1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grija e pasigurisë si armik i internetit

Martin Muno/Pandeli Pani2 Korrik 2014

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha në Global Media Forum se interneti është ende një sfidë për politikën e jashtme.

https://p.dw.com/p/1CU72
Fotografi: DW/M. Müller

"Do të kisha sjellë me vete me shumë dëshirë ndonjë breaking news" tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili u shpreh mjaft i zhgënjyer për raundin e fundit të bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë, me pjesëmarrjen e Francës dhe të Gjermanisë. Të hënën në mbrëmje "ishim mjaft afër një marrëveshjeje, e cila do të na kishte dhënë më shumë se një afat," tha Steinmeier në Forumin Global të Medias të Deutsche Welle-s.

Pas dështimit të negociatave presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko hoqi dorë nga armëpushimi me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Steinmeier shpreson megjithatë se ditët e ardhshme do të bëhet e mundur që të gjehet një zgjidhje diplomatike. Vetëm nëpërmjet bisedimeve mund të parandalohet gjakderdhja e mëtejshme në Ukrainë. Një kontroll i përbashkët kufitar nga Rusia dhe Ukraina mund të parandalojë që në Ukrainën lindore të vazhdojnë të dërgohen edhe më tej armë.

Diktati i numrit të klikimeve

Edhe se nuk kishte sjelle me vete ndonjë breaking news ministri i Jashtëm gjerman ka një qëndrim të qartë për internetin dhe realitetin e mediave. Ai tha se kur po përgatiste fjalimin kishtë thënë me vete se "nëse do që të jesh modern, fjalimi yt mund të ketë vetëm një titull të tillë si '15 Facts about Foreign Policy, that will blow up your mind.' Por gjuha ime buzzfeed nuk është ende kaq e kompletuar."

Problemi është, shtoi Steinmeier se si politika dhe mediat on-line janë nën diktatin e numrit të klikimeve. "Klikimet kanë nevojë kryesisht për një gjë: shumë imazhe të reja dhe të shpejta dhe kam frikë pak se politika e jashtme ka rrezik që në këtë mes mund të bjerë në disavantazh."

Global Media Forum Frank-Walter Steinmeier 01.07.2014
Fotografi: DW/M. Müller

Fuqia fatale e fotografive

Fotografitë nganjëherë dramatike që gjejnë çdo ditë rrugën e tyre për tek njerëzit përmes kamerave të telefonëve celularë dhe rrjeteve sociale kanë një efekt fatal, mendon Steinmeier. Këto pamje shkaktojnë tek njerëzit ndjenjën që këtyre mizorive u duhet dhënë sa më shpejt të jetë e mundur fund, pavarësisht se si"Dhe në kontrast me këtë lumë fotografish, metodat e politikës së jashtme të duken çuditërisht të ngadalta."

Politika e jashtme nuk ka as mjete detyrimi dhe as mundësi për të dhënë urdhëra, por bazohet tek bisedimet dhe negociatat deri në orët e vona të natës në dhoma hotelit - si të hënën në mbrëmje ato mes rusëve dhe ukrainasve. Por prej takimeve të tilla nuk ka fotografi. Kjo do të thotë se në botën tonë të shpejtë të mediave digjitale përpjekjet tona për paqe bëjnë në publik shumë më pak përshtypje se sa imazhet e tmerrshme të luftës.

Steinmeieri preku edhe një tjetër dilemë: ndërsa konfliktet bëhen gjithnjë e më komplekse, shtohet nevoja për ta klasifikuar botën thjesht në të mirë dhe të keqe, në të zezë dhe të bardhë. "Por realiteti i kësaj bote komplekse nuk mund të klasifkohet me këto kritere të thjeshta."

Përgjegjesia e gazetarëve

Kriza në Ukrainë po e tregon qartë këtë. Në faqen time të internetit, tha Steinmeier, gjej përditë komente të ndryshme, si ata që mendojnë se përpjekjet tona janë të pamjaftueshme edhe ata që i quajnë ato nxitje për luftë. Prandaj Steinmeier u bëri thirrje gazetarëve që ta mbajnë parasysh përgjegjësinë e tyre. "Ne nuk duhet të bëhemi pre e tundimit për ta paraqitur një gjë bardhë e zi, kur në këtë çështje mbizotëron grija e pasigurisë. Po ashtu edhe aty ku thjesht duhet të pranojnë se ka të vërtetat konkurruese, dhe realitete konkurruese që janë në konflikt me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye ndalohet paraqitja bardhë e zi." Në krizën e Ukrainë duhet të pranojmë se ka perspektiva të ndryshme, të cilat janë krijuar nga kujtesa historike respketive.

Interneti dhe politika

Steinmeier tha se interneti është ende një sfidë për politikën e jashtme: Në njërën anë sepse politika e jashtme jeton prej kufijve, kurse interneti nuk njeh më kufij në asnjë vend të botës. Së dyti, kompetenca për politikën e jashtme vazhdon të jetë kompetencë e shteteve, kurse të dhënat e internetit janë prej kohësh në duart e kompanive private. E gjithë kjo kërkon rregulla unike për një rrjet global të internetit. Për këtë arsye nevojitet një debat rigoroz, në lidhje me çështjen e afresës së NSA-së. Nga njëra anë duhet të ruhet liria në internet, dhe nga ana tjetër duhet të garantohet ruajtja e privatësisë sipas rregullave ndërkombëtare.