1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iranit i duhet zbutja e shpejtë e sanksioneve.

Matthias von Hein31 Mars 2015

Dymbëdhjetë vjet zgjat grindja për programin bërthamor iranian. Deri të martën mbrëma duhet të arrihet marrëveshja për shmangien e bombës bërthamore iraniane. Ç'do të thotë kjo për Iranin, shpjegon për DW Walter Posch.

https://p.dw.com/p/1Ezna
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Smialowski

Në Liqenin e Gjenevës ka hyrë në raundin e fundit pokeri i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë nga njëra anë dhe Iranit ë anën tjetër. Deri të martën në mbrëmje delegacionet kanë kohë për të zgjidhur çështjen, se si mund të sigurohet që Irani ta përdorë energjinë bërthamore për qëllime civile, pa mundur të zhvillojë armë bërthamore. Teherani gjithmonë e ka mohuar synimin për të zhvilluar armë bërthamore dhe kërkon si kompensim heqjen e sanksioneve ekonomike perëndimore. Se çfarë pasojash do të ketë për Iranin përfundimi i suksesshëm i negociatave, shpjegon në intervistë me DW studjuesi austriak i Iranit, Walter Posch.

DW.DE: Le të supozojmë se do të arrihet një marrëveshje dhe në këtë mënyrë edhe heqja graduale e sanksioneve. Si do ndikonte kjo në politikën e brendshme të Iranit?

Walter Posch: Një marrëveshje do të kishte një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në natyrën e debatit politik. Me të drejtë do të thuhej: "Shikoni, nëse jemi të moderuar, nëse argumentojmë me arsye, nëse mbështetemi në kuadrot e vjetra dhe me përvojë dhe jo një kokat e nxehta revolucionare, atëherë ne mund të arrijmë suksese me bashkësinë ndërkombëtar." Në të njëjtën kohë forcat radikale do të përpiqen me të gjitha mjetet, që të flasin keq për këtë marrëveshje dhe për të bërë të qartë se ata janë ende aty dhe jo pa rëndësi.

DW.DE: Përse dikush në Iran duhet të ketë diçka kundër, nëse vendi i afrohet më pranë Perëndimit dhe në këtë mënyrë mund të reduktohen sanksionet?

Walter Posch: Deri tani nuk ka siguri se sanksionet do të hiqen me të vërtetë. Dhe nëse po, cilat do të hiqen? Sanksionet, që janë vendosur për shkeljen e të drejtave të njeriut? Sanksionet që janë vendosur kundër gardës revolucionare? Nuk besoj!

Walter Posch, ekspert për Iranin dhe Lindjen e Mesme
Walter Posch, ekspert për Iranin dhe Lindjen e MesmeFotografi: picture alliance/APA/picturedesk.com

Ata nuk janë përzier me sanksionet bërthamore. Por, po aq e rëndësishme është që iranianët në vitin 1978 kanë bërë një revolucion antiperëndimor. Ata e kanë përmbysur shahun, sepse kanë thënë: Ky sistem i dominuar nga SHBA është i padrejtë dhe nuk na përshtatet ne. Dhe pikërisht kjo traditë ekziston akoma. Dhe këtë logjikë revolucionare iranianët nuk do ta kapërcejnë dot aq lehtë.

DW.DE: A do të mund ta pengonin në minutën e fundit forcat radikale procesin e negociatave?

Walter Posch: Këtë nuk e besoj. Këtë do të mund ta bënin, nëse arrijnë të dëshmojnë se nuk do të ketë heqje të sanksioneve, do të ketë heqje shumë të ngadaltë, ose do të jetë formuluar shumë turbull. Atëherë kundërshtarët do të kishin në dorë diçka të rëndësishme. Përndryshe presidentit Rohani i nevojitet zbutja sa më e shpejtë i sanksioneve. Që do të thotë pastaj edhe për aktorët në perëndim. Nëse marrëveshja bërthamore do të lihet të dështojë, për çfarëdo arsyeje qoftë, atëherë nuk është urgjente me heqjen e sanksioneve.

DW.DE: Nëse tani në rast të një marrëvëshjeje do të ketë lehtësim gradual të sanksioneve, sa kohë do të zgjaste, derisa popullata e gjerë të ndjejë diçka nga progresi?

Walter Posch: Kjo është e vështirë të thuhet sepse ka shumë gjëra të pasigurta. Për shembull, sanksionet prekin ndër të tjera sektorin e naftës. Edhe sikur Irani të mund të shiste përsëri naftë: çmimet në tregun e naftës kanë rënë në mënyrë dramatike. Dhe Arabia Saudite, për mendimin tim, do të kujdeset që çmimi i naftës të mbetet një herë për një herë i ulët. Këtu unë shoh gjënë më të rrezikshme në këtë proces: që zbutja e sanksionive mund të vijë shumë vonë.

DW.DE: A ka në Iran edhe përfitues nga sanktionet?

Walter Posch: Thuhet se disa grupe përfitojnë prej tyre. Ne e njohim ekonomine e sanksioneve prej ekonomivë të tjera, të cilave u janë vënë sanksione. Por më fort peshon zhgënjimi i sipërmarrësve të mesëm iranianë. Këta njerëz vetëm duan të transferojnë paratë, por kjo nuk është e mundur momentalisht. Vetëm duan të bëjnë tregti normale. Ajo që ndërkohë është kaq paralizuese në Iran, është qëndrimi pritës. Si do të jetë marrëdhënia jonë me Perëndimin? Shpresat janë shumë të mëdha, sidomos përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Do të mjaftonte, edhe në qoftë se do të lëviznin nga faza e armiqësisë në marrëdhënie vetëm të distancuara. Pritja kryesore është lehtësimi i sanksioneve. Dhe shpresohet edhe se në politikën rajonale do të zbulohen më shumë të përbashkëta me Perëndimin.

Pyetjet i bëri Matthias von Hein

Walter Posch është ekspert për Iranin dhe Lindjen e Mesme në akademinë austriake të mbrojtjes së vendit/ Instituti për sigurinë e paqes dhe menaxhimin e konflikteve