1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-kancelari Gerhard Schröder në jubileun e 70 vjetorit të lindjes

Volker Wagener / Auron Dodi7 Prill 2014

Ai e reformoi Gjermaninë dhe krijoi me këtë kundërshtarë. Ai i tha "jo" fushatës së Irakut të SHBA, gjë që i solli lëvdata. Gerhard Schröder, shtatë vjet kancelar, mbush 70 vjeç dhe mbetet i diskutueshëm.

https://p.dw.com/p/1BdSo
Gerhard Schröder 18.09.2005 Berliner Runde
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai kishte gjithmonë diçka irrituese. Për vizioner, siç ishte Willy Brandt-i, Gerhard Schröderi nuk përshtatej. Sepse u shndërrua shumë shpejt nga përmirësues i botës në përfaqësues të realpolitikës. Ai nuk qe në gjendje as të tregontes një autoritet të bazuar në kompetencë, si Helmut Schmidt-i. Por kancelari i tretë socialdemokrat ishte në gjendje t'i realizonte qëllimet. Dhe me këtë Schröderi dallohej nga Brandt-i dhe Schmidt-i.

Disa që e njohin nga afër flasin madje për një karizmë të agresionit. Edhe gjëra të tjera të binin në sy tek ai. Mediet e quanin shok partie të bosëve, megjithëse ai vjen nga shtresa shumë të varfra. Si socialdemokrat, Schröder-it i mungojnë "gjenet sociale", mendojnë shumë në SPD.

Një karrierë socialdemokrate

Fëmijëra, rinia dhe vitet e studimit të Gerhard Schröder-it janë prej asaj lënde, prej së cilës shkruhen gjithmonë historitë e socialdemokratëve që bëjnë karrierë lart. Shkurt: ai nuk kishte asnjë shans, por ai e shfrytëzoi atë.

Familja e tij ishte tepër e varfër. Vetë i tetë i ndanin ata në vitet e pasluftës 30 metra katrorë. Sallami mbi bukë mungonte dhe rrobat vinin vetëm nga kisha. Të atin ai nuk e pa kurrë, sepse ai u vra në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Rumani.

Në moshën 14 vjeçare ai nis punën si çirak në një dyqan porcelani. Por ai do më shumë. Maturën e bën në kuadër të sistemit dual. Ditën ai punon - natën mëson. Ai studion për shkenca juridike dhe ndërkohë është bërë anëtar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD.

Deutschland Gerhard Schröder wird neuer Juso-Vorsitzender 1978
Gerhard Schröder zgjidhet në vitin 1978 kryetar i të rinjve socialdemokratëFotografi: picture-alliance/dpa

Meqënese ka arritur shumë lart, ai e njeh situatën në tabanin e shoqërisë, dhe i pëlqen të shijojë të treguarit si njeri kundër rrymës. I pëlqejnë sallami me kërri dhe birra nga shishja në këmbë. Ndërsa kostumet e shtrenjta, këpucët me porosi, purot e shtrenjta nuk janë kontradiktë për Schröder-in.

Ai nuk e ka frikë të panjohurën, kur nisi në 2003 reformën "Agjenda 2010", me të cilën u reduktuan shërbime të shtetit dhe prej individit u kërkua më tepër përgjegjësi. Që pikërisht një socialdemokrat e reformoi shtetin social, i solli atij kundërshtarë të ashpër, para së gjithash nga radhët e partisë së tij. "Ose modernizojmë, ose do të na modernizojnë", ishte motoja e tij.

Qeveria e koalicionit me ekologjistët e drejtuar nga Schröder-i zbuti rregullimin për ndalimin e pushimit nga puna, ashpërsoi kërkesat për të papunët, bashkoi ndihmën për të papunët me ndihmën sociale. Një kurë dobësimi, e cila e ndryshoi për mirë tregun e punës në Gjermani. Brenda tri vjetësh, numri i të papunëve u ul nga pesë në tri milionë. Por shumë pjesë të SPD u ngritën në kundërshtime, para së gjithash sindikatat. Schröder-i i vazhdoi reformat. Me sukses. Në vitet që pasuan të krizës së ekonomisë botërore, Gjermania u tregua më stabile se ekonomitë e tjera popullore. Që atëherë politika e Schröder-it konsiderohet si model - për shembull për Francën.

Irak Jo, Kosovë Po! - Politika e jashtme e Schröder-it

Nëse reformat e tij u shoqëruan nga protesta të mëdha të popullit, Jo-ja e Schröder-it për një pjesëmarrje gjermane në fushatën e SHBA-së kundër Irakut ishte në përputhje me klimën në Gjermani. Që atëherë Gjermaninë nuk e perceptojnë më si aleat pa fjalë të SHBA-së. Krejt ndryshme ishte rruga që ndoqi Schröder-i në konfliktin e Kosovës. Për herë të parë një qeveri gjermane dërgoi ushtarë gjermanë në kuadër të Natos në luftë. Një thyerje tabuje. "Kurrë më luftë" u kthye në "kurrë më Auschwitz". Me këtë, Schröder-i e shkeli parimin e kohës së Helmut Kohl-it, sipas të cilit ushtarët gjermanë nuk duhet të shkojnë kurrë në misione atje, ku kanë qenë agresorë ose pushtues në Luftën e Dytë Botërore. Ky aksion ishte i diskutueshëm dhe mbetet i tillë.

Politika e Shröder-it ishte në shtatë vjetët dhe 27 ditët e saj e karakterizuar nga pavarësia prej dogmës së ngurtë deri atëherë të lidhjes me Perëndimin. Ajo ishte më tepër se përpjekje për t'u bërë më në fund shtet sovran. Ai u tregua pa rezerva solidar me SHBA-në pas atentateve terroriste të shtatorit 2001 dhe dërgoi ushtarë në Afganistan. Në Irak ai refuzoi t'i ndjekë pas amerikanët. Sidoqoftë, politikës së jashtme gjermane ai i vuri vulën e tij për sa kohë qëndroi në post.