1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klaus Iohannis: "Rumania duhet ta shfrytëzojë më mirë potencialin e saj"

Lavinia Pitu19 Nëntor 2014

Presidenti i ri rumun Klaus Iohannis i shpall luftë korrupsionit në vend. Ndërkombëtarisht, ai do ta forcojë profilin e Rumanisë, tha Iohannis në intervistë DW.

https://p.dw.com/p/1DpzB
Fotografi: Reuters/B. Cristel

DW: Zoti President, ju i fituat zgjedhjet në Rumani me diferencë të thellë, edhe pse në të gjitha sondazhet thuhej se favorit ishte kryeministri Viktor Ponta. Çfarë mendoni se qe e rëndësishme për fitoren tuaj, të cilën jo vetëm analistët politikë e konsiderojnë si "historike"?

Klaus Iohannis: Historike, ishte në radhë të parë pjesëmarrja mjaft e lartë. E gjithë bota mundi të shihte se sa i fortë është vullneti i qytetarëve rumunë për demokracinë dhe lirinë. Ajo ishte e mahnitshme! Së dyti, unë besoj se e kam thyer një numër stereotipesh dhe paragjykimesh, se si bëhet politikë dhe çfarë mund të të bëhet në Rumani. Votuesit e kanë kuptuar këtë. Zëri i tyre dhe sidomos pjesëmarrja masive në balotazh na dha të gjithëve një sinjal të qartë: rumunët duan një ndryshim të thellë në mënyrën se si bëhet politikë në vendin e tyre.

Cili është konkretisht vizioni juaj i një „Rumanie që i bën punët mirë“?

Unë dua një Rumani të fortë dhe të begatë. Konkretisht unë kam vizionin e një vendi ku të gjithë e kryejnë punën e tyre, ku projektet e nisura çohen me sukses deri në një fund, ku ligji vlen për të gjithë, po ku politikanët dhe institucionet janë në shërbim të qytetarit. Së bashku ne mund ta bëjmë Rumaninë si e duam atë. Në programin tim unë kam propozuar 11 fusha, me të cilat ne duhet të merremi në konsensus me shoqërinë dhe klasën politike. Këto përfshijnë kryesisht sistemet e mëdha shtetërore të shëndetësisë, të arsimit, të pensioneve, por edhe fushën e ekonomisë.

Ju premtuat gjatë fushatës zgjedhore, ndër të tjera, se do të garantoni sundimin e ligjit në Rumani dhe do të luftoni korrupsionin. Si do të mund të bëhet kjo me një shumicë socialiste në Parlament? A nuk kishte dy vitet e fundit një luftë e vazhdueshme për pushtet mes kryeministrit socialdemokratik Ponta dhe presidentit konservator të mëparshëm Traian Bashesku. Çfarë mund të ndryshoni ju, çfarë duhet të ndryshojë? Dhe çfarë do të vazhdoni ta ruani?

Unë besoj se Presidenti ka një rol thelbësor kur vjen puna për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë edhe vazhdimin e luftës kundër korrupsionit. Këto elemente janë me rëndësi të madhe për demokracinë në Rumani - këtë duhet ta kenë kuptuar të gjitha qeveritë dhe të gjitha palët. Pavarësisht se kush ka shumicën në parlament, një konsensus politik është i nevojshëm. Ne nuk na duhen vetëm deklarata, ne kemi nevojë për vepra.

Në prezantimin tim të parë publike pas balotazhit të 16 nëntorit, unë jam shprehur shumë qartë për këto çështje dhe u kam kërkuar partitë politike që të dëshmojnë me hapa të qartë se e kanë kuptuar kuptimin e vërtetë të zgjedhjeve. Konkretisht është fjala për refuzimin përfundimtar në Parlament të ligjit për amnestinë dhe faljen e personave të dënuar për korrupsion, po ashtu për miratimin e kërkesave të paraqitura nga prokuroria për heqjen e imunitetit për deputetët e dyshuar për korrupsion. E gjithë kjo është zbatuar vetëm për dy ditë. Pra kjo është e mundur! Presidenti mund të jetë ai i cili arrin një konsensus për çështjet kyçe.

Në kontekstin e krizës në Ukrainë Rumania, si një vend i BE që ka kufirin më të gjatë me Ukrainën, gjendet në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar gjeopolitike. Cilat janë prioritetet e politikës suaj të jashtme?

Si presidenti i Rumanisë unë do të vazhdoj politikën tonë të jashtme aktuale dhe do ta forcoj atë: partneritetin strategjik me SHNA-në, rolin e Rumanisë në NATO dhe BE. Në kontekstin aktual të komplikuar gjeopolitik, Rumania do të sillet si një partner i respektuar dhe i besueshëm tek të cilët aleatët tanë mund të mbështetet.