1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shkenca & Edukimi

"Kalime në natyrë" - Projekt i nxënësve me muzikantë dhe artistë

Një vit rresht nuk kanë qenë në shkollë të mërkurave nxënësit e klasave të shtata të shkollës Bettina në Westend të Frankfurtit. Në vend që të uleshin në bankat e shkollës ata dilnin për udhëtime në natyrë.

Një vit rresht nuk kanë qenë në shkollë të mërkurave nxënësit e klasave të shtata të shkollës Bettina në Westend të Frankfurtit. Në vend që të uleshin në bankat e shkollës ata dilnin për udhëtime të pazakonshme në natyrë me artistë të fondacionit kulturor Altana, me muzikantë të Ansamblit Modern dhe me kërcimtarë të Forsythe Company. Projekti "Kalime në natyrë" kishte si synim t'iu krijonte nxënësve një qasje jokonvencionale në temën e natyrës.

Adhuruesve të muzikës bashkëkohore do t'iu bëjë shumë përshtypje dhe do të shohin me mosbesim kur të dëgjojnë se nxënësit e shkollës Bettina e kanë kompozuar vetë këtë muzikë. Njohuritë e harmonisë ata nuk i kanë nga mësimi i muzikës, por kanë shkelur shtigje të reja bashkë me muzikantë të Ansamblit Modern me emër, shpjegon Daniela. "Për shembull ne përfytyrojmë sikur të kishte pak erë. Pastaj përpiqemi që ta luajmë këtë në instrumente të ndryshme."

Ansambli Modern dhe kërcimtarë të Forsythe Company.

Ansambli Modern dhe kërcimtarë të Forsythe Company.

Daniela i bie violinës dhe e ka kuptuar kështu erën në instrumentin e vet: "Violina ka një vrimë F-je dhe atje i fryj."

13 vjeçarja tregon se e ka njohur sërish instrumentin e saj me artistët. Që për nxënësit ky lloj të mësuari nuk ka të bëjë farë me të studiuarit me këmbëngulje, kjo kuptohet. Në një kohë që mësuesit iu mësojnë në shkollë formula të pandryshueshme ose gramatikë të saktë, artistët arritën t'iu hapnin nxënësve perspektiva të reja, shpjegon Enja. "Ja që me ta ishte shumë më spontane dhe ne kishim mundësi të sillnim idetë tona. Në orën e matematikës nuk mund të themi "kjo formulë s'më pëlqen, dua ta ndryshoj", por atje këtë mund ta bënim."

Nën këtë moto të rinjtë duhet të mblidhnin gjatë shëtitjeve në natyrë barëra dhe të mendonin emra për bimët që gjenin. Në këtë mënyrë ata mësuan se natyra nuk mund të kuptohet dhe përshkruhet vetëm me metoda të shkencave të natyrës.

Udhëtimi kërkimoro-artistik pothuajse nuk njihte kufij: qoftë duke kërcyer, duke bërë muzikë, duke vizatuar apo duke folur, gjithçka mund të provohej. Artistët iu ndihmuan nxënësve që të zbulonin dellin e tyre krijues dhe i mbështesnin ata me fjalë dhe me vepra. "Ndonjëherë pati edhe gjëra si kjo: unë thashë se nuk do të doja të ndryshoja më gjë dhe se dukej mirë siç ishte, por ata më thanë që të kalonte një natë dhe të nesërmen të shihja se si dukej tabloja. Ndoshta ndryshonte."

Edhe në qoftë se mëngjesin tjetër tabloja ishte e njëjta, artistët dhe nxënësit gjithmonë janë marrë vesh, tregon një tjetër nxënës i klasës së shtatë. "Ata thonë për çdo tablo që është e mirë, qoftë e mbushur me ngjyra, qoftë vetëm me një ngjyrë ose shkarravinë, ata thonë se duket mirë."

Në fund të udhëtimit njëvjeçar nëpër natyrë ishte performanca përmbyllëse me një instalim skene të ndërlikuar. Në një javë përgatitjesh intensive u bashkuan muzikë, kërcime, tekste dhe tablo të shtypura.

Drita është e dobët, tinguj të ulët e shoqërojnë pamjen e gdhendjeve në dru të ndriçuara për pak çaste.

Natyra mund të dëgjohej dhe të shihej në mënyra të larmishme në këtë mbrëmje në Frankfurter LAB. Jo vetëm artistët e fjalës krijuan pamje me tinguj nga natyra. Kërcimtarët lëviznin si në përsëritje të ngadaltë nëpër një pyll dhe muzikantët nxirrnin nga instrumentet e tyre cicërima zogjsh ose erën që fryn nëpër pemë. Për këtë arsye je i prirur t'i besosh drejtorit të programit edukativ të fondacionit kulturor Altana dhe ideator i projektit, se nxënësit kanë përvetësuar një rregull të rëndësishme bazë të artit: "Fëmijët mësuan në këtë vit bazën elementare të të menduarit në mënyrë artistike, që për arritjen e objektivit ka gjithnjë shumë zgjidhje dhe rrugë."

Autor: Peter Klaiber/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama