1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jetë mes rrënojash - Portrete nga Rripi i Gazës

Tanja Krämer13 Tetor 2014

Gjatë luftës së Gazës u shkatërruan 20.000 shtëpi. Në shumë vende Rripi i Gazës të kujton një peizazh hëne. Disa familje rrëfejnë për Deutsche Wellen luftën që bëjnë për të mbijetuar.

https://p.dw.com/p/1DUto
Fotografi: DW/S. al Farra

Sirham Tanira, 26 vjeç

Para luftës Sirhami, vajza e saj Jodi dhe bashkëshorti Ahmad jetonin në një pallat shumëkatësh në qendër të Rripit të Gazës, disa ditë para fundit të luftës, ai u shkatërrua plotësisht nga sulmet ajrore izraelite. Tani ata jetojnë me qira në një banesë të vogël të të afërmve. Sirhan rrëfen se arritën t'i gjenin mes rrënojave tapitë e tokës që kishin në Ashkelon (Izraelin e sotëm), nga i cili familja iku në vitin 1948. Tapitë mbajnë datën e vitit 1943. Por dokumentet më të rëndësishme ndodhen diku në rrënoja. Pasaportat, kartat e identitetit dhe as çertifikatat e lindjes nuk u gjendën. Çdo ditë, thotë Sirhan kur më duhet ndonjë dokument e kuptoj se "ka pasur edhe një kohë kur kishim një jetë private dhe një shtëpi. Por tani çdo gjë është zhdukur. Mbetet të presim se si do të zhvillohet situata politike. Vetëm pas kësaj mund të them se ç'pamje do të ketë e ardhmja."

Ahmed Tanira 30 vjeç

Edhe bashkëshorti i saj Ahmed ndodhet në një gjendje pritjeje. Tema më e rëndësishme aktualisht: Do të ketë rindërtim apo jo? Për Ahmed Tanirën kjo është tema më e rëndësishme. Megjithatë ai nuk e fsheh një ndjenjë pesimizmi: "Tani jam 30 vjeç, sa herë kemi thënë që e ardhmja do të jetë më e mirë, punët kanë shkuar më keq. Unë jam një njeri paqësor. Nuk bëj pjesë në asnjë grupacion politik, dhe as nuk e kisha menduar se kjo do të na ndodhte. E ardhmja e Gazës është e errët, është rënduese. Tani do të thoja se e ardhmja jonë është e lidhur ngushtë me atë se çfarë do të dalë nga konferenca për rindërtimin në Kajro."

Familja Tanira në Rripin e Gazës
Familja Tanira në Rripin e GazësFotografi: DW/T. Krämer

Mohamed Ali 23 vjeçar

Mohamed Ali është i papunë. Në familjen e inxhinierit, gjendja është po ashtu e rëndë. Shtëpia e tij është shkatërruar, Mohamedi jeton me nënën dhe motrat e vëllezërit në një banesë me qira në Qytetin e Gazës. Ai rrëfen se mundi të merrte vetëm një palë pantallona dhe një këmishë me vete. "Siç e shihni këtu, gjithçka është shkatërruar, kjo pamje thotë gjithçka, nuk ka nevojë të flasësh. Ata që janë në një gjendje më të mirë kanë marrë shtëpi me qira, të tjerët janë kthyer në shtëpitë e shkatërruara, janë përpjekur të meremetojnë ç'të mundin, që të mund të jetojnë. Kam marrë shtëpi me qira dhe paguaj për këtë gati 300 euro në muaj."

Mohamedi në shtëpinë e tij të shkatërruar
Mohamedi në shtëpinë e tij të shkatërruarFotografi: DW/T. Krämer

Për të siguruar një minimum jetese, Mohamedi ka shpenzuar deri tani 1.400 euro vetëm për një frigorofer, lavatriçe dhe dyshekë. Prej dy vitesh nuk kam punuar thotë ai dhe i duhet ndihmë. Për të ardhmen ai mendon se duhet jetur një zgjidhje afatgjatë, njerëzit duhet të kenë punë, ushqim, por para së gjithash duhet të jetojnë në siguri.

Rabia El Kafaran 37 vjeçare

Rabia vjen nga Beit Hanun. Ajo jeton me fëmijët në një çadër para shtëpisë së shkatërrar në verilindje të Rripit të Gazës. Vajza i lindi pak para se të fillonte lufta. Rabia arriti të merrte vetëm dyshekët, gjithçka tjetër u shkatërrua. "Shikojeni këtë situatë, kjo është gjendja ku jetojmë. Nuk kemi as mundësitë më të vogla të higjienës, edhe larja e duarve kthehet në problem. Ka kaluar muaji i katërt pas luftës dhe gjendja nuk është përmirësuar. Katër ditë pas lindjes së vajzës m'u desh të vrapoja me foshnjen në krahë. Një djalë shkon në shkollë, tjetri në kopësht, si mund të mësojë ai në këtë çadër. Ka njerëz këtu që ende nuk kanë rindërtuar shtëpinë nga lufta e fundit. Tani sërish shkatërrim. Mua më mbetet vetëm të shpresoj tek fuqia e zotit, të më japë forcë dhe ngushëllim. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëj."

Rabia me fëmijët e saj
Rabia me fëmijët e sajFotografi: DW/T. Krämer

Mousa Heles 50 vjeç

Ai jeton me familjen e tij në hapësirat e shtëpisë që nuk u prek nga shkatërrimi. Mousa me gjashtë fëmijë ka punuar si punëtor ndërtimi, deri kur filloi intifada e dytë. Që nga ajo kohë ai ende nuk ka gjetur punë. Në shtëpinë ku jeton tani jeta është bërë shumë e vështirë. Por për njeriun thotë ai është shumë e rëndësishme të ketë një strehë të tijën. "Ashtu si njerëzit në Poloni, Rusi apo Gjermani, a nuk duam të gjithë të njëjtën gjë? Dhe kur e humb atë, çfarë mbetet? Kjo nuk mund të quhet jetë. Por me shpresën e zotit gjendja do të përmirësohet. Nga qeveria e unitetit kombëtar unë nuk pres asgjë. Situata këtu është shumë e vështirë dhe e zhytur në varfëri. Nuk ka rrymë elektrike, ujë, nuk ka kushte për një jetë normale. Më vjen keq ta them, por kjo është një jetë qensh. Nuk e di se kur dhe si do ta ndërtojë shtëpinë. Izraelitët lejojnë vetëm hyrjen e produkteve të caktuara, çeliku dhe çimentoja nuk lejohen. Si do të mund ta rindërtoj apo rinovoj shtëpinë?"

Mousa Heles
Mousa HelesFotografi: DW/T. Krämer

Jamalat El Kafarna 37 vjeç

Familja e Jamalatit jeton në katin përdhes të shtëpisë së shkatërruar në Beit Hanun. Jamalat ka studiuar për anglisht në Universitetin e Islamik, por ende nuk ka gjetur punë. Gjendja është shumë e vështirë thotë ai.

Portraitserie über Familien aus Gaza Garmalat
Fotografi: DW/T. Krämer

"Kjo nuk është jetë. Kur u kthyem pas lufte, pamë përmasat e shkatërrimit. Shtëpia është e shkatërruar, por nuk kemi para të shkojmë diku tjetër që të marrim një shtëpi me qira. Prandaj qëndrojmë këtu, por nuk është e sigurtë. Vëllai tjetër ka fëmijë dhe nuk mund të jetojë këtu, sepse thotë se çatia mund të bjerë. Të shpresojmë që të vijnë ndihma nga OKB."