1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo obligim juridik - Vendet anëtare të BE-së miratojnë paktin e imigrimit

Henn, Susanne / Bruksel17 Tetor 2008

Në kuadër të samitit të tyre të krizës financiare krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian miratuan në Bruksel edhe „Paktin Evropian mbi Imigrimin dhe Azilin“.

https://p.dw.com/p/FcFG
Imigrantë të paligjshëm në brigjet e FrancësFotografi: AP

Politika e migrimit e Bashkimit Evropian është një ushtrim ekuilibri: Nga njëra anë për arsye të numrit në rënie të popullsisë Evropës i duhen imigrantë, në të njëjtën kohë duhet luftuar me sukses migrimi i paligjshëm. „Pakti Evropian mbi Imigrimin dhe Azilin“ konsiderohet si projekt prestigji i presidentit francez Nikola Sarkozi dhe ishte fillimisht në krye të agjendës së kryesisë franceze në BE.


Pakti i migrimit i miratuar tani përmbledh qartë vendime tashmë të marra të Bashkimit Evropian, por pothuajse nuk përmban elementë të rinj. Në të qeveritë e shteteve të veçanta shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar më mirë në të ardhmen në fushat e migrimit për punësim, azilit dhe të riatdhesimit. Për këtë ministri i jashtëm i Maltës Tonio Borsh:


„Është një dokument, por i rëndësishëm dhe ne do të jemi tejet vigjilentë që ky pakt të ndiqet nga vepra; dhe le të shpresojmë që vitin e ardhshëm të shohim disa rezultate. Kjo nuk do të thotë që me këtë zgjidhet problemi i imigrimit. Nuk duhet menduar që ky pakt është një mjet që shëron gjithçka.”


“Pakti Evropian mbi Imigrimin dhe Azilin” trajton në 15 faqe gjithsej pesë fusha veprimi: Imigrimin e ligjshëm, imigrimin e paligjshëm, kontrollet e kufijve, politikën e azilit si dhe marrëdhëniet me e Bashkimit Evropian me vendet e treta. Konkretisht për një kategori njerëzish kjo do të thotë mundësi më të mira për një vend pune në Evropë, për të tjerët më shumë frikë prej riatdhesimit. Në kthimin e imigrantëve të paligjshëm në të ardhmen Bashkimi Evropian synon të bashkëpunojë më ngushtë me

vendet e prejardhjes dhe në të njëjtën kohë të intensifikojë kontrollet në kufijtë e vet të jashtëm.


Mosmarrëveshje pati në prag të takimit në lidhje me dhënien e dokumentave të qëndrimit imigrantëve të paligjshëm. Franca donte ta dënonte qartë në tekst këtë praktikë, por me kërkesë të qeverisë spanjolle paktit i është hequr gjuha e ashpër në këtë pikë.


Megjithatë do të jetë i nevojshëm një bashkërendim më i ngushtë, sepse vetëm rregulla kombëtare migrimi nuk kanë më kuptim në Bashkimin Evropian. Një shembull: Në shtetet e hapësirës Shengen ekziston liri lëvizjeje pa kontrolle pasaportash. Përveç kësaj në Bashkimin Evropian dorëzohen pothuajse dy të tretat e kërkesave për azil në mbarë botën. Vetëm vitin e kaluar ato ishin më shumë se 220.000. Por kriteret e pranimit brendapërbrenda BE-së janë të ndryshme: Kështu mund të ndodhë që një azilkërkues të refuzohet në një shtet anëtar, por të

pranohet në një tjetër. Për eurodeputeten liberale Zilvana Koh-Merin pakti i migrimit nuk shkon aq larg sa duhet:


„Ne vëmë re që çdo vend bën politikën e vet, për shembull në legalizimin e njerëzve që deri tani jetojnë jo me dokumenta të mjaftueshme në një vend; deri tani nuk ka as një politikë të përbashkët, të drejtuar migrimi për njerëz që na duhen për imigrimin e kualifikuar: të gjitha këto të paktën mund të kishin filluar të merrnin përgjigje, por përgjigjet mungojnë.“


Një pikë e rëndësishme: „Pakti Evropian mbi Imigrimin dhe Azilin” është jodetyrues në aspektin ligjor. Politikisht kjo as nuk do të kishte qenë e realizueshme. Përgjegjës për politikën e migrimit migrimit mbeten edhe në të ardhmen shtetet e veçanta anëtare.