1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në nevojë urgjente për para

Thomas Bohrmann/Lindita Arapi12 Maj 2015

Përparim por edhe pengesa: Greqia - fëmija problematik i Europës ishte në qendër të takimit të eurogrupit të hënën në Bruksel. BE dhe Greqia synojnë arritjen e kompromisit deri në fillim të qershorit.

https://p.dw.com/p/1FOTO
Euro-Finanzministertreffen in Brüssel Yanis Varoufakis Jeroen Dijsselbloem
Varoufakis me Dijsselbloem, kreun e eurogrupit në Bruksel (11.05.2015)Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Apelet e Greqisë po bëhen gjithnjë e më dramatike: Rezervat financiare të vendit të goditur rëndë nga kriza mund të marrin fund brenda disa javësh. Vetë ministri grek i Financave Janis Varoufakis e ka bërë të ditur këtë rrezik pas takimit të eurogrupit në Bruksel ditën e hënë (11.05). Çështja e likuiditetit të Greqisë "është një problem shumë urgjent. Këtë e dinë të gjithë, nuk kemi nevojë ta fshehim". Megjithatë Greqia ia doli të paguajë këstin e radhës prej 750 milionë eurosh Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Duhet ujdi e shpejtë

Në takimin e Brukselit partnerët europianë theksuan se Greqia ka bërë "përparime", por nuk janë kapërcyer të gjitha vështirësitë. Duhet më shumë ritëm në reformën e pensioneve dhe kursimeve. Partnerët europianë synojnë një paketë reforme me Greqinë në tre javët e ardhshme. Zyrtarisht kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem nuk ka folur për afate konkrete, por ka thënë se "kemi nevojë për një ujdi të shpejtë, para se gjërat të marrin udhën e gabuar. Ndërsa kreu i ombrellës europiane të shpëtimit, ESM, Klaus Regling është shprehur se "nuk ka mbetur shumë kohë."

Euro-Finanzministertreffen in Brüssel Yanis Varoufakis
Xhepat bosh- Varoufakis pranon urgjencën me likudititetinFotografi: J. Thys/AFP/Getty Images

Megjithëse Greqisë po i mbaron koha, madje ka zëra se Greqia që këtë javë nuk ka më likuiditet, vendet e eurogrupit kanë bërë të qartë se paratë do të rrjedhin vetëm nëse Greqia nuk zhytet më thellë në borxhe dhe kjo kërkon që qeveria e Alexis Tsipras, përkundër premtimeve zgjedhore të ndërmarë masa kursimi, si rritjen e tatimeve apo shkurtimin rishtazi të pensioneve.

Zgjatja e negociatave rrit pasigurinë në Greqi

Vetë në Greqi qytetarët janë të ndarë lidhur me debatin grek me partnerët europianë. Në këtë debat është përfshirë edhe Evangelos Venizelos nga partia socialdemokrate opozitare, PASOK, vetë ministër në qeverinë e mëparshme. Venizelos akuzon qeverinë për paaftësi dhe mungesë veprimi: " Vendi ynë ka nevojë për një strategji të qartë. Ka dy mundësi: Ose ju ktheheni tek ajo politikë, të cilën ne e ndoqëm deri në janar. Një politikë, të cilën ju e hodhët poshtë, e varrosët, dhe e pështytë. Ose po qe se nuk doni të ktheheni aty, vendi ynë shkon drejt katastrofës."

Griechenland Wahlen Januar 2015 PASOK
Venizelos kritikon qeverinë Alexis TsiprasFotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Qeveria e re greke ndodhet në një situatë të vështirë: Sa më shumë që zgjasin negociatat, aq më shumë rritet pasiguria në vend, aq më gjatë vazhdon paraliza e ekonomisë greke, gjë që e zmadhon edhe më shumë deficitetin buxhetor grek, me pasojë nevojën për shkurtime të tjera. Gjatë gjithë fundjavës ministrat e qeverisë greke u morën me masat e reja të kursimit. Me shumë gjasë do të ketë privatizime të shumë firmave shtetërore, një tatim të veçantë për hotelet në ishujt e Egjeut, dhe shkurtim të disa pensioneve. Por rezistenca në kampin e majtë të partisë qeverisëse Syriza kundër masave të kursimit është e fortë, arsyeja pse qeveria e Tsiprasit ende nuk ka marrë vendime.