1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia po shqyrton mundësinë e uljes së taksave

Jannis Papadimitriou/Auron Dodi9 Shtator 2014

Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras premton barrë më të vogël taksash dhe e sheh vendin e tij në përmirësim. Por jo të gjithë grekët janë të bindur për këtë.

https://p.dw.com/p/1D997
Antonis Samaras
Antonis SamarasFotografi: Reuters

Dimitris Stamatopoulos e sheh me optimizëm të ardhmen. Pas shpërthimit të krizës ekonomike greke në vitin 2009, tregtari i verës pati humbje të mëdha në shitje. Por tani ai sheh më në fund "dritë në fund të tunelit" për Greqinë dhe jo së fundi edhe për dyqanin e tij të verës dhe të pijeve alkoolike në pjesën veriore të Athinës. Optimizmi i tij bazohet para së gjithash në faktin se shumë prodhues të verës dhe kantina vera kanë nxjerrë përfundime nga kriza. Dhe i kanë ulur çmimet e prodhimit dhe të dorëzimit, thotë Stamatopoulos. "Sot ne orientohemi me qëllim tek prodhues të vegjël të verës në të gjithë Greqinë, që mund të ofrojnë cilësi të mirë me çmime të përshtatshme. Strategjia jonë po funksionon mjaft mirë. Vitet e fundit kanë qenë për ne të vështira, por gradualisht situata duket më e mirë", gëzohet tregtari i verës.

Dimitris Stamatopoulos
Dimitris StamatopoulosFotografi: DW/J. Papadimitriou

Por biznesi familjar rënkon para së gjithash nga barra e taksave: vera taksohet me një taksë prej 23 përqind, një taksë shtesë e konsumit u arrit të shmanget vetëm me punë intensive lobiiste. Shpenzimet rriten edhe nga taksa për pasuritë e patundshme, e futur në vitin 2011 si dhe nga taksa për vajgurin. Deri në vitin 2016, ndërmarrjet e vogla dhe ata që janë me profesion të lirë duhet të paguajnë edhe një shtesë solidariteti. "Shpresoj që taksat më në fund të ulen, njerëzit nuk janë më në gjendje të paguajnë", ankohet tregtari.

Moral i paqendrueshëm pagesash nga shteti

Për barrën e taksave ankohet edhe Makis Stathopoulos. Mësuesi i edukatës fizike nga Athina është pronar i disa palestrave të gjimnastikës në Athinë. Vitet e fundit ai shesh që fitimet i kanë rënë. Pasoja është e qartë: "Për fat të keq unë i kam para borxh shtetit, për kontribute sociale. Por edhe shteti më ka borxh para, për shkak të parapagesës së lartë që bëj unë për taksat", ankohet ai. "Mua më kërkojnë t'i paguaj menjëherë borxhet e mia dhe t'i paguaj me para në dorë. Kurse shteti i paguan borxhet e tij kur i përshtatet atij."

Samaras: më e keqja është kapërcyer

Andreas Andrianopoulos
Andreas AndrianopoulosFotografi: DW/J. Papadimitriou

Për kryeministrin Antonis Samaras kthesa në ekonominë greke ka kohë që duket: më e keqja sipas tij është kapërcyer dhe borxhet e vendit në shifra absolute janë madje në rënie, deklaroi kryeministri të shtunën (06.09.2014) në hapjen e panairit më të madh të tregtisë në Selanik. Zgjedhësve të munduar nga kriza ai për herë të parë u foli për perspektivën e uljes së taksave - midis tyre edhe një ulje të taksës së vajgurit dhe të shtesës së solidaritetit. Me këtë Samarasi ndjek një traditë të vjetër. Panairi i vjeshtës me të cilën mbyllen pushimet verore është për çdo politikan një rast ideal për të premtuar vepra bamirësie.

Por disa ekspertët kanë një vështrim më të diferencuar. Ish-ministri i Industrisë dhe docenti i politikës ndërkombëtare, Andreas Andrianopoulos thotë se ulja e taksave është veprim i arsyeshëwm dhe i nevojshëm. Por kjo duhet të shoqërohet nga një zvogëlim i madh i aparatit të tejfryrë shoqëror, gjithçka tjetër nuk është e financueshme.

Bisedimet e para për uljen e mundshme të taksave, përfaqësuesit e qeverisë i zhvilluan me troikën në fillim të shtatorit. Do të pasojnë bisedime të tjera. Kanali televiziv MEGA njofton se në nëntor për këtë do të zhvillohet një konferencë borxhesh në SHBA.