1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Investimet gjermane në Shqipëri

18 Mars 2011

Interesi i investitorëve gjermanë për të investusar në Shqipëri dhe i investitorëve shqiptarë për të bashkëpunuar me kompani gjermane ka ardhur duke u rritur. Në Mynih zhvillohet Dita Ekonomike e Shqipërisë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/10c03
Annette Kasten, Sekretare e Përgjithshme e DIHA-s.Fotografi: DW

Investimet gjermane në logjistikë dhe infrastrukturë janë pa dyshim në krye të interesit të deritanishëm të kompanive gjermane në Shqipëri. Investimi më i rëndësishëm vazhdon të mbetet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i drejtuar nga një konsorcium ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë kompanitë gjermane HochTief dhe DEG, pjesë e grupit bankar gjerman KfW.

Annette Kasten, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës gjermane të Tregëtisë dhe Industrisë në Shqipëri, e njohur me inicialet DIHA, shoqatë që përfaqëson interesat e kompanive gjermane në Shqipëri dhe nxit bashkëpunimin ekonomik gjermano- shqiptar, thotë se interesat gjermane në logjistikë dhe infrastrukturë në Shqipëri shtrihen edhe në transportin detar dhe energji.

"Në portin e Durrësit ka një konsorcium gjermano- shqiptar ASC, Albanian- Stevedoring Company, që merret me ngarkim – shkarkimin e anijeve me një teknologji moderne. Banka gjermane KfW vazhdon të tregojë interes për projekte të mëdha në infrastrukturë, kryesisht në furnizimin me ujë të popullsisë dhe kanalizimet e ujrave te zeza. Energjia mbetet një sektor, ku kjo bankë ka financuar projekte të mëdha rajonale si linjat e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, Shqipëri - Mali i Zi dhe së fundi Shqipëri- Maqedoni. Përveç grupit bankar gjerman KfW, në Shqiperi është e pranishme edhe Banka gjermane ProCredit, që ofron kredi sidomos për ndërrmarjet e vogla dhe të mesme, SME. Këtë vit ProCredit është fokusuar në projekte për prodhimin e energjisë së rinovueshme.” - thotë Annette Kasten.

Albanien Tirana Flughafen 5 Jahre
Aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë, nga investimet më të rëndësishme gjermane në Shqipëri.Fotografi: DW

Sektorë të tjerë të interesit gjerman: shitjet me pakice, ndërtimi, prodhimi

Një sektor tjetër, ai i shitjes me pakicë të mallrave ka tërhequr investitorët gjermanë në Shqipëri. Grupi Rossmann& Lala po aplikon në tregun shqiptar filozofinë gjermane të sukseshme në këtë sektor. Në periferi të Tiranës është ngritur Praktiker, ku klientët shqiptarë mund të gjejnë gjithçka njëlloj si në Gjermani në tregun e njohur “ Bëje vetë” . Në Shqipëri ka shumë zyra arkitektësh dhe inxhinierësh, që drejtohen nga ekspertë gjermanë. Jo pa interes është edhe sektori i prodhimit: kompania gjermane Rofix prodhon materiale ndërtimi dhe kompania e mirënjohur farmaceutike Profarma është blerë nga një konsorcium gjerman, që së shpejti do të fillojë nga prodhimi.

Interesa më të mëdha

Sektori i Real Estate mbetet me interes për investitorët gjermanë në Shqipëri.

“Ne shohim të vijnë në zyrën e DIHA-s, në Tiranë investitorë gjermanë nga sektorë të ndryshëm: që nga ai i prodhimeve të qumështit, të drurit deri tek sjellja e supermerkateve gjermane me çmime ekonomike si Aldi, Lidl apo Netto, që mund të kenë sukses të madh në Shqipëri” - thotë Annettë Kasten.

Ligje të standartit europian por zbatimi çalon

Kuadri ligjor dhe adaptimi i një sërë ligjesh të standarteve europiane kanë favorizuar klimën për tërheqjen e investitorëvetë huaj, mes të cilëve edhe atyre gjermanë. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë të hapur për investime të huaja, fitimet mund të riatdhesohen, ka një taksë të sheshtë prej 10% për fitimet dhe nuk ka asnjë kufizim për të blerë prona private. Por ka një hendek të thellë mes ligjeve të mira dhe zbatimit të tyre.

"Ndonëse Shqipëria ka një kadastër, ka shumë raste të mosmarrveshjeve për pronësinë e tokës, që është një sinjal shumë i keq për investitorët e huaj. Qeveria e Tiranës ka miratuar së fundi një ligj, që ajo do të marrë rolin e avokatit të biznesit të huaj për mosmarrveshje lidhur me pronësinë e tokës, por vetëm nëse është fjala për investime të mëdha deri në 10 milionë euro. Apo rasti kur edhe pse ka një sistem elektronik të pagesës së të punësuarve, duhet shkuar në zyrat e punës për të konfirmuar të punësuarit. Dhe kur duhet të mbushësh me shkrim dore, në tri kopje cdo faturë individuale për TVSh, duket se jemi ende në shek. 19-të!!" - thotë Annette Kasten, sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, DIHA.

Mangësitë që rrezikojnë ardhjen e investitorë ve të huaj nuk mbarojnë me kaq. Ka një nevojë urgjente për përmirësimin e kuadrit ligjor për ndërrmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi ato krijojnë mundësi për prodhim dhe punësim në masë të njerëzve dhe lidhen me zhvillimin e bujqë sisë dhe turizmit, dy sektorë vitalë për tërheqjen e investitorëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani