë fushatën e tij kundër Ukrainës. Evropa dhe bota duhet ta kuptojnë këtë më në fund. Sanksionet janë mënyra e drejtë për ta bërë Rusinë të ndryshojë qëndrim. Por kjo mund të zgjasë me vite.