1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi parlamentar i euroskeptikëve në Parlamentin Evropian shpërbëhet

Pandeli Pani18 Tetor 2014

Marine Le Pen, mund të realizojë ndoshta tani idenë e saj për krijimin e një grupi të ri parlamentar të spektrit të djathtë.

https://p.dw.com/p/1DXvX
Fotografi: Vincent Kessler/Reuters

Pas rreth pesë muajsh pas zgjedhjeve evropiane, grupi i kundërshtarëve të BE-së në Parlamentin Evropian rreth populistit të djathtë britanik Nigel Farage, humbi statusin e grupit parlamentar. Deputetja letoneze Iveta Grigule u largua nga grupi "Evropa e lirisë dhe e demokracisë së drejtpërdrejtë" (EFD). Në këtë mënyrë grupi nuk e ka më numrin e detyrueshëm të anëtarëve prej të paktën shtatë vendesh të BE-së. Ndër kundërshtarët e BE-së bëjnë pjesë parlamentarë të partisë euroskeptike UKIP në Britaninë e Madhe ose të "Movimento 5 Stelle" të ish-komedianit italian Beppe Grillo. Grupi përbëhej deri tani nga 48 deputetë nga Britania e Madhe, Italia, Suedia, Letonia, Lituania, Franca dhe Çekia.

Marine Le Pen in Brüssel 28.5.2014
Marine Le PenFotografi: DW/A. Noll

Pas humbjes së statusit të grupit parlamentar, kundërshtarët e BE-së duhet të ulen në radhët e deputetëve pa grup parlamentar, pranë eurodeputetëve të Frontit Kombëtar të Marine Le Pen. Përveç kësaj deputetët e grupit "Evropa e lirisë dhe e demokracisë së drejtpërdrejtë" do të humbasin aksesin tek burimet financiare si dhe privilegje të tjera.

A është humbja e statusit fillimi i fundit?

Konservatorët evropianë u shprehën të kënaqur për shpërbërjen fraksionit kritik ndaj BE-së dhe e quajtën atë si "humbjen e parë për euroskeptikët". Drejtuesi i grupit parlamentar të partive konservatore evropiane, EPP, Manfred Weber, deklaroi se radikalët dhe populistët janë "tërësisht të zhytur në kontradikta" dhe shtoi se "ata nuk janë në gjendje që të bëjnë punë konstruktive për njerëzit." Deputeti socialdemokrat Jo Leinen tha se anti-evropianët po shpërbëhen vetiu. E vetmja gjë e përbashkët e populistëve të djathtë janë "nxitja e paragjykimeve përhapja e parrullave kundër Bashkimit Evropian", ata nuk kanë asnjë linjë të përbashkët politike apo një program, tha socialdemokrati Leinen.

Por nga Parlamenti Evropian në Strasburg u dëgjuan edhe zëra paralajmërues. Sipas tyre kryetarja e partisë ekstremiste të djathtë nga Franca "Front National", Marine Le Pen, mund të realizojë ndoshta tani idenë e saj për krijimin e një grupi të ri parlamentar të spektrit të djathtë. Deri tani Le Pen nuk ia kishte dalë që të mblidhte rreth vetes parlamentarë nga të paktën shtatë vende për të krijuar një grup të tillë.

Shkaqet e tërheqjes

Beppe Grillo Parteichef 10.10.2014 Rom
Beppe GrilloFotografi: AFP/Getty Images/Filippo Monteforte

Iveta Grigule i tha agjencisë letoneze të lajmeve BNS, se ajo kishte shkuar në Parlamentin e BE-së për të punuar dhe për të mbrojtur interesat e vendit të saj. Por në bisedat me anëtarët e grupit EFD ajo kuptoi, se ata janë ndryshe nga ç'e kishte pritur ajo. Grigule përmendi gjithashtu mospërputhjet me Farage për veprime të tilla të UKIP si kërkesa për shpërbërjen e BE. Në lidhje me veprimtarinë e saj të ardhshme në parlament ajo tha se do të diskutojë fillimisht me partinë e saj, Aleanca e të Gjelbërve dhe e Fshtatarëve.

Anëtarët e grupit "Evropa e lirisë dhe e demokracisë së drejtpërdrejtë" thanë se pas veprimit të Grigules fshihet një intrigë. Nigel Farage tha se grupi i tij parlamentar është përjashtuar sistematikisht dhe është shembull i paragjykimeve të jashtëzakonshme politike.