1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Erdogani kërkon aleanca

Thomas Seibert9 Prill 2015

Vizita e presidentit Erdogan në Teheran është pjesë e dredhimeve të Turqisë ndërmjet arabëve dhe iranianëve. Një vizion bindës në politikën rajonale nuk duket gjëkundi, komenton Thomas Seibert.

https://p.dw.com/p/1F555
Fotografi: farsi.khamenei.ir

Fillimisht presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikon epshet për pushtet të fqinjit lindor Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme, pastaj shkon në Teheran për të zhvilluar bisedime harmonike me presidentin Hassan Rohani. Episodi është tipik për Erdoganin: bubullimë retorike, e ndjekur nga pragmatizmi.

Si kryetar qeverie me eksperiencë të gjatë presidenti i sotëm turk ka pjesë në izolimin e Turqisë në rajon. Kjo mbetje vetëm ishte pasojë e padëshiruar e një projekti ambicioz. Qeveria islamike-konservatore e Erdoganit e kuptoi pranverën arabe si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e Turqisë në gjithë atë pjesë të botës dhe për të krijuar aleanca të sigurta me vëllezërit muslimanë sunitë.

Plani i Erdoganit dështoi

Plani dështoi në themel. Në Egjipt partneri i Erdoganit Mohammed Mursi u rrëzua nga ushtarakët, marëdhëniet ndërmjet dy vendeve më të rëndësishme të rajonit janë edhe sot të helmuara. Meqenëse Vëllazëria Muylimane është e dyshimtë si potencial rreziku edhe për pushtetin e sundimtarëve në vende të tjera arabe, lindën tensione ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe aktorëve të tjerë.

Korrespondenti i DW Thomas Seibert
Korrespondenti i DW Thomas SeibertFotografi: Thomas Seibert

Në të njëjtën kohë u përkeqësuan në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin, Irakun dhe Sirinë. Në Ankara kritikët thonin, se në vend që të arrihej gjendja e dëshiruar, "zero probleme" me fqinjët, një sllogan i dikurshëm i ish-ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit të tanishëm Ahmet Davutoglu, Turqia tani ka mbetur me "zero miq". Me krenari një këshilltar i Erdoganit foli për një "izolim të nderuar".

Kërkimi i një rrugëdaljeje

Në raportin me Iranin nuk ndodhi kriza e madhe. Por rivaliteti tradicional midis vendit sunit të NATO-s, Turqisë, dhe armikut shiit të Shteteve të Bashkuara, Iranit, çonte në grindje të vazhdueshme.

Konflikti i Jemenit i dha së fundi mundësinë Erdoganit për të rifituar besimin e humbur në kampin sunit. Ankaraja sinjalizoi mbështetjen e saj për aksionin ushtarak të Arabisë Saudite në Jemen, ndërsa Erdogani veproi kundër gjoja pretendimeve hegjemoniste rajonale të Iranit. Në shtetet e Gjirit ishin të kënaqur, por në Teheran kritika e Erdoganit shkaktoi një zemërim aq të madh, saqë u diskutua për anullimin e udhëtimit të tij në kryeqytetin iranian.

Mot i mirë në Teheran

Erdogani nuk hoqi dorë nga planet e tij të udhëtimit dhe në Teheran u përpoq ta paraqiste veten si ndërmjetësues në konfliktin në Jemen. Qëllimi i tij nuk janë shiitët dhe sunitët, por të gjithë myslimanët, tha ai. Gjithashtu Turqia do të paraqitet si partnere e Teheranit, nëse lehtësimi i sanksioneve pas marrëveshjes së fundit bërthamore do të mundësojë rritjen e eksporteve turke në Iran. Kjo nga ana tjetër mund t'i sjellë Turqisë kritika të reja nga arabët sunitë, të cilët i frikësohen forcimit të iranianëve.

Herët apo vonë Turqia me dredhat e saj ndërmjet arabëve dhe iranianëve mund t'i krijojë vetes vështirësi. Të sjellësh motin e mirë në Teheran, nuk do të mjaftojë përgjithmonë. Një vizion bindës i politikës rajonale të Turqisë nuk duket gjëkundi.