1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juna Kule: Po aq gjermane sa edhe shqiptare

4 Tetor 2011

Ajo ka ardhur në Gjermani shumë e re, 18 vjeç. Sot Juna ndjehet po aq gjermane sa edhe shqiptare. Përvoja e Junës tregon se integrimi është edhe integrim në sfida dhe jo vetëm në gjërat parimore.

https://p.dw.com/p/12jta
Në foto, Juna Kule
Në foto, Juna KuleFotografi: DW

Junës i kujtohet ende një pikturë e piktorit post- impresionist francez,  Paul Gauguin (Pol Gogén) me titull : nga vijmë, kush jemi, ku shkojmë. Ishte e vogël atëherë dhe nuk e mendonte se një ditë do të ndodhej edhe vetë përballë kësaj pyetje. Te individi migrant ajo bëhet edhe më e mprehtë sepse pyetja ekzistencialiste që bën Gauguin-i, ndërthuret me elementin kohë dhe hapësirë. Migrimi nuk është thjesht një levizje nga vendi A në vendin B, por në radhë të parë një aventurë kulturore e sociale.

Juna ka ardhur në Gjermani në moshë shumë të re, 18 vjeç. Ishte viti 1997. Atëherë në Shqipëri dukej sikur te gjitha horizontet ishin të mbyllura. Pasiguri e gjithanshme, ekonomike, sociale dhe politike. Vendi kishte dalë nga një sistem izolimi dhe kishte hyrë në një sistem kaosi. Në atë moshë ajo ndjen se nuk kishte kohë për të humbur derisa të përmiresoheshin gjërat, ndaj hidhet në:

„Kërkim për rregull social dhe norma jetese të civilizuara. Kjo ishte  “my own persue of happiness”. Të rritesha duke përjetuar një proces transformimi sipas një kodi për të cilin kisha dëgjuar se ishte mjaft i civilizuar.”  



Sfida e transformimit

Edhe pse Juna kapi shansin,  menjëherë i doli përpara sfida, sfida e transformimit. Shumë i ndihmoi fakti që ishte në moshë fare të re, me koncepte ende të pa formuara për jetën. Shumicën e gjërave do t’i mësonte nga fillimi dhe nuk do t’i duhej që për çdo gjë të re që mësonte të braktiste një të vjetër. Që në fillim Gjermania i ofroi asaj  atë që kërkonte: rregullin, disiplinën, nivelin e lartë të organizimit të punëve.

“Unë nuk kisha kërkesa të ekzagjeruara, motivi i largimit tim ishte shmangia e kaosit dhe atë motiv  e realizova sapo shkela në Gjermani. Pjesa tjetër rrodhi shumë natyrshëm.”

Gjermania kishte gati një sistem të mirë ofertash, sidomos për të rinjtë. Studien College,  pastaj  mundësi  për të vazhduar shkollën, mundësi për punë të thjeshta për të siguruar një minimum jetese. Juna  e pranoi me entuziazëm atë realitet dhe i ndoqi të gjitha shkallët. Ajo përveç që studion romanistikën në Universitetin e Bonnit,  një pjesë të kohës punon edhe si mësuese pianoje dhe e gjuhëve të huaja:

“Tashmë kanë kaluar 15 vjet. Ja ku jam. Një shqiptare që të paktën mundi të kalojë me sukses sfidën kryesore: atë të integrimit në shoqërinë gjermane. Ndjehem po aq gjermane sa edhe shqiptare. Ndjehem komode në të dy vendet.”

 “Rizbulimi”  i vendit të origjinës

Por pjesa gjermane e kulturës nuk  zëvëndësoi thjesht pjesën shqiptare të saj. Ajo u mbivendos duke e ndihmuar Junën të zbulojë edhe elemente të mrekullueshme të shoqërisë dhe të kombit të saj.

“Mund të them se,  nëpërmjet “tools” që më dha kultura gjermane, unë munda ta zbuloj më mirë vendin tim dhe ta forcoj dashurinë për të.  Nuk kam më frikë nga ndeshja me kulturat e ndryshme sepse kam mësuar të fokusohem tek vlerat morale të individit.”

Në këtë kuptim “rizbulimi”  i vendit të origjinës detyrimisht i forcon lidhjet me të.  Në Shqipëri Juna shkon sa herë që i jepet rasti dhe vazhdon vëzhgimin e shoqërisë së atjeshme. Madje, për këtë qëllim ajo bëri, siç shprehet, edhe një eksperiment: u fut në një edicion të Big Brother Albania. Aty Juna  vërjeti se  dinte se çfarë të kërkonte nga individët, vlerat e tyre si njerëz, integritetin moral.

“Mendoj se njerëzit me integritet ndodhen kudo dhe kjo më gëzon. Në Shqipëri ka shumë të rinj të tillë.  Ajo që më hidhëron është se ata ende nuk janë shumë në sferën politike dhe të qeverisjes.”

Po aq gjermane sa edhe shqiptare
Po aq gjermane sa edhe shqiptareFotografi: DW

Koncepti për nostalgjinë

Tani Juna ka arritur një moshë ku ekzaktësisht gjysma e jetës së saj 32 vjecare , gjysma më e mirë e saj, ka kaluar në tokën gjermane.

“Mund të them se këtu unë u formova si individ i ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat e mia si qytetare. Këtu mësova të vlerësoj edhe kulturat e tjera përfshirë edhe atë të vendit tim. Tani jam në gjendje t’i mbaj fort lidhjet me njerëzit e mi sepse i shoh ato si pasuri  të pazëvëndësueshme. Integrimi në jetën gjermane më krijoi aftësinë për t’u “riintegruar” me jetën dhe njerëzit në vendin tim.” 

Tani Juna nuk mund të thotë  se i mungon ndonjë gjë specifike nga Shqipëria.

“Është vetëm një proces i natyrshëm malli për njerëzit dhe vendin me të cilin të lidh një pjesë e jetës. Gjithçka është në plan njerëzor, debolesa të zakonshme individuale.  Asgjë nuk ka lidhje me të ashtuquajturën “kombësi”. Gjithçka ka lidhje me marrëdhëniet njerëzore. Kur gjen njerëz me të cilët ndan të njëjtat mendime dhe ke psikologji të përbashkët, nuk ka rëndësi se ku ndodhesh kur komunikon me ta. Sot interneti, telefoni dhe “easy travelling” i kanë ndryshuar konceptet për nostalgjinë. Nuk mund të flitet më për nostalgji “për atdheun”, aq më tepër kur ndjehesh e integruar plotësisht në shoqërinë e vendit ku jeton.  Mendoj se, vetëm ata që nuk kanë mundur të integrohen, i drejtohen fjalës “nostalgji” si strehë e fundit para se të kalojnë në dëshpërim fatal. Në Evropën e sotme nuk ka vend për romantizëm folklorik.”

Superteaser Großbildteaser ### Achtung, nicht für CMS-Flash-Galerien! ### Juna Kule, Porträt. Foto für ein Sonderprojekt der Albanischen Redaktion. Foto:DW/Esat Ahmet, September 2011
NO FLASH Juna KuleFotografi: DW



Sfidat e jetës së përditshme

Përgjithësisht  si migrante Juna ndjen se bën pjesë ndoshta në grupin e rasteve “pa trauma”.  S’ka dhimbje e derte të mëdha. Ka vetëm përpjekje të zakonshme për të përballuar sfidat e jetës së përditëshme, thotë ajo:

“Në këtë kuadër, kam bërë punë nga më të ndryshmet krahas shkollës…. Aty janë edhe pasiguritë për të nesërmen, në kuptimin e vendit të punës etj. Por kjo nuk është vetem nje sfidë për emigrantët. Kjo është edhe për gjermanët. Integrimi është edhe integrim në sfida e probleme dhe jo vetëm në gjërat parimore të përgjithëshme. Ky është realiteti dhe unë nuk e kam të vëshirë ta pranoj. Madje mund të them se kam një avantazh: duke e përvetësuar mekanizmin e integrimit, duke pasur kulturën e duhur dhe duke njohur mirë disa gjuhë të huaja, mund të vazhdoj “my pursue of happiness” edhe diku tjetër.“

Megjithatë pyetja e Gogenit mbetet: Nga vimë, kush jemi, ku shkojmë? Dhe një migrante si Juna  është në gjendje të japë vetëm një pjesë fare të vogël të përgjigjes: sipas saj pyetja nuk ka të bëjë me vendin dhe kulturën:

„Edhe sikur bota të ishte një shtet i vetëm, përsëri ajo pyetje do të mbetej, madje do të tingëllonte më e fortë akoma.  Të paktën unë kam mundësinë që këtë pyetje t’ja bëj vetes në gjermanisht, edhe nga pozicioni i ekzistencializmit gjerman! Nëse ky fakt mund të quhet avantazh i integrimit, për këtë nuk jam e sigurtë….“


Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora