1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haga konfirmon dënimet për gjenocid në Srebrenicë

Bahri Cani30 Janar 2015

Tribunali i Hagës konfirmoi vendimin për dënim të përjetshëm të dy oficerëve serbë për gjenocid në Srebrenicë. Janë dënuar Vujadin Popoviq dhe Lubisha Beara.

https://p.dw.com/p/1ETX1
Internationale Strafgerichtshof für das ehemalige Jugoslawien
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ky është dënimi i parë i plotfuqishëm i Tribunalit të Hagës, për ish - pjesëtarët e ushtrisë së Republikës Serpska, për gjenocid në Srebrenicë, në vitin 1995. Më parë me 35 vjet heqje lirie është dënuar gjenerali serb Radislav Krstiq. Popoviq (57) ka qenë në vitin 1995 shefi i sigurisë në korpusin e Drinës, ndërsa Beara (75) ka pasur të njëjtën detyrë në Shtabin e përgjithshëm të ushtrisë serbe. Ata të dy u dënuan me burg të përjetshëm në shkallën e parë në vitin 2010.

Krimet dhe gjenocidi

Popoviq dhe Beara, sipas vendimit përfundimtar (30.01) të Gjykatës, kanë qenë pjesë e grupit që ka kryer krime dhe ka papsur qëllime gjenocidi. Në këtë grup kanë qenë edhe ish-komandanti i forcave serbe Ratko Mlladiq si dhe ish-presidenti i RS Radovan Karaxhiq, të cilët edhe vet janë në proces në Tribunalin e Hagës, ku akuzohen për krime dhe gjenocid. Gjykata ka konstatuar se Popoviq dhe Beara kanë qenë oficerë të lartë të forcave serbe, të cilat e kanë okupuar Srebrenicën më 11 korrrik 1995. Kjo zonë ka qenë në atë kohë nën mbikqyrjen e helmetlartërve të OKB-së. Megjithatë forcat serbe kanë vrarë "të paktën 5.336 persona të identifikuar", ndërkohë që dyshohet se numri përfundimtar i viktimave myslimane në Srebrenicë mund të shkojë deri në 7.826. Gjykata i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e të dënuarve, me argumentimin se ata janë fajtorë për këto krime.

Srebrenica Massaker Berufung Beara und Popovic 30.01.2015 Den Haag
Procesi i apelit më 30.01.2015 në Tribunalin e HagësFotografi: picture-alliance/epa/M. Kooren

Dënimet e tjera

Popoviq dhe Beara janë dënuar për zhvendlosjen e dhunshme të disa dhjetra mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve, pas marrjes prej forcave serbe të enklavës së Srebrenicës. Ata janë dënuar edhe për krime lufte dhe shkelje të traditave dhe ligjeve të luftës. Gjykata e mbështeti të premten (30.01) vendimin e istancës së shkallës së parë për denimin e oficerit serb Drago Nikoliq me 35 vjet heqje lirie. Për komandantin e brigadës së Zvornikut Vinku Pandureviq është konfirmuar vendimi për 13 vjet heqje lirie. Gjeneralit Radivoje Miletiq i është ulur dënimi nga 19 në 18 vjet burg. Të gjithë të denuarit janë dorëzuar vullnetarisht në Tribunal në vitin 2005, përveĻ Bearës, i cili ëshë arrestuar në Serbi në vitin 2004.

Për gjenocid në Srebrenicë është dënuar në një proces tjetër me burgim të përjetshëm edhe gjenerali serb Zdravko Tolimir, i cili është ankuar ndaj këtij vendimi. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë. Ndërkohë që në shkallë të parë po zhvillohen edhe proceset kundër Karaxhiqit dhe Mlladiqit.