1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Gazetaria në Turqi në rrezik asfiksimi

Yavuz Baydar3 Maj 2015

Situata e mediave në Turqi në 2015-n mund të përshkruhet si dikush që ndodhet në një kabinë e duhet të mbijetojë me gjithnjë e më pak ajër, shkruan Yavuz Baydar, i ftuar për të komentuar.

https://p.dw.com/p/1FIz5
Symbolbild Pressefreiheit in der Türkei
Pamje simbolike për lirinë e shtypit në TurqiFotografi: picture alliance/AP Photo

Gazetarët turq me zor arrijnë të marrin frymë për të mbijetuar e punuar, ata luftojnë kundër asfiksimit total. Më kritike është gjendja për ata që luftojnë vërtet për dinjitet, integritet dhe që u intereson vërtet roli publik i profesionit të tyre. Gazetaria në Turqi ndodhet nën presion në dy nivele: Ndërkohë që censura forcohet në mënyra të ndryshme, shtohet njëkohësisht edhe autocensura. Pasoja: Paralizimi i raportimit dhe analizës.

Nga koha e protestave në Gezi u bllokuan më shumë se 40 herë lajmet që lidheshin me hetimet për korrupsion apo atentatet që i adresoheshin “Shtetit Islamik” për të mos e përballur opinionin me faktet. Refuzimi i kërkesave për akreditim u bë praktikë e përditshme. Gazetat kritike u përjashtuan si nga autoritetet, ashtu edhe nga avionët e Turkish Airlines dhe aeroportet. Këshilli i Medias në Turqi (RTUK) punon si instanca më e lartë e censurës dhe penalizon rregullisht dënime kundër televizioneve të ndryshme.

Mjafton një kërcënim

Vërtet që arrestimi i gazetarëve nuk është në rend të ditës, por një kërcënim mjafton. Numri i kërkesave ligjore dhe akuzave në gjyq kundër gazetarëve, blogerave dhe atyre që postojnë në twitter për shkak të “fyerjes” së presidentit Erdogan ka kapur majat. Në disa raste kolegët i kërcënojnë burgime afatgjata.

Türkei Yavuz Baydar
Fotografi: privat

Sipas të dhënave të organizatës “Reporterë pa kufij” në Turqi vuajnë dënim me burg rreth 20 gazetarë. Edhe pse numri i burgosjeve tenton uljen, shqetësuese është mënyra e procedimit aktualisht, si në rastin e Nedim Şener, Ahmet Şik. Hidayet Karaca drejtor i televizionit “Samanyolu” u arrestua në dhjetor si i dyshuar për terrorizëm dhe ndodhet ende në paraburgim. Në një rast tjetër u arrestua Mehmet Baransu, një gazetar investigativ i gazetës “Taraf”. Ai akuzohet për “marrje ilegale të dokumenteve shtetërore”. Në qarqet qeveritare ai përflitet si spiun. Të dyja rastet duket se do të kthehen në precedentë për të paralizuar edhe më shumë gazetarinë.

Frika nga humbja e punës

Autocensura është bërë normale në Turqi, ajo është pjesë e kulturës së punës. Ajo ështëshprehja më e keqe e “vetëarrestimit”. Për këtë arsye kam theksuar gjithmonë se forma e përhapur e autocensurës në koncernet mediatike, të cilët varen nga qeveria për shkak të interesave ekomomike, i kanë kthyer redaksitë e tyre në burgje nën qiell të hapur, ku kryeredaktorët me rroga të mira kujdesen që historitë me vlerë të vërtetë lajmi të bllokohen, ndërsa gazetarët reporterë dhe analistët i orientojnë drejt një kursi miqësor ndaj qeverisë. Ata që e kundërshtojnë këtë kurs largohen në mënyrë sistematike. Për shkak se vetëm 1,5% e gazetarëve janë të guximshëm e hyjnë në sindikatë, praktikisht nuk ekziston pavarësia gazetareske, sepse frika nga humbja e të ardhurave është më e madhe se akuza po arrestimi.

Kështu na ofrohet një panoramë mediatike ku 80% e mediave ndodhet nën kontrollin e qeverisë. Ato janë të paafta “të kujtojnë” vlerat më të rëndësishme që e përbëjnë gazetarinë. Prandaj këmbanat e alarmit po bien fort dhe dëgjohen që larg.

Yavuz Baydar është themelues i platformës për gazetarinë e pavarur, P24, analist i gazetës turke në anglisht “Today's Zaman” si edhe bloger për gazetën amerikane online "Huffington Post".