1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kievi tani pengesë?

Frank Hofmann1 Prill 2015

Këshilli i Evropës kritikon ashpër Kievin për shkak të shtyrjes së hetimeve lidhur me vrasjen e protestuesve në Maidan. Ka dyshime se pika të rëndësishme nuk janë të interesuara për sqarimin.

https://p.dw.com/p/1F15F
Fotografi: Reuters

Trishtimi ndjehet ende sot. Që nga rruga Institutskaya përgjatë hotelit Ukraina, nga sheshi i Kievit Maidan deri te ndërtesat qeveritare. Me fotografi, lule dhe kujtime të afërmit dhe miqtë kujtojnë viktimat e protestave. Të paktën 49 vetë humbën jetën rreth datës 20 shkurt të vitit të kaluar. Shumica e tyre nga të shtënat e njësive Berkut të ministrisë të Brendshme, besnike të regjimit. Jo shumë larg nga Maidani, në pallatin presidencial në rrugën Lutheranska, negocionin atëherë thuajse në të njëjtën kohë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, Frank-Walter Steinmeier dhe Laurent Fabius, me ish presidentin Viktor Janukoviç. Ishin orë dramatike. Me 22 shkurt Janukoviç u arratis në Rusi.Në fund rreth 100 njerëz humbën jetën nga trazirat. Të gjitha viktimat e protestave në Maidan quhen sot në Kiev "100 të shenjtët".

Asnjë përparim në sqarimin e çështjes

Ukraina zgjodhi presidentin e ri Petro Poroshenko dhe para një gjysëm viti një qeveri të re demokrate me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fakt premisat më të mira për të sqaruar dhunën e atëhershme. Vetëm, sipas Këshillit të Evropës nuk është bërë asgjë. Ai akuzon qeverinë aktuale, se nuk ka bërë “asnjë hap substancial". Një shuplakë për elitat proevropiane në Kiev. Madje forumi i këshilltarëve ndërkombëtarë, i caktuar posaçërisht nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland, shkoi edhe më tej. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme ka qenë “jokooperativ dhe zvarritës", tha Nicolas Bratza, kryetar i grupit këshillues të Këshillit të Evropës. Edhe shërbimi i fshehtë ukrainas ka bllokuar. Atje nuk janë të interesuar për sqarim.

Pas të shtënave në Maidan, veçanërisht rreth datës 20 shkurt 2014, janë fshirë gjurmet nga regjimi i vjetër, janë zhdukur dokumente dhe armë. Hetimet janë pa dyshim një sfidë, tha Bratza. Por vetëm "këto vështirësi nuk mund të shpjegojnë mangësitë" në hetime. Sidomos atje, ku megjithë zhdukjen e dëshmive, mund të hetohej. Në përvjetorin e revolucionit, para më shumë se katër javëve, presidenti Petro Poroshenko ngriti akuza të rënda në drejtim të Moskës, se një këshilltar i presidentit Putin ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të shtënat kundër demonstruesve proevropianë në Maidan. Por kjo mbetet "një çështje e hapur" pas hetimeve tani të mbyllura të Këshillit të Evropës, u përgjigjën ekspertët nga Strasburgu.

Luftimet në Majdan me 20 shkurt 2014
20 shkurt 2014 u përshkallëzua shumë dhuna në MaidanFotografi: picture-alliance/dpa/Maxim

“Kohë e mjaftë për shkatërrimin e provave"

Që prej një gjysëm viti në jug të Maidanit te monumenti i pavarësisë gjenden postera të mëdhenj me fotografi, që kujtojnë protestat dhe viktimat e tyre. Igori është student nga Mykolajiv në Ukrainën jugore. 20 vjeçari shikon fotografitë e trazirave. "Unë nuk kam qenë në Maidan, por e kam parë të gjithën në televizor. Deri sot asgjë nuk ka ndryshuar“, thotë ai, sepse, “nëse fajtorët nuk janë gjetur deri më sot, kjo do të thotë se autoritetet punojnë si dikur." Vetëm emrat e politikanëve në pushtet sot janë të tjerë. Zhgënjim i madh. Pranë në rrugën Institutskaya qëndron Natalia Syrotynska nga Lemberg. 43 vjeçarja mendon pak më ndryshe: “Sa kohë duhen për të shkatërruar provat?“ Një ditë është e gjatë, dhe kaq gjatë kanë qëndruar pasuesit e regjimit në postet e tyre.

Studenti 20 vjeçar Igor akuzon hetuesit për mosveprim
Studenti 20 vjeçar Igor akuzon hetuesit për mosveprimFotografi: DW/K. Lutska

Dhe shumë janë arratisur, shton mësuesja e muzikës, në Krime, pasi gadishulli u aneksua nga Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin. Dy hapa më tej 23 vjeçarja Olena ka një dyshim krejt tjetër: Ndoshta edhe disa prej qeverisë të tanishme proevropiane, të zgjedhur në mënyrë demokratike, kanë ushtruar dhunë. Në fakt u qëlluan edhe policë, kur luftimet u përshkallëzuan. Megjithatë anëtarët e qeverisë aktuale “nuk do të duan të hetojnë kundër vetes". Dhe forcat politike reformatore në Ukrainë, që mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, janë akoma shumë të dobëta. Regjimi i vjetër i Janukoviçit vazhdon të jetojë në zyrat e ministrive.

Natalia nga Lembergu në Ukrainën lindore beson se pa luftën hetimet do të kishin qenë më të thjeshta
Natalia nga Lembergu në Ukrainën lindore beson se pa luftën hetimet do të kishin qenë më të thjeshtaFotografi: DW/K. Lutska

Zemërim kundër qeverisë në Kiev

Megjithatë ka një ndryshim. Sot në Ukrainë ka luftë, më shumë se 6000 vetë janë vrarë deri tani, sipas të dhënave të OKB-së. Qeveria mobilizon ushtarë kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit. Demonstruesit e dikurshëm, që dolën në rrugë për të drejtat e njeriut dhe për mundësi të barabarta, u bënë ushtarë. Ato mund të kthehen një herë në 45 ditë nga fronti, sipas parimit të rotacionit. Si Svjatoslavi, i cili është kthyer para 12 ditësh në Kiev, nga fronti i bastionit të rebelëve Luhansk. 33vjeçari pyet: "Si është e mundur? Një vit ka kaluar dhe askush nuk është në burg", për shkak të të vdekurve në Maidan. Kjo ishte e pabesueshme. Zemërimi i tij ndaj "Kievit" rritet.