1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hebrejtë në Shqipëri, pranimi dhe shpëtimi

1 Shkurt 2010

Fakti që shqiptarët shpëtuan qindra hebrenj gjatë Luftës së II Botërore është i njohur. Por sipas studjuesve nuk ishte vetëm populli ai që u tregua dashamirës me hebrenjtë, por edhe institucionet shtetërore shqiptare.

https://p.dw.com/p/LoRV
Kopertina e librit "Hebrenjtë në Shqipëri, pranimi dhe shpëtimi” i autorit Shaban SinaniFotografi: shaban Sinani

Shqiptarët kanë të drejtë të krenohen, kur vjen fjala për hebrenjtë, sepse Shqipëria edhe pse një vendi i vogël nuk dorëzoi hebrenj tek nacional-socialistët gjatë Luftës së II Botërore. Ata shpëtuan duke u pajisur me pasaporta të rreme dhe duke gjetur strehim tek shqiptarët.

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri, çështje virtyti

Sipas studiuesit Shaban Sinani, autor i librit “Hebrenjtë në Shqipëri, pranimi dhe shpëtimi”, një rol vendimtar në sjelljen historike të shqiptarëve ndaj hebrenjve ka luajtur toleranca e mirënjohur ndërfetare të shqiptarëve por dhe sjellja e tyre ndaj të huajve, sidomos në kohë rreziku.

"Tradicionalisht shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është trajtuar si një çështje virtyti. Shqiptarët janë mikpritës, shqiptarët rrezikojnë për mikun, janë njerëz të besës. Pra kjo është mënyra se si është vlerësuar tradicionalisht. Nga ana tjetër thonë se një popull mysliman i zgjati dorën një populli të një besimi tjetër dhe e shpëtoi. Në të vërtetë nuk është vetëm virtyti, janë dhe faktorë të tjerë shumë të rëndësishëm për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, por absolutisht nuk mund të përjashtohet edhe fakti që shqiptarët në sjelljen ndaj hebrenjve kanë qenë konvergjentë. Pra është një virtyt, i cili gjendet tek myslimanët dhe të krishterët, tek të pasurit dhe të varfërit, tek të majtë dhe të djathtë.”

Marrëveshje me qeverinë shqiptare

Studimi i fundit mbi hebrenjtë në Shqipëri ofron këndvështrime të reja të patrajtuara më parë, si për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan Herman Bernshtajn, me kombësi hebreje në Shqipëri në vitet 1930-1933, i cili përgatiti një marrëveshje, sikurse është pohuar, në bashkëpunim me ambasadorin shqiptar në Uashington, Faik Konica. Sipas studiuesit Sinani, hebrenjtë në Shqipëri nuk erdhën rastësisht.

Që prej 23.11.1939 çifutët ishin të detyruar të mbanin yllin e Davidit
Që prej 23.11.1939 çifutët ishin të detyruar të mbanin yllin e DaviditFotografi: DHM
Sinani: Hebrenjtë nuk erdhën rastësisht në Shqipëri
Sinani: Hebrenjtë nuk erdhën rastësisht në ShqipëriFotografi: shaban Sinani

Ka pasur bisedime dy dhe shumëpalëshe me qeverinë shqiptare: "Ardhja nuk ka qenë rastësore. Qysh në vitin 1932-1933 fillojnë bisedimet dy dhe shumëpalëshe me qeverinë mbretërore për të krijuar një mundësi që në Shqipëri të instaloheshin grupime të mëdha hebrenjsh të Evropës Qendrore. Këto bisedime janë bërë nga Lidhja e Kombeve, janë bërë nga Komisariati i Lartë i Refugjatëve janë bërë dhe nga organizata izraelite. Ka pasur edhe bisedime të nivelit dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë mbretërore. Edhe këto bisedime janë bërë për të vendosur në masë hebrenj në Shqipëri.

Shtetit shqiptar e trajtoi problemin e hebrenjve si çështje të brendshme

Vitin e kaluar është botuar njëri prej relacioneve të fshehta që bënte fjalë për mundësinë që Shqipëria të kthehej në një farë “atdheu të dytë” për hebrenjtë. Kjo është botuar në shtypin izraelit." - sqaron Sinani.

Shqiptarët dhe Shqipëria nuk caktuan kurrë kuota për numrin e hebrenjve që do të pranonin. Kushdo që arriti të hyjë në tokën shqiptare gjeti strehë, fshehje dhe shpëtim. Por kjo nuk duhet parë në mënyrë kaq naive, pasi ky shpëtim nuk do të mund të arrihej pa qëndrimin e prerë të shtetit shqiptar, i cili e trajtoi problemin e hebrenjve si një çështje të brendshme. Sipas studiuesit Sinani edhe Rahju ka qenë në dijeni për hebrejtë që ndodheshin në Shqipëri. Pra nuk mund të harrohet që populli vërtet i strehoi hebrejtë, u dha bukë, i shpëtoi, por ai nuk i kishte në dorë listat. Listat i kishin në dorë qeveritë dhe qeveritë këto lista nuk i dhanë.

"Dokumentet bëjnë të qartë se çështja e hebrejve në Shqipëri ka qenë edhe objekt diskutimesh politike, madje ka qenë edhe çështje e një takimi të përbashkët të përfaqësuesve të Ribentropit dhe përfaqësuesit të Gestapos Myler më 21 tetor të vitit 1943. Në këtë proces-verbal thuhet se për të gjithë hebrenjtë e territoreve të reja të Rahjut (Kroaci, Shqipëri, Serbi) do të zbatohet formula e zhdukjes përfundimtare. Sa i takon rastit të Shqipërisë, duke qenë se qeveria e këtij vendi e konsideron çështjen e hebrejve çështje të brendshme, deri në një këshillim tjetër nuk do të ndërmerret asnjë veprim, thuhet në këtë proces-verbal. Në të vërtetë nga Rahju janë kërkuar lista e hebrejve edhe në prill të vitit 1944, edhe në qershor të vitit 1944. Listat ishin të plota, listat janë edhe sot të plota dhe listat i kanë pasur të gjitha qeveritë bashkëpunuese, koloboracioniste. Dhe asnjë qeveri nuk i ka dhënë këto lista." - thotë prof. Shaban Sinani duke iu referuar dokumenteve origjinale, fotove dhe dëshmive si dhe qindra autorëvve vendës dhe të huaj që janë marrë me temën e hebrejve.

Një listë prej 2.265 emrash të hebrenjve të ardhur në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet qysh prej muajit gusht të vitit 2005 në Memorial Museum of Holocaust.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktor: Pandeli Pani