1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hidrocentrali i Zhurit- Shqipëria nuk do, Kosova po

13 Shtator 2010

Një ekip ekspertësh kosovarë dhe të Shqipërisë do të takohen për të diskutuar efektet që mund të ketë ndërtimi i Hidrocentralit të Zhurit në jug të Kosovës. Projekti do të kushtojë 300 milionë dollarë.

https://p.dw.com/p/PAg6
Fotografi: AP/DW Fotomontage

Qeveria e Kosovës, tashmë ka hapur ofertat për kompanitë që janë të interesuara për tu bërë pjesë në ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit në jug të Kosovës, kapaciteti i të cilit parashihet të jetë 300 megavat. Me hapjen e ofertave, qeveria e Kosovës duket të jetë e vendosur që ta ndërtojë këtë Hidrocentral afër kufirit me Shqipërinë, pavarësisht dilemave që ka shteti shqiptar për ndikimet negative që mund të ketë Hidorcentrali i Zhurit në rrjedhën e ujërave ndërkufitare.

Kukës: Na mbaruat ujin

Më të zëshmit ishin autoritetet lokale të qarkut të Kukësit në Shqipëri, të cilat ditë më parë i kanë adresuar qeverisë së Kosovës shqetësimin e tyre për projektin e ndërtimit të Hidrocentralit të Zhurit. Ato thonë se Hidrocentrali i Zhurit në territorin e Kosovës, do të dëmtonte projekte të ngjashme brenda territorit të Shqipërisë, për shkak se do të devijonte rrjedhën e lumit Brod në Kosovë dhe do të linte pa ujin e nevojshëm lumin Luma në Kukës. Për tu dhënë përgjigje këtyre dilemave, javën e ardhshme do të zhvillohet një takim ndërmjet ekpertëve kosovarë dhe atyre të Shqipërisë.

Ministrja kosovare e energjisë dhe minierave Justina Pula, thotë se pala kosovare me ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, po shfrytëzon një marrëveshje të shtetit shqiptar dhe ish Jugoslavisë. “Ekziston një marrëveshje e vitit 1962 ndërmjet Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë. Shqipëria është duke e shfrytëzuar një pjesë të asaj marrëveshjeje me Hidrocentralin e Fierzës, ndërsa pala kosovare ende nuk e ka shfrytëzuar atë të drejtë të cilën ia garanton ajo, pra ndërtimin e një hidrocentrali edhe në pjesën kosovare. Megjithatë ne i kemi parasysh të gjitha direktivat që mund të dalin qoftë nga bisedimet me palen shqiptare, qoftë nga konventat ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujrave”, thotë ministrja Justina Pula.

Ekspertët: Projekti i shtrenjtë

Mirëpo, ekpertët e projekteve energjetike shprehen skeptik në efektshmërinë e Hidrocentralit të Zhurit. Ethem Çeku, nënkryetar i komisionit parlamentar për energjinë thotë se ky projekt është shumë i shrenjtë. “Të gjitha analizat dhe studimet që janë bërë rreth Hidrocentralit të Zhurit konsistojnë se ky projekt ka një pikë të prodhimit të energjisë mjaft minimale për shkak të mungesës së ujit dhe kapaciteteve të nevojshme për të aktivizuar turbinat për gjenerimin e energjisë elektrike. Prandaj projekti ka një seri pikpyetjesh se a është financiarisht, ekonomikisht i qëndrueshëm apo jo,” thotë Ethem Çeku.

Zoti Çeku, thotë se Kosova ka të drejtë ta shfrytëzojë pjesën e saj në marrëveshjen e vitit 1962 ndërmjet Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë për shfryëzimin e ujrave ndërkufitare, por e vërteta sipas tij është se Kosova është e vonuar. “Janë me qindra familje dhe objekte banimi që ka në atë zonë dhe nga studimet e fundit lënë shumë pikpyetje se a ia vlen të ndërtohet ky Hidrocentral. Nuk është vetëm problem me Shqipërinë, por edhe tek ndryshimi në infrastrukturën e akumulimit të ujrave në zonën ku parashihet të ndërtohet Hidrocentrali”, thotë Ethem Çeku.

Kosova ka ndaluar ndërtimet

Gjatë muajit qeshor qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunat që mund të përfshijë Hidrocentrali i Zhurit, morën vendim që të ndalohen ndërtimet në këtë zonë. Ky vendim vlen për fshatrat Brezne, Buqe dhe Zym të Kosovës. Hidrocentrali i Zhurit, sipas studimeve të fizibilitetit thuhet se do të kushtojë rreth 300 milion euro. Qeveria e Kosovës nuk mund të jetë financuese në tërë këtë projekt, por është në kërkim të kompanive që do ta ndërtojnë hidrocentralin dhe ai të jepet me koncesion.

Sipas të dhënave nga qeveria e Kosovës deri tani janë 33 kompani me të cilat ata janë në kontakt dhe disa prej tyre mund të jenë serioze në oferta për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit. Investitorët e interesuar, janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia e Turqia.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama