1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imigrantët e rinj më të kualifikuar se gjermanët

Stephanie Höppner/Lindita Arapi27 Maj 2013

Imigrantët e rinj janë gjithnjë e më të kualifikuar. Nga vendet aziatike, apo nga Europa Qendrore e Lindore vijnë drejt Gjermanisë super të kualifikuar. Nga kjo përfitojnë të gjithë, thonë ekspertët.

https://p.dw.com/p/18eW4
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qyteti i lindjes së Schuo Chens është rreth 12 orë me makinë larg Shangait. Për t'i mundësuar djalit një shkollim më të mirë, familja vendosi që djali në moshën 6-vjeçare të largohej nga prindërit për të banuar tek kushërinjtë e të shkonte në njërën nga shkollat e mega-metropolit, Shangai.

Në moshën 19-vjeçare, Schuo guxoi të ndërmerrte edhe një hap tjetër, të linte rrokaqiejt e Shangait për të studiuar shkencat ekonomike në një qytet gjerman, Vorms. Sot, 35 vjeçari është drejtues i një departamenti në një firmë gjermane makinerish. Një histori suksesi, sipas ekspertëve jo edhe aq e rrallë.

Aktualisht elita kineze vjen të studiojë në Gjermani informatikë, shkenca ekonomike apo inxhinierike, shpjegon Tobias Busch, ekspert i personelit për specialistët kinezë i firmës "Personalglobal" në bisedë me Deutsche Welle-n.

"Kemi të bëjmë me një përzgjedhje të mirë të studentëve që kanë shumë zell, energji dhe vullnetin për suksesin". Ndërkohë që fëmijët e pasur të elitës politike shkojnë për studime në universitetet më të njohura të Anglisë dhe Amerikës, talentet me më pak të ardhura vijnë për studime me kosto më të ulët në Gjermani. Në Gjermani kanë jetuar e studiuar rreth 20.000-30.000 të akademikëve të rinj të Republikës së Kinës. "Nuk perceptohet shpesh, por Kina luan një rol të rëndësishëm në imigrimin në Gjermani, më shumë se sa mendohet."

Degët teknike tërheqin studentët nga Kina në Gjermani
Degët teknike tërheqin studentët nga Kina në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Rritet numri i super të kualifikuarve

Ende në Gjermani ekziston opinioni se imigrantët janë njerëz gati të pashkolluar, shprehet studiuesi i tregut të punës, Herbert Brücker. Por e kundërta është e vërtetë: I ngarkuar nga fondacioni Bertelsmann, ai përgatiti një studim. Kjo tregon se 43% e imigrantëve të rini nga mosha 15-65 vjeç kanë një diplomë mjeshtri, tekniku apo masterin - pra më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2000. Tek gjermanët pa rrënjë të huaja vetëm 26% kanë diploma profesionale apo universitare. Në të njëjtën kohë edhe numri i njerëzve me kualifikim të ulët gati është gjysmuar nga 40%- në 25%.

Por jo vetëm kinezët si i riu Chen, por edhe të shkolluar nga vendet e Bashkimit Europian dhe Europa Lindore e Qendrore duan të kenë mundësi të jetojnë në Gjermani. "Imigracioni lidhet edhe me krizën e euros", sqaron Brücker. Vendet e dikurshme si Spanja, Italia, Britania e Madhe apo Irlanda për shkak të papunësisë së lartë nuk janë më atraktive. Në bazë të statistikave të Zyrës Federale të Statistikave, vitin e shkuar kanë imigruar në Gjermani 369.000 vetë më shumë se sa kanë emigruar. Kjo është vlera më e lartë nga viti 1995.

Symbolbild Zuwanderung von Fachkräften
Fotografi: Darren Baker/Fotolia

Kapërcimi i pengesave burokratike

Numri i imigrantëve megjithatë mund të reduktohet me kapërcimin e krizës, mendon drejtuesi i fondacionit Bertelsmann Järg Dräger. Ndërkohë që Gjermania edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për fuqi të kualifikuar punëtore. "Ne kemi mungesë të fuqisë punëtore, ne jemi një popullsi në rrudhje e sipër dhe sistemet tona të sigurimit social do të destabilizoheshin, po qe se gjithnjë e më pak të rinj do të duhet të financojnë gjithnjë e më shumë të moshuar", paralajmëron ai.

Fondacioni propagandon një politikë të re imigrimi. Për super të kualifikuarit do të duhet të jepet një kartë flamuri sipas ngjyrave të flamurit gjerman "e zezë e kuqe e artë". Këtu duhet të merren parasysh profili profesional i imigrantit dhe nevoja në tregun gjerman të punës. Kjo kartë do të sigurojë leje pune e jetese pa kufij dhe synon të tërheqë më të mirët në Gjermani.

"Ne konkurrojme në të vërtetë me SHBA, Kanadanë dhe Australinë", thotë eksperti Brücker. Këto vende e kontrollojnë imigrimin përmes sistemit të pikëve. "Ne nuk kemi nevojë vetëm për korinizat ligjore - në këtë drejtim janë bërë disa hapa - ne kemi nevojë për një strategji të qartë të përthithjes së kësaj fuqie punëtore."