1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hykmete Bajrami e vë theksin tek siguria e investimeve!

Bahri Cani21 Mars 2015

Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht pa investimet e diasporës dhe kapitalit të huaj. Ndaj po krijohen kushtet për sigurinë e kapitalit. Por problemet ende janë tepër të mëdha.

https://p.dw.com/p/1Ev3S
Düsseldorf Ministerin für Handel und Industrie der Republik Kosovo
Ministrja e Kosovës për Tregtinë dhe Industreinë, Hykmete BajramiFotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zonja ministre, cili është qëllimi i vizitave tuaja të fundit në Austri, Zvicër dhe Gjermani?

Hykmete Bajrami: Në Zvicër kam pasur gjashtë takime të ndryshme me anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë, me organizata të tjera dhe përfaqësuesit e biznesve shqiptare. Më parë në Vjenë jemi takuar edhe me Unionin e Bizneseve atje. Ndërsa tani edhe me përfaqësues të bizneseve në Gjermani, në takimin e mbajtur në Dyseldorf. Ne u kemi bërë ftesë bizneseve dhe diasporës në Austri, Zvicër dhe Gjermani që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Ne po u tregojmë atyre se agjenda e kësaj qeverie është agjendë ekonomike. Zhvillimi i sektorit privat është ndër prioritetet tona më të rëndësishme, sepse jemi të bindur se gjenerimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik mund të vije vetëm nga sektori privat. Kemi nevojë shumë për investime të huaja dhe për ekspertizën e kompanive tona që kanë shënuar rezultate të mira në vendet e tjera. Investimi i tyre në Kosovë do të mundësonte prodhimin e produkteve dhe zëvendësimin e konsumit të produkteve nga importi, sepse ne kemi një bilanc shumë negativ tregtar. Qëllimi ynë është që të mundësojnë prodhimin e produkteve vendore me kualitet të lartë,  jo vetëm sa për të plotësuar nevojat tona, por edhe për depërtimin e tyre në tregjet e huaja.

DW: Ju e thatë edhe vet se Kosova ka një bilanc shumë negativ tregtar, sepse mbi 80 % e të gjitha mallrave në Kosovë vjen pikërisht nga importi. Pse ka kaq pak investime në Kosovë, cilat janë problemet kryesore me të cilat po përballen bizneset dhe ata që duan të investojnë?

Hykmete Bajrami: Pikërisht për të skanuar këto probleme ne kemi dalur në këto vizita. Po diskutojmë me të gjitha bizneset – vendore dhe të huaja – për të parë se cilat janë problemet me të cilat përballen. Ka storje suksesi, por ka edhe kompani të cilat kanë hasur në probleme të ndryshme. Problemet janë të natyrës së burokracisë, diskrecionit të zyrtarëve në administratë publike dhe injorancën e tyre për të intepretuar ligjet jo në mënyrën e duhur, por si u konvenon atyre. Ne po ndërmarrim hapa konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve. Jemi disa ministra që po merremi me zgjidhjen e këtyre problemeve dhe po kërkojmë zgjidhje imediate.

DW: Konkretisht çfarë masash jeni duke ndërmarrë për eliminimin e problemeve dhe përmirësimin e gjendjes?

Hykmete Bajrami: Varësisht prej problemeve, ne po ndërmarrin edhe masat. Jemi duke bërë rishikimin e ligjeve të pakos fiskale. Kemi një politkë shumë të favorshme fiskale në krahasim me Gjermaninë, për shembull. Ne ende po ulim taksat për të ulur barrën e bizneseve. Po punojmë në integrimin e administratës tatimore dhe doganave, në mënyrë që të ulet burokracia. Po punohet në sistemimin dhe formatizimin e punëve të inspektorëve, në mënyrë që të mos punohet mbi baza klienteliste. Por krijohen mekanizmat e monitorimit të inspektorëve doganorë dhe të administratës tatimore, në mënyrë që të gjitha punët të kryhen në bazë të ligjit. Po punojnë me prokurimin elektronik, sepse perceptimi për korrupsionin në masë të madhe vjen nga shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik. Ndaj duam të eliminojmë çdo mundësi korrupsioni. Po punohet në zgjerimin e kapaciteteve të gjykatave, në mënyrë që lëndët e natyrës ekonomike të kenë përparësi dhe të mos mbeten nëpër gjykata për një kohë të gjatë. Po punohet në zhvillimin e marrëveshjeve bilaterale për mbrojtjen e investimeve, si dhe për eliminimin e tatimeve të dyfishta. Po punohet në marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik me të gjitha vendet dhe besoj se të gjitha këto masa do të sjellin rezultate.

DW: Të ndalemi pak tek korrupsioni, sepse kjo është një prej pengesave dhe vërejtjeve më të mëdha për investime. Investorët e huaj thonë se në Kosovë nuk e kanë kapitalin e sigurt, ndaj nuk duan të investojnë dhe se politikanët janë më të korruptuarit, që dëshmojnë edhe disa studime serioze. Mendoni se jeni në gjendje të eliminoni këto probleme, pra që të eliminohet korrupsioni dhe të vendoset sundimi i ligjit?

Hykmete Bajrami: Shumë e vërtetë është që një prej problemeve kryesore për investime është pikërisht percepcioni për korrupsionin dhe vet korrupsioni. Nga ana e investorëve, korrupsioni është një prej vërejtjeve kryesore, ndërsa për ne kjo është një prej sfidave kryesore me të cilat duhet të përballemi. Ne lusim investorët që të bashkëpunojnë me ne dhe të raportojnë çdo rast të korrupsionit. Neve nuk na leverdis në asnjë formë që të kemi persona të korruptuar, sepse ata përfitojnë për vete, por dëmtojnë imazhin e institucioneve, të qeverisë, të vendit dhe të partisë, dhe nuk janë e mira e askujt. Ne do të veprojmë në të gjitha rastet e denoncimit të korrupsionit. Nuk mjafton që vetëm të thuhet se administrata dhe qeveria janë të korruptuara. Por këto vepra duhet të denoncohen. Në rast se ne nuk veprojmë, të gjitha duhet të bëhen publike dhe ne e bartim përgjegjësinë.

DW: Qeveria e Kosovës edhe më parë ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe se do të krijohen kornizat ligjore për sigurinë e kapitalit të investuar. Pse investorët duhet t'ju besojnë tani se kjo do të arrihet?

Hykmete Bajrami: Mendoj se kjo përbërje e qeverisë e ka të qartë domosdoshmërinë e sektorit privat, sepse Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht pa praninë e kapitalit të huaj, pa projekte të mëdha strategjike. E kemi të qartë që këyre investorëve duhet t'u japim garanci të kapitalit. Ne do të punojmë të gjithë së bashku që atyre t'u ofrohet siguri. Shteti nuk duhet të mbetet peng i grupeve dhe individëve. Ne jemi zotuar se do të krijojmë vende të punës dhe do të punojmë ditë e natë për të përmbushur këtë premtim.

DW: Megjithë këto premtime, qytetarët duket se nuk janë të gatshëm t'ju besojnë. Vetëm në disa muajt e fundit nga Kosova kanë ikur, sipas disa vlerësimeve, rreth 200.000 kosovarë. Si e shpjegoni këtë fenomen?

Hykmete Bajrami: Shumë e vërtetë është që ka pasur ikje masive, edhe pse numri ka rënë kohët e fundit. Ky nuk ka qenë lajm i mirë për askend. Sidomos për neve që jemi në qeveri. Mendoj se kjo ëshë pasojë e disa shkaktarëve: gjendja socio-ekonomike e më pas edhe izolimi i kosovarëve për shkak të mosliberalizimit të vizave. Normalisht ka kontribuar këtu shumë edhe hapja e kufijve nga disa vende fqinje dhe vende të tjera ku kanë kaluar. Ne po punojmë dhe po përpiqemi të dërgojmë mesazhin se qytetarët duhet të mbeten në vendin e tyre dhe jo rrugëve të Evropës. Në fakt ata edhe vetë janë bindur në këtë. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të liberalizojë vizat për kosovarët, sepse sikur të kishim këtë liberalizim, sigurisht që do të kishim lëvizje të fuqisë punëtore, por jo edhe të familjeve. Ne tani kemi mbushur 100 ditë nga krijimi i qeverisë së re dhe rezultatet do të shihen shumë shpejt. Por besoj se edhe mediat, shoqëria civile dhe të gjithë duhet të bëjnë dallime mes atyre që punojnë dhe të tjerëve, dhe jo që gjithmonë të ketë një qëndrim të përgjithshëm - jeni të mirë apo të këqinj.

DW: Zonja minsitre, Kosova çdo vit importon mallra nga Serbia në vlerë prej më shumë se 500 milionë euro, ndërkohë që eksporti është minimal. Kur do të përmirësohet ky balanc?

Hykmete Bajrami: Ne jemi nënshkrues të CEFTA-s dhe kemi një treg liberal, ku secili mund të fus mallrat e veta. Ne kemi kapacitete të vogla prodhuese dhe tani po punojmë shumë për rritjen e prodhimeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të zëvendsëojmë produketet që i importojmë me ato vendore, por edhe të shtojmë eksportin e produkteve kosovare.