1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I ri në universitet?

16 Maj 2011

Sapo keni ardhur në Universitet? Keni probleme me zgjedhjen e degës, me Numerus Clausus apo me tarifat e shkollës? Këtu keni disa këshilla të rëndësishme.

https://p.dw.com/p/11HOm
Hapat e parë në UniversitetFotografi: Bilderbox

Kush kërkon të studiojë në Gjermani, duhet të informohet që në vendin e tij për kushtet e udhëtimit. Zyra Akademike për të huajt, kontrollon nëse dikush ka plotësuar kushtet për të marrë një studim në Gjermani. Për shembull nëse e drejta e studimit e marrë në vend, vlen edhe për Gjermaninë. Nëse jo, atëherë ekziston mundësia për të marrë kualifikimin e duhur në një koleg në Gjermani. Njohuri të hollësishme për pranimin, njohjen e nevojshme të gjuhës dhe dokumentat që duhen sjellë me vete jep Akademia Gjermane për këmbimet me jashtë- Deutsche Akademische Austauschdienst (DAAD). Kini kujdes, disa nga dokumentat duhet të jenë të përkthyera dhe të noterizuara.

Reforma e Bolonjës

Në vitin 1999 ministrat e arsimit të 29 vendeve evropiane vendosën që të ngrenë sisteme unike shkollash të larta në të gjithë Evropën. Një nga pikat e planit për të arritur këtë ishte futja e studimeve në nivelin bachelor dhe master. Aktualisht 40 vende evropiane marrin pjesë në këtë reformë të shkollave të larta. Deri në vitin 2010, vendimet e marra nga ministrat duhet të viheshin në jetë. Por meqenëse shumë vende kanë vështirësi i gjithë procesi i reformave është shtyrë për vitin 2020.

Kurset gjermane (Njohuritë e gjuhës)

Kush dëshiron të studiojë në Gjermani dhe nuk ka marrë vendim të shkojë në një degë që zhvillohet në gjuhën angleze, duhet të dëshmojë njohuritë e gjuhës gjermane. Për këtë ka provime të ndryshme, si për shembull DSH, "Provimi i gjuhës gjermane për studentët e huaj që hyjnë në një shkollë të lartë". Në vendin e lindjes, mund të jepet provimi "TestDaF"(Provimi i gjermanishtes si gjuhë e huaj). Kush ndjek një shkollë gjermane ose ka dëftesat e gjuhës nga Instituti Goethe, nuk ka nevojë të bëjë testin. Kurse të gjuhës gjermane me çertifikatat përkatëse ofrojnë si universitetet gjermane ashtu edhe Institutet Goethe në të gjithë botën.

Dual Career Service

Ai që sot kërkon të shkojë në një institut si shkencëtar apo specialist kërkimor, duhet t`i bëjë planet mirë. Kështu për shembull, në shumë universitete gjermane jo vetëm që ofrohet kujdestari për fëmijët, por gjendet edhe një vend pune për bashkëshortët. Vendi i punës mund të jetë në universitet apo në një firmë kooperuese.

Studime duale

Disa shkolla të larta në bashkëpunim me firma të caktuara ofrojnë një sistem dual studimi. Kjo do të thotë që studimi dhe specializimi në praktikë lidhen me njëra tjetrën. Ai që përfundon studimin dual, mund të marrë dy dëshmi atë të shkollimit profesional dhe atë shkencor.

Universitetet elitare

Në Gjermani ka nëntë universitete elitare, të cilat marrin para nga buxheti publik për të ushtruar kërkimet shkencore dhe për të bërë planet për të ardhmen. Kjo e ashtuquajtura "Nismë ekselence" nisi në vitet 2005/2006 për të nxjerrë në pah universitete të caktuara dhe për t`i bërë ato të afta në konkurencën ndërkombëtare. Ndër universitetet elitare bëjnë pjesë Universiteti Teknik i Mynihut (TU München), Universiteti Ludvig Maksimilan në Mynih (LMU München), Shkolla e Lartë Teknike e Ahenit (RWTH Aachen), Universiteti i Lirë i Berlinit (FU Berlin) si dhe universitetet e Hajdelbergut, Gëtingenit, Karlsruhes, Frajburgut dhe Konstancës.

Shumllojshmëria e degëve

Ai që deri tani ka studiuar në Gjermani për të marrë titullin magistër, për të marrë diplomë apo njohjen e mësimdhënies, është dashur të zgjedhë vetë degët që studion. Për të marrë magister duhet të zgjidheshin tre degë, për provimin e shtetit dy dhe për diplomë një degë. Me futjen e studimeve në nivelin bachelor dhe master zgjidhet në princip vetëm një degë. Por shumë universitete ofrojnë kombinime degësh, të cilat plotësojnë njëra tjetrën nga ana tematike ose i përgjigjen nevojave të ekonomisë. Në këtë mënyrë ka lindur një numër i madh degësh studimi, dhe numri i tyre do të rritet edhe më shumë. Një vështrim mbi to e jep faqja e internetit www.hochschulkompass.de.

Studimi në distancë    


Ndjekja e studimeve pa qenë i pranishëm në shkollë bëhet gjithnjë e më interesant për njerëzit që edhe punojnë. Disa degë studimore janë ngritur si studime online, të cilat pjesërisht mund të ndiqen edhe në bashkëpunim me shkollat e larta jashtë Gjermanisë. Një nga universitetet në distancë është ai në Hagen, në Landin e Renaninsë Veriore - Vestfalisë, i përqëndruar në degët ekonomike. Materialet mësimore dërgohen online. Studentët janë vazhdimisht në kontakt me docentët. Degët e studimit janë të hapura edhe për studentët jashtë Gjermanisë.

Ndihmat financiare

Ai që nuk vjen me bursë në Gjermani, duhet të dëshmojë se ka mjete të mjaftueshme financiare për të paktën një vit. Kjo do të thotë që të ketë në numrin e llogarisë 8 000 euro. Ndihma shtetërore për studime jepen vetëm për gjermanët, ose në raste të caktuara edhe për studentët nga vendet e BE-së. Nëpërmjet "Ligjit për ndihmat studimore federale" (shkurt BAföG) studentët që nuk mund të mbahen nga prindërit gjatë studimeve mund të ndihmohen financiarisht nga shteti. Kush bie në nevojë financiare, mund të kërkojë këshilla tek shërbimet studentore (Studentenwerken) ose komunitete universitare.

Diploma universitare

Nëse si kusht për të marrë një vend studimi kërkohet që të jetë bërë një studim paraprak, atëherë duhet treguar diploma për këtë. Në Gjermani aktualisht si diploma njihen bachelor, diploma, magister dhe provimet e shtetit.

Regjistrimi  (Immatrikulation)

Për degët që kërkohet të studiohen, duhet bërë regjistrimi në Shkollën përkatës të Lartë. Në princip çdo student është i lirë të zgjedhë shkollën e tij dhe docentët. Universitetet private, shkollat e artit dhe të muzikës si dhe shkollat e sportit vendosin në bazë të provimeve ose të bisedave nëse një kandidat pranohet apo jo. Për degë studimi shumë të kërkuara ekzistojnë procese përgjezgjedhjeje të caktuara, të cilat shpesh bazohen në notat e maturës. Kush kërkon të regjistrohet duhet të plotësojë formularin përkatës, duhet të ketë dëshminë e njohurive të gjuhës gjermane (për degët në të cilat studimet bëhen në gjuhën gjermane), duhet të ketë një vërtetim të Shkollës së Lartë në vendin e vet, nëse ka filluar që atje me studimet, si dhe të ketë sigurimin shëndetësor. Përveç kësaj duhet bërë edhe pagesa e semesterit, që është pjesë e regjistrimit.

Numerus Clausus

Nëse në një degë të caktuar studimi ka më shumë kandidatë se sa vende studimi, atëherë vendoset një Numerus Clausus. Vetëm kandidatët që arrijnë një notë të caktuar mature, mund të marrin vendin e studimit. Meqenëse studentët e huaj vijnë në universitetet gjermane shpesh nëpërmjet programeve të këmbimit ose bursave, për ta nuk vlen në këtë rast Numerus Clausus, por rregulla të tjera të marrjes së vendit të studimit.

Shërbimet studentore


58 shërbime studentore (Studentenwerke) kujdesen në Gjermani për çështjet sociale të studentëve. Ato administrojnë konviktet, financojnë mencat, ofrojnë kujdes për fëmijët dhe punojnë për të mbrojtur interesat e studentëve në politikën për shkollat e larta. Ata ndihmojnë studentët në fushën e financave dhe kulturore.

Tarifat e studimit

Shërbimet studentore financohet ndër të tjera edhe nga tarifat e semestrit". Ky kontribut financiar shërben edhe për të mbuluar kostot e administratës të universiteteteve si dhe për shpërblimin social të përfaqësuesve të studentëve, "AStA". Pagesa e semestrit bëhet nga të gjithë studentët gjatë regjistrimit në universitet. Përveç tarifave të studimit, disa lande gjermane në varësi nga universiteti kanë futur edhe tarifat e shkollimit, që mund të arrijnë deri në 500 euro në semestër.

Pazari i vendeve të studimit

Në degët shumë të preferuara kërkesa është e madhe dhe universitetet duhet të përzgjedhin midis kandidatëve të shumtë. Studentët kandidojnë shpesh në disa universitete njëkohësisht dhe presin aprovimin e shkollës së favorizuar. Nëse ata kanë marrë lejen e studimit nga një universitet tjetër dhe presin deri në fund që të marrin lejen e studimit nga universiteti i preferuar, atëherë vendi i parë i studimit  mbetet i bllokuar deri pak para fillimit të semestrit, kur lihet i lirë për të interesuarit e tjerë. Për të krijuar një ide në cilat universitete dhe për cilat degë ka ende vende të lira studimi, është krijuar nga Konferenca e Shkollave të Larta një "pazar i vendeve të studimit"."Ofertat e minutës së fundit" gjenden para fillimit të semestrit të ri në: www.freie-studienplaetze.de.

Paralelisht ekziston edhe një pazar vendesh studimi në internet studieren.de, e cila bashkëpunon po ashtu me universitetet dhe zotëron të dhënat e fundit. Edhe këtu gjenden vende të lira studimi, disa jaë para se të përfundojë semestri: www.studieren.de/freie-studienplaetze.

Studentët me aftësi të kufizuara

Për studentët me aftësi të kufizuara ekziston një vend këshillimi në shërbimin studentor. Disa nga universitetet kanë pajisjet e duhura për studentët me aftësi të kufizuara, disa nga konviktet ofrojnë vend banime pa pengesa. Përveç kësaj, çdo shkollë e lartë gjermane ka një të ngarkuar me çështjet e studentëve me aftësi të kufizuara. Në disa nga shkollat e larta, studentë me dhe pa aftësi të kufizuara kanë krijuar grupe në të cilat ofrohen këshillime dhe ndihma.

Studentët me fëmijë


Edhe studentët me fëmijë ndihmohen nga shërbimet studentore. Ato ndërmjetësojnë për banimin, kopshtet ose çerdhet, që janë krijuar për studentët. Universitetet, që duan të joshin shkencëtarët ose studentët nga e gjithë bota ofrojnë edhe "kushte speciale" të caktuara. Ndër to bëjnë pjesë ndërmjetësimi i vendeve të kopshteve për fëmijët, i shkollave apo banesave. Informacione gjenden tek Zyra e Këmbimit Akademik me jashtë (Akademischen Auslandsamt).

Qendra e mirëseardhjes për studentët e huaj

Ai që vjen nga një vend tjetër në universitetet gjermane, mund të marrë ndihmë dhe këshillë edhe tek Zyra e Këmbimit Akademik me jashtë (Akademischen Auslandsamt) e universitetit të caktuar, sa i përket formaliteteve dhe proceseve në universitet. Përveç kësaj disa universitetet kanë "qendrat e mirëseardhjes", të cilat informojnë studentët e huaj me informacionet e nevojshme dhe u ofrojnë atyre të ashtuquajturit "Buddies". Këta janë studentë që ndihmojnë të sapoardhurit për tu mësuar me qytetin dhe universitetin. Disa universitete ofrojnë në fillim të semestrit javë speciale hyrëse, me vizita në qytet dhe informacione për vendin dhe njerëzit që jetojnë në të. Edhe degët e veçanta organizojnë aktivitete speciale për të sapoardhurit.

Kushtet e lejes së studimit

Disa nga degët e studimit janë aq të preferuara sa që kanë "kufizime të lejes së studimit." Për studentët e mjekësisë, vendimi për lejen e studimit merret për shembull me notën përfundimtare të gjimnazit. Për të shpërndarë vendet e preferuara të studimit për mjekësinë ekziston "Fondacioni për lejen e studimit në shkollën e lartë". Në shumicën e rasteve aplikimi bëhet në universitetin e preferuar. Cilat degë preken dhe si duhet të bëhet aplikimi, mësohet në universitetet përkatëse. Për të qenë të sigurt aplikimi bëhet në disa universitete. Vende studimi për kandidatët e huaj shpërndan Zyra e Këmbimit Akademik me jashtë e secilës shkollë të lartë. Kush kërkon të aplikojë në disa shkolla, mund t`i dërgojë dokumentat e lidhur tek "Qendra e shërbimit dhe punës për aplikimin e studentëve ndërkombëtarë" (assist). Dokumentat kontrollohen aty dhe dërgohen në shkollat e larta të preferuara.


Autorin: Gaby Reucher/ Aida Cama
Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora