1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jens Stoltenberg, shef i i ri i NATO-s

Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti31 Mars 2014

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord që ish Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg të jetë shefi i ardhshëm politik i Aleancës.

https://p.dw.com/p/1BYZE
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas danezit Anders Fogh Rasmussen një skandinav tjetër do të marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Jens Stoltenberg është aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Partisë Laburiste të Norvegjisë. Ai ka qenë dy herë kryeministër i vendit të tij, herën e parë nga viti 2000 deri në vitin 2001 dhe më pas në një periudhë 8-vjeçare nga viti 2005 deri në vitin 2013. Edhe pse në zgjedhjet e vjeshtës së vitit 2013 socialdemokratët e Stoltenberg-ut dolën si partia më fortë prapëseprapë koalicioni deri atëherë në pushtet nuk arriti të sigurojë mandatet e mjaftueshme për të qeverisur vendin. Politikanja konservatore Erna Solberg morri përsipër drejtimin e qeverisë. Me rastin e pranimit të postit të kryeministres, Solberg çmoi lart sidomos rolin e veçantë që Stoltenberg kishte luajtur gjatë sulmit të Anders Behring Breivik në korrik të vitit 2011. "Ju qëndruat si një shkëmb në stuhi", vlerësoi ajo.

Prova e rëndë - Utöya

Në fakt, Stoltenberg u bë i njohur për një publik më të gjerë jashtë Norvegjisë vetëm pas vrasjes masive me mbi 70 të vdekur të Breivik në një kamp veror të të rinjve të partisë socialdemokratike në ishullin e Utöeya-s. Stoltenberg, më herët edhe vetë anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të partisë, u soll si një baba i kombit: gjithmonë qetësues, duke shprehur ngushëllime dhe reagime shumë të përmbajtura. "Ne duhet të jemi të palëkundur në mbrojtjen e vlerave tona", u shpreh ai atëherë me lotë në sy. "Përgjigja norvegjeze ndaj dhunës është më shumë demokraci, më shumë hapje dhe pjesëmarrje më të madhe politike."Javët dramatike menjëherë pas masakrës, kur Norvegjia ndodhej në qendër të opinionit publik botëror, ishin provë e rëndë politike për Stoltenberg-un, të cilën ai sipas vlerësimeve të përgjithshme e kaloi me notë të lartë.

Prova e rëndë - masakra e Utöya-s
Prova e rëndë - masakra e Utöya-sFotografi: picture-alliance/dpa

Nga kundërshtar në ithtar

Stoltenberg përveç dy mandateve të tij si kryeministër ka qenë disa herë ministër dhe sekretar shtetit në qeveri të ndryshme, por asnjëherë në departamentin e mbrojtjes. Përveçse si anëtar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes në fillim të viteve '90 ai nuk ka ndonjë lidhje tjetër me politikën e mbrojtjes dhe çështje të Natos. Dhe nëse po, atëherë më tepër në aspektin negativ. Për shkak se Stoltenberg kur ishte i ri ishte kundër anëtarësimit të Norvegjisë në NATO. Por më vonë ai ndryshoi mendje dhe pastaj ndihmoi që Forumi rinor socialdemokrat të pranojë edhe zyrtarisht anëtarësimin e Norvegjisë në NATO. Më vonë, si kryeministër, ai ka mbështetur operacionet ushtarake ndërkombëtare. Norvegjia ka marrë pjesë si në misionin në Afganistan ashtu dhe në ndërhyrjen ushtarake në Libi.

Sfidë - Rusia

Megjithatë, Jens Stoltenberg do të jetë më shumë një shef i Nato-s me orientime politike se sa ushtarake, beson Harald Stanghelle nga e përditshmja më e madhe norvegjeze 'Aftenposten': më tepër sekretar se gjeneral, shprehet gazetari. Stanghelle thotë se Stoltenberg tashmë ka kontakte të mira me shumë liderë të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, duke përfshirë këtu Obama-n, Merkel-in dhe Cameron-in. Franca gjithashtu e mbështet norvegjezin. Ndër sfidat e tij më të rëndësishme padyshim që do të jetë kriza me Rusinë. Aneksimi rus i gadishullit të Krimesë konsiderohet si pika më e ulët në marrëdhëniet mes NATO-s dhe Moskës që prej ndërhyrjes sovjetike në Çekosllovaki në vitin 1968. Edhe para shpërthimit të konfliktit të fundit, sidomos amerikanët kanë paralajmëruar aleatët evropianë të NATO-s që të ndajnë më shumë mjete për fushën e mbrojtjes. Kjo kërkesë tani është edhe më e zëshme. Megjithatë Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm Stoltenberg ka arritur një rekord të mirë në këtë drejtim: ndërsa pjesa më e madhe e anëtarëve të aleancës kanë reduktuar shpenzimet e tyre të mbrojtjes, Norvegjia i ka rritur ato në kohën sa Stoltenberg ishte kryeministër. Në këtë mënyrë: pikërisht njeriu që në vitet e tij të rinisë ishte kundër NATO-s do të mbajë së bashku këtë aleancë në të ardhmen.

Në foto: Jens Stoltenberg dhe Angela Merkel
Në foto: Jens Stoltenberg dhe Angela MerkelFotografi: Getty Images