1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koha për udhëheqjen amerikane

Antje Passenheim/Angjelina Verbica26 Mars 2014

Avionë të telekomanduar dhe sanksione në vend të luftës. Obama i ka rivendosur piketat e politikës së jashtme amerikane. Kriza e Ukrainës është një test për këtë strategji.

https://p.dw.com/p/1BU4q
Fotografi: Shah Marai/AFP/GettyImages

Fushata e Putinit në Ukrainë vë çdo gjë tjetër në hije. Nuk është vetëm kërcënimi më i madh i sigurisë së Evropës që prej Luftës së Ftohtë. Kriza është për Obamën më e vështira në politikën e jashtme në mandatin e tij, thotë politologu i Harvardit Nicholas Burns. "Unë mendoj se presidenti Obama ka dy sfida të mëdha: E para është që të reagojë së bashku me Gjermaninë dhe vendet e tjera ndaj agresionit të Vladimir Putinit në Ukrainë", i tha Burns DW. "Në të njëjtën kohë ambiciet e ekspansionit kinez në Detin e Kinës Jugore dhe Lindore i vënë Shtetet e Bashkuara para pyetjeve të mëdha."

Dy probleme, një konsekuencë: "Ka ardhur koha për udhëheqjen amerikane", tha eksperti i politikës së jashtme, i cili nga 2005 deri 2008 nën presidentin George W. Bush mbante postin e tretë më të lartë në ministrinë e Jashtme amerikane, atë të nënsekretarit të shtetit për çështje politike. "Është koha, që ne të mbledhim NATO-n dhe të shtrëngojmë më fort lidhjet mes Evropës dhe SHBA." Ai mendon se Shtetet e Bashkuara janë në gjendje që të marrë përsipër këtë drejtim. "Dhe këtë duhet ta shohim tani nga presidenti ynë."

Që nga referendumi në Krime ai akuzohet vazhdimisht nga republikanët, si senatori John McCain, se nuk po vepron me ashpërsinë e duhur kundër Putinit. Por një goditje ushtarake kundër fuqisë atomare Rusisë do të ishte fatale, paralajmëron Burns. Për më tepër që Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. "Së pari: Ne duhet ta forcojmë qeverinë në Ukrainë", thotë Bërns. Kievi duhet të forcohet më tej financiarisht. "Poloninë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, vendet fqinje të Ukrainës." Së fundi, Putini duhet të paguajë çmimin për veprimet e tij të paligjshme. "Dhe unë mendoj se sanksionet kanë kuptim."

Sulm ushtarak kundër Rusisë nuk do të ketë
Sulm ushtarak kundër Rusisë nuk do të ketëFotografi: Reuters


Ministria amerikane e Financave si degë joushtarake e Pentagonit: Që nö konfliktin me Iranin Obama e përdori këtë armë. Larg veprimeve të shtrenjta, të zgjatura luftarake. Në vend të tyre, luftë inteligjente me avionë të telekomanduar dhe sanksione. Dhe në rradhë të parë jo vetëm. Kështu në vitin 2011 Obama vuri si kusht për goditjet ajrore në Libi mbështetjen e NATO-s dhe të shteteve arabe. Kur Muammar al-Gaddafi u rrëzua, amerikanët nuk investuan më tej në zhvillimin demokratik të vendit. Disa e shohin sot këtë si gabim.

Kur bashkësia ndërkombëtare vitin e kaluar refuzoi goditjen ushtarake në Siri, për ta penguar diktatorin Bashar al-Asad që të masakrojë popullin e tij me gaz helmues, edhe Obama u tërhoq. Një gabim i madh, siç e akuzojnë në rradhë të parë republikanët. Qendrimi i rezervuar në Siri i ka treguar presidentit Putin, se kërcënimet e SHBA-së nuk pasohen më me vepra, deklaroi deputeti konservator i Kongresit amerikan Charles Dent për DW. "Ai ka ndjekur negociatat tona bërthamore me Iranin dhe qëndrimin në Siri. Ai ka parë se si SHBA tërhoqën programin e mbrojtjes kundër raketave në Çeki dhe Poloni", thotë Dent. Ai thotë, se është në gjendje të kuptojë, në qoftë se Putini ka ardhur në përfundimin se SHBA nuk i ndjekin më detyrimet globale. "Ai pa se u krijua një farë vakuumi, të cilin mund të plotësojë."

Edhe ish diplomati Burns e sheh tërheqjen në çshtjen e Sirisë si një sinjal të gabuar. "Ne kemi shënuar një linjë dhe kemi thënë: Nëse Siria e kalon atë, ka dënime dhe nuk ka pasur dënime", thotë Burns. "Por unë mendoj se nuk është e drejtë, që për këtë arsye të pohosh se SHBA janë të buta, naive dhe kanë një peshë të lehtë.”

Nicholas Burns i quan të ekzagjeruar fjalën dobësim.
Nicholas Burns e quan të ekzagjeruar fjalën dobësimFotografi: dapd

Fuqi rezistente

Përkundrazi thotë edhe Bruce Jones nga "Brookings Institution" në Uashington. “Është e vërtetë se ka aktorë të tjerë në skenën botërore”, thotë Jones. Por forca e sistemit politik në SHBA është në sistemin ekonomik, potencialin ushtarak, inovacionin dhe teknologjinë e lartë, popullatën tonë në rritje të shpejtë, bum tonë energjitik, Shtetet e Bashkuara janë si dhe më parë ushtarakisht dominante në skenën botërore" Nuk është e saktë, që ta përshkruash strategjinë e Obamës si "të butë”. SHBA vazhdon të jetë një lidership dominues ushtarak. "Po të llogarisësh së bashku kapacitetin e ushtrisë dhe ekonomisë amerikane me atë të aleatëve tanë, atëherë Perëndimi përbën rreth 70 për qind të ekonomisë botërore dhe ka një kapacitet dominues ushtarak", thotë Jones .Qëndrimi mëdyshës, kur është fjala për të shkuar në luftëra, rezulton nga mësimet e nxjerra në Irak dhe Afganistan."Nga këto misione tej mase të fryra ushtarake, kthehemi përsëri në normalitet", thotë Jones “Duket ndoshta si një prerje. Por në të qëndron një potencial i madh."


Politika e jashtme në ndryshim

Pas përfundimit të këtyre dy luftërave strategjia e politikës së jashtme të Obamës është akoma në zhvillim, thotë Michael Werz nga "Center for American Progress" në Uashington. “Dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin se në Shtëpinë e Bardhë, apo në Ministrinë e Jashtme të Shteteve të Bashkuara mungon imagjinata, por me faktin se ne ndodhemi në një periudhë tranzicioni, në të cilën format tradicionale të konfrontimit ushtarak nuk funksionojnë më." Kjo është dëshmuar në Irak dhe Afganistan .”Vështirësia qëndron në faktin, se konfliktet janë bërë asimetrike. Se vetëm me fuqi ushtarake nuk mund të kufizohen konfliktet. "Ky është njëri dimension. Tjetri është se ka një spostim masiv gjeografik, që shfaq shenjat e tij të para drejt Paqësorit. "Administrata Obama është përpjekur të reagojë me iniciativa të ndryshme ndaj këtyre ndryshimeve me të vërtetë të mëdha tektonike. Së pari duke formuar një rrjet partnerësh të ardhshëm në shtetet demokratike. "Këto përfshijnë investime politike në Turqi, Brazil, Indi dhe nga ana tjetër një riorientim të politikës së jashtme amerikane në rajonin e Paqësorit, veçanërisht në aspektin e marrëdhënieve me Kinën."
Administrata Obama në politikën e jashtme, thotë Werz ka ngecur në mes. "Ndërmjet konflikteve të vjetra të shekullit të 20-të, pra Palestinës, zonës së Mesdheut, Lindjes së Afërt dhe sfidave të ardhshme të shekullit të 21 në zonën e Paqësorit." Ky tranzicion do të zgjasë edhe disa dekada.

Michael Werz PhD
SHBA gjenden në udhëkryq, mendon WerzFotografi: Michael Werz