1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani lëvdon bisedimet atomike

aud/cw/ wl (rtr, dpa)20 Mars 2014

Pas raundit të dytë të negociatave atomike në Vjenë, Irani po përhap optimizëm. Të gjithë pjesëmarrësit deklaruan se janë diskutuar çështje të rëndësishme. Por SHBA janë skeptike. Molla e sherrit mbetet Araku.

https://p.dw.com/p/1BSzf
Raundi i bisedime per Iranin ne Vjene, 19.03.2014
Fotografi: AFP/Getty Images

Ishin çështje delikate ato për të cilat diskutuan partnerët e bisedimeve në Vjenë. Sipas të dhënave të së Ngarkuarës me Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton u fol ndër të tjera për reaktorin e ujit të rëndë në Arak, për çështje të pasurimit të uraniumit dhe për sanksionet - të gjitha deri tani çështje me rëndësi kyç për një zgjidhje të mundshme të programit atomik iranian.

Në vështrim të parë, duket se si Irani, ashtu edhe Perëndimi shohin një shans të vërtetë që ta zgjidhin në një të ardhme të afërt konfliktin e acaruar prej më se një dekade. E Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE i vlerësoi bisedimet si të rëndësishme dhe me rëwndësi substanciale. Një nëpunës i lartë i qeverisë së SHBA tha se mirëkuptimi për pozicionet e secilës nga palët është rritur në mënyrë të dukshme. Dhe pala iraniane përhap optimizëm.

Deri në korrik duhet të jetë arritur marrëveshja

Në bisedimet atomike marrin pjesë krahas Iranit, pesë fuqitë me të drejtë vetoje në OKB- SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe - si dhe Gjermania. Në nëntor, partnerët e negociatave arritën një dakordim të parë, për të fituar më tepër kohë për bisedime të tjera: Irani heq dorë nga një pasurim më i lartë i uraniumit, në një kohë që zbuten disa sanksione.

Teherani kërkon dakordim të shpejtë

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamed Xhavad Sarif deklaroi se negociatat duhet të kenë përfunduar deri në afatin e 20 korrikut. Edhe Presidenti i Iranit, Hassan Rohani u tregua në Teheran i kënaqur me rezultatet. Ai shpreson se me dëshirë të mirë grindja atomike do të jetë eleminuar shumë shpejt. Objektivi duhet të jetë, "si ruajtja e programit paqësor atomik në kuadër të direktivave ndërkombëtare, ashtu si edhe eleminimi i shqetësimeve të bashkësisë ndërkombëtare", tha Rohani.

Por ky optimizëm frenohet nga ana e SHBA. Qarqe amerikane thanë se do të jetë e vështirë arritja e një dakordimi. Pikëpamjet e palëve për çështjen e reaktorit të Arakut janë larg njëra-tjetrës, tha një person i brendshëm i rangut të lartë.

Perëndimi e akuzon Iranin se kërkon armë atomike, gjë të cilën qeveria e Teheranit e kundërshton. Veçanërisht mbajtja në punë e reaktorit të ujit të rëndë, Arak është halë në sy për Iranin. Perëndimi druhet se Irani kërkon një rrugë alternative për ndërtimin e armëve bërthamore.

Nga ana tjetër, qarqe konservatore në Iran i ndjekin me mosbesim bisedimet dhe këmbëngulin në qëndrimin se as nuk vjen në diskutim një mbyllje e Arakut. Edhe në SHBA ka skepticizëm, por në një drejtim të kundërt. Atje të martën, 83 senatorë, një shumicë e madhe mbipartiake, paraqitën kushte për rënien dakord me Iranin. Këtu bën pjesë mbyllja e Arakut.

Bisedimet që përfunduan në raund të dytë të martën, do të vazhdojnë sërish në Vjenë, prej 7 deri 9 prill.