1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina dhe "sundimi i ligjit"

Christoph Ricking/ Auron Dodi20 Tetor 2014

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës takohet për Plenumin e tij të katërt. Në të do të bëhet fjalë për sistemin e drejtësisë. Shtet juridik nuk pritet.

https://p.dw.com/p/1DYTq
Sheshi i paqes qiellore ne Pekin
Fotografi: AP

Ishte një dramë e përgjakshme, ajo që ndodhi në krye të javës në provincën jugperëndimore të Kinës, Yunnan. Një grup i zemëruar banorësh të fshatit sulmoi një kantier ndërtimi dhe punëtorët që punonin atje. Turma lidhi tetë punëtorë ndërtimi dhe u vuri flakën. Policia përdori shkopinj gome dhe gaz lotsjellës për ta vënë nën kontroll shpërthimin e dhunës. Bilanci tragjik i konfliktit: gjashtë punëtorë dhe dy banorë të fshatit u vranë. 18 vetë u plagosën. Mediet lokale thanë se banorët e fshatit nuk ndiheshin të dëmshpërblyer sa duhet prej projektit të ndërtimit, që u kishte marrë tokën.

Mungesë besimi te drejtësia

Në Kinë ka shpesh konflikte të tilla për tokën. Vërtet që shumicën e herëve paguhen shuma të mëdha dëmshpërblimi. Por shumë qeveri lokale janë të korruptuara, paratë zhduken. Meqenëse ndikimi i qeverive lokale te sistemi i drejtësisë është i madh, mungon pesimi tek drejtësia dhe në këtë mënyrë tek një mjet efektiv për t'i zgjidhur konflikte të tilla.

Por ka mundësi që kjo të ndryshojë. Në krye të javës, takohen kuadrot kryesore të Partisë Komuniste të Kinës - Komiteti Qendror - për një konferencë. Fokusi i plenumit të katërt të Komitetit të 18-të Qendror pritet të jetë sistemi i drejtësisë. Vëzhguesit spekullojnë se me një reformë drejtësie mund të kufizohet pushteti i qeverive lokale ndaj sistemit juridik. "Motivi për reforma i qeverisë ka të bëjë me faktin se në Kinë ka gjithmonë e më tepër konflikte masive në të gjitha provincat", thotë Zhu Yi nga Mercator Institute for China Studies (Merics). Qeveria është e ndërgjegjshme për problemin, thotë Zhu.

Sipas të dhënave të Human Rights Watch, çdo ditë në Kinë ka midis 300 deri 500 protesta. Shtimi i konflikteve ka të bëjë edhe me shtimin e pronës private te njerëzit dhe me proceset e globalizimit të Kinës. "Ndërgjegjia për drejtësi e popullit kinez është në rritje dhe para së gjithash nga pikëpamja e shoqërisë ekziston dëshira që ligji të aplikohet në atë mënyrë, që të arrihet mbrojtja e privatit nga shteti."

Sundim i ligjit përkatësisht shtet ligjor

Partia Komuniste deri tani nuk përmend detaje për reformën eventuale të drejtësisë. Në deklarata zyrtare thuhet vetëm se në Plenum do të diskutohet "sundimi i ligjit". Agjencia e lajmeve Hsinhua e paraqet "sundimin e ligjit si detyrim, nëse vendi dëshiron të përjetojë zhvillim ekonomik, qeverisje korrekte, lulëzim kulturor dhe ambjent të pastër".

Zhang Ming, ekspert i drejtësisë në Universitetin Popullor thotë se "sundimi i ligjit" nuk duhet të barazohet me standardet perëndimore. "Nuk bëhet fjalë për ndarje pushtetesh, nuk bëhet fjalë për shtet kushtetues. Objektivi është forcimi i drejtësisë dhe ligjit si instrumente të sundimit". Vëzhguesit besojnë se në reformën e mundshme të drejtësisë do të jetë fjala para së gjithash për masa teknike. Ato mund të sjellin disa përmirësime.