1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Internet i shpejtë për pak para?

Krieger, Olaf21 Gusht 2014

Gjermania është prapa sa i përket internetit të shpejtë. Qeveria gjermane do ta ndryshojë këtë gjendje, por se kush do të paguajë për këtë mbetet e hapur, thotë Olaf Krieger.

https://p.dw.com/p/1CyR0
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ishte një kohë kur për të blerë një biletë avioni në internet të duhej një mëngjes i tërë. Me modemin prej 56k dhe një lidhje telefonike analoge duhej shumë durim. Dhe në fund jo gjithmonë kishe sukses.

Shpesh, shumë shpesh, gjendja vazhdon të jetë e tillë, pavarësisht nga premtimet e mëdha të qeverisë gjermane për ta bërë në gjithë Gjermaninë internetin më të shpejtë.

Dhe kjo në një kohë kur lidhjet e shpejta dhe të qëndrueshme të internetit janë po aq të rëndësishme sa rrugët e mira. Por në autostradat e informacionit në Gjermani ka gjithmonë bllokim trafiku. Shumë kompani ankohen se lidhjet e tyre janë të ngadalshme. Ky është një disavantazh i vërtetë. Sidomos të mëdha janë dallimet mes qytetit dhe provincës. Dhe pikërisht në provinca gjenden shpesh sipërmarrjet e mesme gjermane që janë liderë në tregun botëror.

Qeveria federale gjermane do ta zgjerojë internetin në kuadër të agjendës së saj digjitale. Ministri përgjegjës për infrastrukturën digjitale dhe transportin Alexander Dobrindt (CSU) premton deri në vitin 2018 një internet me shtrirje të plotë, të shpejtë si rrufeja dhe me shpejtësi shkarkimi prej të paktën 50 megabit për sekondë.

Olaf Krieger
Olaf Krieger

Një plan i mirë - porse mjaft i shtrenjtë. Ekspertët e Deutsche Telekom parashikojnë se vetëm nga qeveria federale janë të nevojshme 10 miliardë euro për të siguruar një normë furnizimi prej rreth 90 për qind. Për shuma të tilla nga qeveria gjermane nuk dëgjohet asgjë fjalë. Përveç faktit se dhjetë për qindët që mbeten - pra në zonat rurale, do të kushtojnë edhe 15 miliardë euro të tjera.

Plani i Dobrindtit është në rastin më të mirë një përpjekje me gjysmë zemre. Pra është e vështirë t'u afrohemi standardeve të vendeve të tjera si Korea e Jugut, Shtetet e Bashkuara ose disa vendeve të tjera evropiane. Në zona e thella të Provencës në Francë apo në ishujt e arqipelagut të Finlandës interneti i shpejtë dhe mbi të gjitha i qëndrueshëm është një gjë e vetëkuptueshme.