1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Karta blu si biletë e kufizuar hyrjeje: BE- ja hap dyert për imigrantët shumë të kualifikuar

Karta blu e miratuar nga Parlamenti Evropian synon të tërheqë në Evropë njerëzit me kualifikim të veçantë nga vendet jo europiane. Po sa e dobishme do të jetë Karta me emrin e bukur?

Do të preferojnë të rinjtë e superkualifikuar kartën blu të BE-së apo atë të gjelbër në Amerikë?

Prej kohësh politikanë të BE-së ankohen se të rinjtë shumë të kualifikuar nga vendet në zhvillim apo ato në ekspansion, preferojnë të emigrojnë në SHBA. Karta e gjelbër amerikane është shumë e lakmuar nga emigrantët.

Karta Blu e emigracionit e BE-së mban një emër të bukur, por nëse do të jetë vërtet e dobishme, është vështirë të vlerësohet dhe për këtë polemizohet. E sigurtë është sidoqoftë se Karta Blu nuk do të jetë një Kartë e Gjelbër, pra jo një biletë hyrjeje sipas modelit të SHBA-ve. Karta e Gjelbër amerikane lejon imigrimin e pakufizuar në kohë në të gjitha shtetet federale të SHBA-ve. Karta europiane do të lejojë një imigracion të kufizuar deri në një apo dy vjet dhe liria e lëvizjes brenda BE-së mbetet e kufizuar. Punëkërkuesit duhet të dëshmojnë një rrogë relativisht të lartë dhe vetëm ata që kanë kualifikim të lartë janë të mirëpritur. Nuk do të ketë kuota imigrimi dhe çdo vend anëtar i BE-së do të vendosë vetë se kë do të pranojë e kë jo.

Kjo është tipike, një kompromis evropian me copëza dhe jo një zgjidhje e madhe evropiane që do të zgjidhte në Evropë problemet e personelit dhe brezit të ri në sektorin e informatikës apo mungesën e mjekëve. Megjithatë ky është një fillim. Çdo përpjekje për një rregull të përbashkët është më mirë se zgjidhja e dëritanishme e shteteve anëtare që i ngjason një tapeti me arna.

E megjithatë me Kartën Blu do të jetë e vështirë të ndryshohet nga SHBA-të drejt Evropës, fluksi i imigrantëve shumë të kualifikuar nga India, Rusia apo Kina. Gjuha e njësuar në SHBA dhe kushtet e përgjithshme të jetës atje janë përparësi që vështirë se mund të kompensohen. Për këtë nuk duhet të ketë iluzione.

Karta blu

Kështu ministri i brendshëm gjerman, Volfgang Shojble (Wolfgang Shäuble), i njohur për qëndrimin e tij mjaft skeptik flet për një "simbol politik". Hyjra e Kartës Blu në asnjë mënyrë nuk duhet t'u kufizojë kompetencat autoriteteve gjermane për të huajt. Politikanët gjermanë nuk janë të vetmit me këtë qëndrim në BE. Çekia dhe Bullgaria kanë kërkuar me të drejtë që fillimisht të hiqen të gjitha kufizimet për shtetasit evropianë nga vendet e reja anëtare përpara se t'u lejohet hyrja atyre nga kontinentet e tjera.

Nga njëra anë BE-ja me Kartën Blu synon të lehtësojë migracionin e ligjshëm, dhe ana tjetër synon të veprojë ashpër kundër migracionit ilegal. Parlamenti i BE-së është shprehur për dënim të ashpër të punëdhënësve që punësojnë njerëz pa dokumenta të rregullt. Shtetet që dëshërojnë ka shumë gjasa që të ofrojnë më parë se BE-ja lehtësi për imigrantët shumë të kualifikuar. Gjermania vitin e ardhshëm pritet të zbusë rregullin për të drejtën afatgjatë të qëndrimit.

E pasigurtë është edhe nëse lehtësimi i imigracionit në kohët e një recesioni të rëndë mund të jetë vitin e ardhshëm një kartë e fortë në fushatën elektorale evropiane. Parlamentarët evropianë që në fillimin të muaji qershor do të luftojnë për mandatet e tyre janë të detyruar të marrin parasysh shqetësimet e zgjedhësve të tyre për vendet e punës. Kështu imigracioni i ligjshëm nuk ka shumë gjasa të jetë në krye të listës së temave të preferuara.

Derisa karta evropiane e imigracionit të japë efektin e dëshëruar, do të kalojnë me siguri vite. Ajo pritet të marrë fuqi ligjore vetëm në vitin 2011. Më parë, madje brenda këtij viti, ministrat e brendshëm dhe ata të drejtësisë të BE-së duhet të vënë vulën e tyre mbi Kartën Blu. Mullinjtë e Evropës bluajnë ngadalë!

DW.DE