1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Johhanes Hahn: Marrëveshja e MSA-së Kosovë-BE në pranverë

Bekim Shehu18 Shkurt 2015

Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, këshilloi autoritetet në Prishtinë që të bëjnë më shumë për kontrollin e kufirit dhe t'i bindin qytetarët që po migrojnë, se nuk mund të fitojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian.

https://p.dw.com/p/1Edl9
Johannes Hahn bei Atifete Jahjaga in Prishtina
Fotografi: DW/B. Shehu

Komisioneri i Bashkimit Evropian, për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, tha në Prishtinë (18.02)se BE-ja dhe Kosova në pranverë mund ta nënshkruajnë marrëveshjen e stabilizim asocimit (MSA), mirëpo hyrja në fuqi e saj me gjasë do të kërkojë shumë kohë. Këto komente, Johannes Hahn i bëri gjatë një vizite, që ralizoi të merkurën në Kosovë, ku takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit. Temat kryesore të bisedave në këto takime ishin, perspektiva evropiane e Kosovës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, fenomeni i migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, si dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Johannes Hahn, tha se "është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme, që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal. Përmbushja e kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve", ishte i prerë në deklarimet e tij komisioneri Johhanes Hahn. Komisioneri i BE-së, viziton Kosovën për herë të parë qëkurse ka marrë këtë post. Ai siguroi autoritetet e Prishtinës se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën. "Bashkimi Evropian, do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në përkrahjen e Kosovës. Reformat ekonomike janë prioritet numër një dhe ne shohim përkushtim të qeverisë në këtë drejtim. Migrimi e bën të qartë nevojën e investimeve në Kosovë për të krijuar vende pune", tha Johannes Hahn.

Ai këshilloi autoritetet në Prishtinë se duhet të bëjnë më shumë në kontrollin e kufirit dhe t'i bindin qytetarët që po migrojnë, se nuk mund të fitojnë azil në vendet e Bashkmit Evropian, përmes migrimit të paligjshëm.

Komisioneri i Bashkimit Evropian, për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që vazhdojnë dialogun dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura, sepse përparimet e të dyja vendeve drejt BE-së, do të varen pikërisht nga zbatimi i marrëveshjeve në këtë dialog. Komisioneri Hahn në Prishtinë foli edhe për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën. Ai tha se institucionet e Kosovës duhet të përgatisin legjislacionin dhe ndryshimet kushtetuese para se të themelohet kjo gjykatë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga ana e saj, e siguroi komisionerin Hahn, se "institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit", duke theksuar në të njetën kohë që "Kosova ka nevojë për një përkrahje më të madhe nga BE-ja, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës". Sipas presidentes Jahjaga, "Kosova duhet të trajtohet nga BE-ja në mënyrë të ngjashme sikurse edhe të gjitha shtetet e tjera, në kuadër të perspektivës evropiane për rajonin".

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e siguroi Komisionerin Johhanes Hahn, se Kosova do të jetë e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përderisa do të angazhohet për reforma dhe zhvillim të qendrueshëm ekonomik. Kryeministri Mustafa, kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian duke u fokusuar në këtë fazë në dy procese të rëndësishme, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizimi Asociimit dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. "Për këto dy procese, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Brukseli", tha kryeministri Isa Mustafa.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës pa përjashtim siguruan komisionerin e Bashkimit Evropian, për politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, se Kosova është e gatshme t'i presë dhe t'u garantojë siguri dhe të ardhme të gjithë personave që u larguan jashtligjshëm nga Kosova.