1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kjo ndryshoi perspektivën time" - Shqiptarë, serbë dhe gjermanë këndojnë Shënbergun

Aida Cama29 Tetor 2008

Mes serbëve dhe shqiptarëve ekzistojnë shpesh mendime të gabuara që vijnë edhe prej mungesës së kontakteve. Një projekt gjerman pati këtë parasysh dhe mblodhi 100 korista nga Serbia, Shqipëria dhe Gjermania.

https://p.dw.com/p/FjX0
Koncerti i përbashkët në Shkodër
Koncerti i përbashkët në ShkodërFotografi: Aida Cama

Në Kishën Luisenkirche në Berlin Charlotenbourg janë duke u zhvilluar prova. 100 koristë nga Gjermania, Serbia dhe Shqipëria sapo janë takuar. Është hera e parë që shohin njëri tjetrin.

Betina një prej koristëve të Kori Figural të Berlinit e kutjon kështu këtë moment: "Në fazën përgatitore në dëgjuam se do të vinin njerëz të ndryshëm, të cilët nuk i kishim parë asnjëherë. Kurioziteti ishte shumë i madh, kur për herë të parë u ndodhëm në kishë të gjithë bashkë. Per çudi shqiptarët ishin shumë të rinj, shumica rreth te 20-tave, kurse serbët ishin shumë prezent, këta djemë më flokë të gjata. Kur u ndodhëm në kishë per të bërë provat mendova: "Hej, ky është një projekt i madh." Situata ishte shumë interesante, dhe shumë e hapur. Ne nuk e dinim se si do të ecte më tutje, si nga pikëpamja personale ashtu edhe nga ajo muzikore."

Përgatitjet e projektit zgjatën katër vjet. Ideja që lindi në Berlin ishte muzika i bën njerëzit bashkë. Kori "Prenke Jakova" nga Shkodra tregoi menjëherë gatishmëri për të marrë pjesë. Kurse në Serbi, optimizmi nuk ishte shumë i madh. Dragoslavi 22 vjeçar, anëtar i korit serb thotë: "Këtu në Serbi ne nuk i duam shqiptarët, dhe mendoj se shqiptarët në përgjithësi nuk i duan serbët."

Në sinagogën e Novi Sadit
Në sinagogën e Novi SaditFotografi: Aida Cama

Por kjo nuk e pengoi Tamara Petijeviçin, drejtuesen të sillte korin "St Stephen of Dechani" në projekt. Dragoslavi i tregon arsyet e veta: "Fillimisht kur dëgjova për projektin, pranova vetëm që të shfrytëzoja rastin për të parë gjëra që nuk i kisha parë, qytete të mrekullueshme."

Dirigjenti Gerhard Oppelt ndan fillimisht grupet sipas zërave: First tenor- second Tenor, Alto, Bass, ...

100 vetë duhet të drejtojë dirigjenti Oppelt. Ai përdor anglishten për të drejtuar. Shqiptarët pyesin njëri tjetrin, për të marrë vesh më mirë çfarë po thuhet. Serbët, më mirë profesionalisht se të tjerët përqëndrohen tek shenjat e Tamarës duken më skeptikë se të tjerët. Një ditë prova, dy ditë, ditën e tretë duhet të jepet koncerti.

"Hera e parë kur pata ndjenjën se ne jemi vërtet duke bërë diçka të përbashkët, ishte kur provuam Shönbergun me "Peace on Earth" një pjesë muzikore e shkruar në gjermanisht, që ne të gjithë e kënduam në anglisht. Momenti kur po e këndonim, kur të ngjeshur me njeri tjetrin, të ndarë sipas zërave dhe jo sipas kombeve, përpiqeshim të kuptonim cilën pjesë të këngës ishim duke provuar dhe muzika që prodhuam të gjithë bashkë, më preku jashtë mase, " tregon Betina.

Pas koncertit shqiptarët të çliruar nga tensioni mblidhen rreth pianos dhe këndojnë këngë dashurie italiane. Por atyre u duhet të mësojne se kjo është gati blasfemi në kishën protestante të Shën Luizës në Berlin.

Në Novi Sad koncerti u dha në sinagogë. Publiku ishte i kursyer, por ata që kishin ardhur ju dhanë më shumë duartrokitje korit të shqiptarëve, si miq të veçantë, të paardhur kurrë deri këtu. Gjon Shllaku, drejtor i korit "Prenkë Jakova" nga Shkodra: "Patëm rast të njohim artista, patëm rast të njohim autorë të rinj, patëm rast të këndojmë në një kishë të besimtarëve protestantë, në një sinagogë në serbi dhe në katedralen katolike në Shkodër. Me shpresën se muzika bashkon jerëzit në një formë krejtësisht të veçantë, ishte nisur kjo ide. Rezultati ishte ai një eksperiencë e shkëlqyer."

Pas koncertit në Shkodër, miqtë marrin pjesë në festë alla shqiptarce. Gjermanët dalin nga roli kur shijojnë verën dhe muzikën shqiptare. Dragoslavi thotë:" Jam i suprizuar që mora kontakt me kaq shumë shqiptarë. Më tregoi që isha i gabuar për disa gjëra. Nuk e prisja që të ishin kaq të sjellshëm. Ka shumë për të mësuar nga të gjithë këta njerëz që takuam, që vijnë nga kultura të ndryshme. Kjo ndryshoi perspektivën time të vështrimit, nacionalizmit dhe tolerancës. Pati ndikim të madh tek unë dhe më ndryshoi."

Për Tamarën dhe grupin serb, dëshira për ta përsëritur këtë përvojë thuhet me këngë: "Për shumë vjet..."