1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hahn: BE do të financojë projektet multilaterale

Bahri Cani26 Mars 2015

Intervistë ekskluzive me Johannes Hahn, komisioner i BE për Politikën e Fqinjësisë e Negociatat për Zgjerimin mbi perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor e gatishmërinë për financimin e projekteve të EJL.

https://p.dw.com/p/1Exf7
Johannes Hahn
Eurokomisioneri Johannes Hahn në bisedë me Deutsche Welle-nFotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti Hahn, sa kontribuojnë vërtet këto konferenca për bashkëpunimin rajonal për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian?

Johannes Hahn: Besoj se çdo formë e bashkëpunimit rajonal ndihmon në afrimin e njerëzve dhe për bashkimin e gjërave që përshtaten mes vete. Në këtë kontekst, unë përshëndes rezultatet e takimit në Prishtinë, për bashkëpunimin rajonal. Në përgjithësi, ne jemi dakorduar se në ç'drejtim duhet të shkojnë rrjetet e trafikut ndërballkanik.

DW: Sa ndikojnë tendosjet politike në realizimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin ekonomik dhe për zhvillim të këtij rajoni, sepse është e ditur se mes vendeve të rajonit ballkanik ka ende tendosje serioze?

Johannes Hahn: Besoj se aktivitetet multilaterale janë shumë të përshtatshme për tejkalimin e problemeve bilaterale. Secili duhet të japë kontributin e tij për funksionimin e këtyre marrëveshjeve, sepse askush nuk mund të mbetet anash dhe të shikojë. Ndaj presioni social për arrijen e rezultateve konkrete është më i madh nëse në një vend mblidhen përfaqësuesit e gjashtë vendeve, se sa kur zgjidhje kërkojnë vetëm dy vende.

DW: Problemi më i madh për marrëveshjet në këto konferenca është financimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar se janë në gjendje të arrijnë marrëveshje, por nuk janë në gjendje t'i realizojnë ato, sepse nuk kanë mjete financiare. A është BE-ja vërtet e gatshme të financojë këto projekte, apo janë këto vetëm premtime të kota, sepse ky rajon ka pasur disa herë probleme me premtime të cilat nuk janë realizuar?

Johannes Hahn: Të them të drejtën, unë kam qenë pesë vite komisioner rajonal në Evropë, i ngarkuar me përdorimin e fondeve strukturore dhe pikërisht në këtë rajon kemi pasur probleme me përdorimin e parave të vëna në dispozicion. Kjo sepse kualiteti i projekteve nuk ka qenë prezent, sepse ato nuk kanë plotësuar standardet evropiane. Ne do të vëmë në dispozicion për këto projekte të transportit në një vlerë deri në një miliardë euro, në vitet e ardhshme. Këto mjete do të mundësojnë edhe kreditë përkatëse për realizimin e projekteve. Por unë shoh një problem më të madh në përgatitjen e projekteve se sa në realizimin e tyre. T'ju them të drejtën unë më me dëshirë kaloj një urë kur ajo të jetë ndërtuar dhe kur një projekt është i gatshëm. Por përvoja ime më tregon se problemi më i madh është përgatitja e projekteve.

DW: Zoti Hahn, konferenca rajonale për Ballkanin Perëndimor është mbajtur për herë të parë në Kosovë, ndërkohë që raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej janë shumë të tendosura. Si i vlerësoni ju sot këto raporte dhe sa do të pengojnë tendosjet mes Prishtinës dhe Beogradit realizimin e këtyre projekteve?

Johannes Hahn: Do të thosha se vet ëfakti që kjo konferencë ka mundur të mbahet në Kosovë, dhe fakti që Serbia ka propozuar në konferencën e mbajtur herën e fundit në Beograd, që konferenca e radhës të mbahet në Kosovë, tregon se çfarë potenciali fshihet në këtë bashkëpunim multilateral. Kjo tregon se çfarë mund të jenë edhe sukseset në këtë drejtim.