1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Greqia djepi i kulturës evropiane: Çfarë na intereson sot nga filozofia antike?

Platoni, Aristoteli dhe Epikuri, disa nga emrat më të spikatur të antikitetit. Kultura evropiane bazohet mbi veprat e filozofëve grek të shekullit të 5-të p.e.s. Ç'mund të na thonë filozofët pas 2000 vjetësh?

Platoni dhe Aristoteli, pikturë e Rafaelos (1509-1511) në Muzeun e Vatikanit

Platoni dhe Aristoteli, pikturë e Rafaelos (1509-1511) në Muzeun e Vatikanit

"Ideja e periudhës klasike është personaliteti i shëndoshë njerëzor i shkolluar në mënyrë harmonike të gjithanshme." Kështu siç është shprehur filologu i lashtësisë Ludvig Curtius mund të flitej në fillim të viteve 50- të shekullit të kaluar. Në atë kohë mund të konfrontoheshe në një mënyrë të thjeshtë me tekstet, gjërat merreshin fjalë për fjalë. Shprehja e Sokratit "Unë di që nuk di asgjë" mori një përdorim të gjerë. Kjo është një shprehje e modestisë intelektuale që nuk është karaktersitike vetëm për filozofët.


Sokrati është i njohur edhe për qetësinë e tij. Për akuzë të mosbesimit ndaj Zotit ai u dënua me vdekje. Ai e pranon vendimin dhe deklaron në gjyq. Ai shkon drejt vdekjes, kurse gjykatësit drejt jetës. Por shtoi: "Se kush nga ne po merr rrugën më të mirë nuk e di askush përveç Zotit."

Vdekja e Sokratit (469 - 399 p. K.)

Vdekja e Sokratit (469 - 399 p. K.)

Janë skena të tilla që njerëzit i bëjnë të mendojnë deri në ditët tona. Ndoshta bëhet fjalë në këtë rast për figura ideale për të arritur qëllime të larta shpesh shumë të larta. Pikërisht për këtë ato kanë karakterin udhërrëfyesit, mendon Ludvig Curtius. "Por në fund të fundit ky është thelbi, i cili përmbledh një njerizillëk të madh dhe me nivelin më të lartë të personalitetit njerëzor, që ishte dhe qëllimi i klasicizmit të lashtë."


Filozofët e ditëve tona nuk i shikojnë tekstet e grekëve të lashtë si udhëzues veprimi për sot

Duhet të jemi të kujdesshëm, thekson filozofi Marcel von Ackeren, i cili jep leksione në universitetin e Këlnit. Tekstet nuk mund të lexohen ashtu siç do t'i vinte përshtat dikujt. Duhet marrë parasysh edhe koha në të cilën kanë shkruar ato. Midis profanëve vetëm lexuesit më të paktë e marrin parasysh këtë. Arësyeja është e qartë. "Autorët e antikitetit nuk mund ta mbrojnë më vetveten. Në shkrimin kritik ndaj Platonit thuhet se problemi i shkrimit është se autori nuk mund të mbrojë më vetveten dhe në mënyrë të veçantë autorët e antikitetit përdoren si tabela projektimi. Kjo do të thotë se gjithkush mund të projektojë në këto fragmente tekstesh, ose tekste të komplikuara në mënyrën e vet të të kuptuarit, idealet e veta, ose qëllimet e veta filozofike."

Për këtë tekstet e antikitetit janë shpesh herë joshës. Platoni flet për shembull në veprën e tij "Phaidros" për të folurit se "ai, i cili e zotëron atë, bëhet aq i lumtur sa mund të bëhet një njeri." Por kjo nuk duhet marrë fjalë për fjalë shpjegon Marcel van Ackeren. "Ka ndonjëherë diçka romantike, ose idealizim në këtë. Shpeshherë kjo ka të bëjë me atë se nuk ka pasur vetëm përparim në zhvillimin kulturor, por shumë gjëra kanë humbur me kohën dhe këto i marrim përsëri nga antikiteti."

Busti i filozofit grek, Epikur

Busti i filozofit grek, Epikur

Kontributi thelbësor i filozofëve grekë në zhvillimin e mendimit politik

Në idetë e tyre për demokracinë bazohet identiteti evropian deri në ditët tona. Kjo e ka bërë edhe Marcel van Ackeren të zgjedhë filozofinë antike si objekt të studimit të tij. Atë e ka mahnitur një gjë mbi të gjtha: "Ideja se kjo hapësirë politike është një zonë në dispozicion të njerëzve, në të cilën ata vetë mund të vendosin për bashkëjetesën e tyre dhe të mos jenë më të varur nga dëshira e Zotit, të cilën ata janë të detyruar ta përmbushin. Ky ishte për mua mendim shumë i rëndësishëm, që më ka bërë të afrohem me paraadhësit e Sokratit, si Platoni, apo Aristoteli."

Por historiani i lashtësisë Kristian Majer mendon se demokracia nuk lindi nga hiçi. Ajo ishte produkt i arritjes së kompromiseve politike. "Rezultati ishte një identitet qytetar i fortë, një e drejtë praktike e shtresave të gjera të popullsisë për të vendosur. Rezultati ishte një lloj ekulibri midis popullit dhe aristokracisë. Ky lloj rregulli quhet izotomi si një rregull barazie, në të cilin u bë e vlefshme barazia e qytetarëve në kuptimin politik."


Filozofët grekë argumentonin në nivelin më të lartë moral. Në të vërtetë këto ideale nuk mund të përkthehen fjalë për fjalë. Prandaj ato janë një sfidë, por dështimi është thuajse i paevitueshëm. Ndoshta është pikërsisht kjo, që i mban këto tekste dhe lexusit e tyre kaq aktivë.

Autor: Kersten Knipp / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica