1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hap portat panairi CeBIT 2013

Henrik Böhme/ Aida Cama5 Mars 2013

Panairi i kompjuterave Cebit në Hanover nuk është vetëm vitrinë për risitë e botës digjitale, por edhe barometër për koniunkturën. Dhe kjo nuk është dhe aq e keqe për këtë sektor.

https://p.dw.com/p/17qMV
CeBIT 2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Mund ta quash edhe simbolike, pas një dimri të gjatë bashkë me fillimin e Cebit-it në Hanover vjen edhe pranvera. Kjo ka ngjallur atmosferë të gazueshme, gjë që është e nevojshme për ekonominë e tronditur nga kriza në Evropë. Pararendës i një rritjeje ekonomike mund të bëhet sektori i Teknologjisë së Informacionit, pra të gjitha firmat që merren me telekomunikacionin dhe teknologjinë e informacionit. Ndërkohë që pjesa tjetër e ekonomisë është duke u përpjekur të ndalë rënien, sektori i High-Tech bën një hap të madh. 1,4 për qind rritje pret shoqata e sektorit Bitkom. Kjo mund të kthehet në motor për ekonominë. Megjithëse motorët e vërtetë janë duke lëvizur diku tjetër: Në Kinë tregu i Teknologjisë së Informaiconit është duke u rritur me 9 për qind këtë vit, kursë në SHBA me 6,5 për qind. Edhe në Gjermani shifrat e rritjes dikur ishin më të mira.

Drejtori ekzekutiv i Bitkom-it, Bernhard Rohleder ka këtë vlerësim: "1,4 përqind për sektorin tonë nuk është një shifër shumë e mirë. Por krahasuar me pjesën tjetër të ekonomisë, është dy deri tre herë më e madhe. Kjo na bën të jemi optimistë për vitin e ardhshëm."

CeBIT 2013 Telekom Chef Rene Obermann
Shefi i Telekomit, Rene ObermannFotografi: Deutsche Messe

Engineering Card për Evropën

Shumë firma presin të kenë rritje të volumit të prodhimit, më shumë se gjysma e tyre mendojnë të marrin punonjës të rinj në punë. Për herë të parë këtë vit, numri i njerëzve që punojnë në sektorin e teknologjisë së informacionit ka arritur në 900 mijë. Në industri vetëm sektorin i prodhimit të makinerive ka më shumë punonjës.

Por, aty ku ka dritë ka edhe hije. Në gjithë vendin nuk janë zënë 43 mijë vende pune për specialistë të teknologjisë së informacionit. Kjo mund të zgjidhet duke organizuar migracion të qëllimshëm në Gjermani, thotë Dieter Westerkamp nga Shoqata e Inxhinjerëve Gjermanë (VDI): "Kjo është një rrugë që ne do e bëjmë. VDI kërkon të fusë dëshminë evropiane për këtë profesion, të ashtuquajturin Engineering Card. Kjo do të mundësojë vlerësimin e inxhinjerëve sipas përvojës dhe kualifikimit në mënyrë që të mund të bëhet krahasimi i një inxhinjeri spanjoll dhe italian me një inxhinjer gjerman."

Duhet të vijë elita

Një nga aspektet e tjera për të cilin përfaqësuesii Bitkom-it, Bernhard Rohleder tërheq vëmendjen është se Gjermania nuk është "vendi që ëndërrojnë elitat e teknologjisë së informacionit në botë. Dhe ne na duhet elita."Në Gjermani ka administratorë të mirë, por mungojnë zhvilluesit e teknologjisë. "Këtu duhet të hapemi për elitat e botës. Ne duhet të krijojmë një atmosferë që ta bëjë Gjermaninë interesante për indianët, malajzianët, indonezianët ose kinezët, që të vijnë në Gjermani dhe të mos shkojnë tek Silicon Valley në SHBA", thotë Rohleder. 

Secusmart Blackberry 10 Smartphone CeBIT Hannover abhörsicher Angela Merkel
Secusmart Blackberry CeBIT 2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Menaxher të rrjetit

Çfarë janë të rejat në rrjet? Tema e sigurisë në teknologjinë e informacionit është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme, aty kërkohen sot më shumë forca të specializuara. Siguria është një temë e rëndësishme për firmat si Telekomi Gjerman. Drejtori René Obermann e shikon të ardhmen e koncernit që drejton në të ashtuquajturin "smart connectivity" dhe në kooperim me firmat e internetit. "Këtë e tregojmë edhe këtu në panair," thotë Obermann. "Smart connectivity" do të thotë lidhje e shpejtë interneti për sasinë e të dhënave, më shumë siguri në rrjet dhe në fund menaxhim kualiteti për shërbime të ndryshme. "Një E-mail mund të vijë një sekondë më vonë, por një video-konferencë nuk mund të shtyhet. Kjo duhet menaxhuar në rrjet. Smart Connectivity dhe bashkëpunim me firmat inovative. Aty lind një tufë e madhe shërbimesh për klientët, dhe aty mund të fitojmë të gjithë."

Një vështrim mbi të gjitha këto tema ofron aktualisht Cebit. Edhe nëse panairi nuk e arrin më shkëlqimin që ka pasur dikur, bota digjitale nuk mund të imagjinohet më pa Cebit-in. Këtë e tregojnë 4100 firmat që prezantohen në Hanover nga 70 vende.