1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karnavalet gjermane në listën e Trashëgimisë Botërore të Kulturës?

Philipp Jedicke/Vilma Filaj-Ballvora3 Mars 2014

Karnavalet gjermane duhet të përfshihen në listën e UNESCO-s për vlerat e Trashëgimisë Botërore të Kulturës. Kërkesa përkatëse është parashtruar. Por çfarë e bën ritin e "ditëve argëtuese" kaq të veçantë në Gjermani?

https://p.dw.com/p/1BI3Q
Karneval in Deutschland 2014
Fotografi: Reuters

Çdo vit ditën e daljes së karnavaleve në rrugë, të enjten e quajtur Weiberfastnacht, festa kremtohet në rrugë: Me kostume karnavalesh të rinj e të moshuar vërshojnë rrugëve u hidhen në qafë njerëzve të panjohur, duke mos u stepur as nga era e shiu gjatë gjithë natës njerëzit puthen e përqafohen, kërcejnë e këndojnë. Në epiqendrat e karnavaleve përgjatë Rinit, në rajonin e Schwarzwald dhe në disa pjesë të Zvicrës askush nuk mund t'i shpëtojë kësaj feste popullore, që konsiderohet si stina e pestë. Atyre që nuk i durojnë dot karnavalet s'u mbetet gjë tjetër veçse të marrin arratinë prej qytetit.

Galerie Karneval in Köln 004
Fotografi: DW/Maksim Nelioubin

Trashëgimi kulturore rajonale dhe kombëtare

Rëndësia e karnavaleve këtej e tutje do të vlerësohet edhe zyrtarisht. Në fund të vitit 2013 Shoqata e Karnavalistëve të Gjermanisë (BDK) i ka paraqitur një kërkesë Konferencës së ministrave të Kulturës të landeve. Qëllimi është që UNESCO ta përfshijë festën e karnavaleve në listën e vlerave të Trashëgimisë Botërore të Kulturës. Organizata e OKB-së për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën që prej disa vjetësh në listën e saj përfshin jo vetëm objekte ndërtimi dhe rajone por edhe "rite, forma të shprehjes, interpretime, bashkësi, grupe dhe ndonjëherë edhe persona të veçantë si komponente të trashëgimisë kulturore."

Një kërkesë e tillë në fakt duket si e tepruar. Sepse në Gjermani ka shumë tradita të tjera përveç ritit të karnavale. Peter Krawietz, zëvendëspresident i BDK dhe një nga ata që kanë paraqitur kërkesën, nuk sheh ndonjë problem: "Ne e kuptojmë karnavalin si një dukuri mbarëgjermane dhe e kemi formuluar kërkesën duke përfshirë të gjitha tiparet e ndryshme rajonale."

Fasching, Fasnet, Karneval – jo vetëm emri i festës, por edhe traditat ndryshojnë nga rajoni në rajon. Në të enjten e karnavaleve të rrugës p.sh. në zonën shvabo-alemane në jugperëndim të Gjermanisë dhe në Zvicër gra e burra të rinj me maska druri të përgatitura me art dhe të veshur me kostume shumëngjyrëshe kryejnë procesion nëpër fshatra. Ata paraqesin figura nga përrallat e sagat si shtriga, apo shpritra të këqinj. Ndërsa kjo traditë shvabo-alemane i ka rrënjët në kulmin e Mesjetës, karnavalet në zonën e Rinit në qytetet Dysedorf, Këln, Ahen dhe Mainc janë zhvilluar në formën që kanë sot në shekullin e 19-të. Këtu në epiqendër është ironizimi i krerëve drejtues. Gjatë procesionit të së hënës së trëndafilave (Rosenmontagszug) në kamionët me mbulesa shumëngjyrëshe vendosen karikatura mbidimensionale që ironizojnë zhvillimet politike të vitit të kaluar. Në fjalimet e karnavalistëve ata parodizojnë me rimë dhe me një gjuhë të pasur figurative këshillat bashkiakë dhe drejtuesit e qeverive të landeve apo të federatës.

Galerie Karneval in Köln 009
Fotografi: DW/Maksim Nelioubin

Potencial shpërthyes politik dhe komercializim

Në fillimet e veta karnavalet në zonën e Rinit kanë qenë shprehje e luftës kulturore mes Rheinlandit katolik dhe pushtuesve prusioano-protestantë të kësaj zone. Me procesionet e tyre karnavalistët parodizojnë marshet e prusianëve. Fryma e rezistencës vazhdoi të ruhet. Në kohën e regjimit të nacionalsocialistëve në Këln dhe në Mainc ka pasur mjaft karnavalistë të guximshëm, që - siç thekson Peter Krawietz - "kritikonin hapur regjimin duke rreizkuar jetën".

Ndërsa sot karnavalet në Rheinland e kanë humbur në përgjithësi theksin politik dhe janë komercializuar. Studiuesi i shkencave kulturore dhe ekspert i karnavaleve Gunther Hirschfelder bën fjalë madje për një "eventizim". Celebrimi i karnavaleve si event, do të thotë që ta zveshësh këtë festë prej origjinalitetit të saj.

"Aplikimi për njohjen e këtij riti si Trashëgimi Botërore e Kulturës është në aspektin e politikës kulturore absolutisht bindës dhe i domosdoshëm", thotë Hirschfelder. Qëllimi është që përmes kësaj të ruhet indentiteti kulturor i karnavaleve.