1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inteligjencë kolektive për kërkimin e MH370

Fabian Schmidt / exh26 Mars 2014

Tri nëndetëse pa ekuipazh mund të vihen në kërkim të avionit të rrëzuar MH370 të shoqërisë Malaysia Airlines. Në 2009 ata patën gjetur një avion të rrëzuar të Air France në Atlantik. Një nga robotët vjen nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/1BViT
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sinjalet se avioni Boeing 777 i shoqërisë Malaysia Airlines është rrëzuar në jug të Oqeanit Indian në 8 mars 2014, po shtohen. Fillimisht pamjet satelitore treguan pjesë të mundshme të avionit rreth 2000 kilometra në perëndim të qytetit australian Perth. Më pas, në 24 mars, qeveria malajziane forcoi dyshimet ekzistuese: ajo deklaroi se agjencia britanike për zbardhjen e aksidenteve ajrore AAIB, kishte analizuar sinjalet e avionit të aksidentuar nga satelitët e operatorit Inmarsat. Edhe ato tregojnë se vendi i rrëzimit mund të ndodhet në atë rajon.

Roboti AUV Abyss
Roboti AUV AbyssFotografi: IFM Geomar

Nëse ekipet e kërkimit do të gjejnë tani edhe pjesë të avionit të cilat të identifikohen qartë si të MH370, vendi i rrëzimit mund të kufizohet edhe më shumë. Ekspertët do përpiqen fillimisht të zbulojnë se ku mund t'i kenë çuar rrymat ato pjesë që prej fatkeqësisë. Më vonë mund të vihet në punë në ekip robotësh të nënujshëm të tipit Abyss. Ky është një ekip unik në gjithë botën.

Tre puro në kërkim të përbashkët

Tri mjete autonome nënujore në formë purosh (AUVs) të këtij tipi ka në gjithë botën. Një i përket qendrës për kërkime në oqeane GEOMAR në Kiel të Gjermanisë dhe dy të tjerë instituti "Woods Hole Oceanographic Institution" në Boston (SHBA). Tri robotët me inteligjencë kolektive, janë të vetmit që mund të kryejnë kërkime sistematike deri në një thellësi 6000 metra në fundin e detit dhe ta kartografojnë atë aq në detaj sa të bëhet i dukshëm edhe një objekt me madhësinë e një kutie këpucësh.

Topografi e relievit të Atlantikut qendror realizuar nga Geomar
Topografi e relievit të Atlantikut qendror realizuar nga GeomarFotografi: IFM Geomar

Drejtori i Geomar Peter Herzig, tha për Deutsche Welle se ende nuk ka asnjë kërkesë për kërkimin e MH370, por ai ka kontaktuar tashmë me drejtoreshën e organizatës partnere në Boston. Të dy institutet janë të gatshëm të ndihmojnë me robotët e tyre Abyss.

Një ekip me përvojë nga Kiel dhe Boston

Që ata munden ta bëjnë këtë Geomar dhe Woods Hole e patën treguar në 1 qershor 2009 pas rrëzimit të avionit të Air France: rreth 2000 kilometra katrorë kartografuan tre AUV-të në dy ekspedita të ndryshme kërkimore në fundin e Oqeanit Atlantik jugor në muajt mars dhe prill të viteve 2010 dhe 2011. Në skajet e zonës së kërkimit robotët gjetën në 4 prill 2011 pjesët e kërkuara të avionit në thellësi 4000 metra.

Hartë e fundit të derit realizuar nga Geomar
Hartë e fundit të derit realizuar nga GeomarFotografi: IFM Geomar

Mësimi i nxjerrë: kërkimi mund të ketë sukses vetëm nëse shkencëtarët mund të krijojnë një përfytyrim të qartë për vendin e rrëzimit. "Nëse modelimi do të kishte qenë më i besueshëm, do të kishim kursyer ndoshta edhe shumë kohë kërkimi", thotë Peter Herzig, "por është megjithatë e habitshme që zona e kërkimit mundi të kufizohej deri në atë masë."

Harta tridimensionale

Tre robotët AUV janë të pajisur me Sidescan-Sonar. Këta janë sensorë ekometër, të vendosur majtas dhe djathtas poshtë nëndetëses, dhe që hartojnë një pamje tridimensionale të fundit të detit. Meqenëse robotët e nënujshëm janë në kontakt me njëri-tjetrin, mund ta hartojnë itinerarin në mënyrë të tillë që të plotësojnë njëri-tjetrin. Secili AUV mund të bëjë një rrugë prej 100 kilometrash në ditë me një shpejtësi prej 5 km në orë. Gjatë kësaj kohe ata qendrojnë rreth 25 deri 50 km mbi fundin e detit.

Rripi që ata skanojnë është në varësi të topografisë deri në 100 metra i gjerë. Në një interval prej 24 orësh tre AUV-të realizojnë pra rreth 30 kilometra katrorë. Më pas ata ngjiten lart dhe ia dërgojnë koordinatat e tyre një anijeje, e cila i mbledh dhe analizon të dhënat dhe e furnizon robotin me bateri të reja.

Gjatë rrugës anija mund të nisë vetëm në rast emergjence sinjale drejtimi për nëndetësen. Për fat të mirë kjo nuk është thuajse asnjëherë e nevojshme. "Ky është një aparat që ka kryer shumë misione dhe në parim mund të mbështetemi plotësisht tek ai", thotë Herzig, "por siguri 100 për qind që do të ngjitet gjithnjë në sipërfaqe natyrisht nuk ka".

Metal, gur apo sediment?

Sidescan-Sonar nuk njeh vetëm formën e truallit por edhe dendësinë e materialeve që ndodhen atje. "Para së gjithash mund të dallojmë mes materialit shkëmbor, shtresave të sedimentit, metalit apo plastikës", shpjegon drejtori i institutit.

Për gjeologun Herzig misione të tilla kërkimore kanë për këtë arsye edhe një rëndësi që shkon përtej zbardhjes së tragjedive ajrore: "Ato 2000 kilometra janë pjesa e fundit të detit me hartën më të detajuar në gjithë botën." Dhe ky ka qenë sigurisht një përfitim shkencën. "Pamë se relievi është shumë më i thyer me çarje dhe hendekë. E gjitha është shumë më e diferencuar nga sa duket kur harta të tilla bëhen nga një anije, e cila lundron katër kilometra mbi fundin e detit."

Nëse disponohen edhe informacione të tjera gjeologjike, harta të tilla të detajuara mund të ndihmonin edhe për kërkimin e mundshëm të lëndëve të para. "Vërtet në harta nuk mund të shihet direkt nëse atje gjendet thjesht material shkëmbor apo minerale metali, por sinjale për këtë përftohen shpesh nga kushtet ekzistuese përreth."

Drejtori i Geomar është në pritje të një porosie për kërkimin e MH370. Këtë kohë kolegët e tij e shfrytëzojnë për të kryer punët e nevojshme të mirëmbajtjes tek roboti Abyss në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për punë, nëse kërkesa vjen. Pas rreth pesë vjetësh punë ai pajiset për shembull me bateri të reja dhe me një çmim 330.000 euro ato nuk janë të lira.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17518201,00.html