1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Shpresë dhe frikë për të ardhmen

Janis Papadiitriu19 Janar 2015

Greqia para zgjedhjeve. Disa janë të shqetësuar për stabilitetin e vendit, të tjerë kërkojnë një ndryshim politik radikal.

https://p.dw.com/p/1EMQa
Fotografi: picture alliance/dpa/Y. Kolesidis

Parashikime të zymta ekonomike, paralajmërime për falimentim, grindje mes qeverisë dhe opozitës: Jorgos Sarandopoulos i ndjek me shqetësim të madh lajmet televizive në dyqanin e tij në Athinën Veriore. Ai është berber, tani është bërë baba dhe biznesi i tij i vogël varet prej kushteve të qëndrueshme ekonomike dhe sociale në vend.

Fushata elektorale greke po polarizon si kurrë më parë në 20 vitet e fundit: Kryeministri konservator Antonis Samaras lufton për mbijetesën e tij politike dhe paralajmëron për një dalje nga eurozona në rast të një ndryshimi të qeverisë. Kurse opozita e majtë që kryeson në të gjitha sondazhet flet për prishjen e marrëveshjeve me huadhënësit dhe për ribisedime për borxhin grek - madje deri në një moratorium të borxhit.

Alexis Tsipras Syriza 03.01.2015 Athen
Fotografi: AFP/Getty Images/A. Tzortzinis

Sarandopoulos po vuan shumë nga kriza ekonomike. Ashtu si shumë grekë të tjerë edhe ai shpreson për liberalizimin e politikës së kursimit- kjo sepse aktualisht ka për të paguar kredinë bankare që ka marrë para fillimit të krizës ekonomike për të modernizuar dyqanin e tij. Ai thotë që partitë greke duhet të gjejnë një linjë të përbashkët se si ta përballojnë krizën

"Greqia nuk e meriton këtë"

Edhe Leonidha, nëpunës banke në Athinë është i shqetësuar. As atij nuk i pëlqen retorika radikale elektorale. "Ne jemi në një gjendje të vështirë dhe vetëm mund të shpresoj se zgjedhjet e reja do të sjellin stabilitet" thotë ai. Dhe shton se nuk është fjala vetëm për të, por për fëmijët e tij, për një të ardhme më të mirë, sepse Greqia nuk e ka merituar një gjë të tillë."

Por si mund të jetë një e ardhme më e mirë për Greqinëi? Për këtë dëgjon pak në fushatën zgjedhore greke, ku politikanët e vendit janë më shumë të preokupuar me padi ndaj njëri-tjetrit. Sidomos mbi papunësinë rekord dhe rolin e shtetit në jetën ekonomike ka aktualisht plot beteja verbale. Ndërsa opozita e majtë premton favore të financuara me fonde publike dhe dëshiron t'i pezullojë privatizimet, kryeministri konservator Samaras këmbëngul për vazhdimin e lehtësimeve fiskale dhe për stimuj për kompanitë që të investojnë.

Jorgos Sarandopoulos mendon se: „Vetëm në ekonominë private mund të krijohen vende të reja pune dhe privatizimet mund t'i shërbejnë kësaj“. Strukturat e rrënjosura shtetërore në ekonomi dhe disa nga sindikatat e plotfuqishme, kanë ndikuar tek kriza e sotme, beson berberi Sarandopoulos.

Zëra të fortë për ndryshim politik

Evangelia Alexaki mendon ndryshe. Ajo bën pjesë ndër 595 punonjësit e dikurshëm të Ministrisë së Financave që humbën në shtator 2013 vendet e punës për shkak të kursimeve. Pastrueset protestojnë për ditë me fshesa në dorë përpara ministrisë. "Ne luftojmë për të mbijetuar, pushimi ynë nga puna qe i padrejtë. Unë jam 60 vjeç dhe nuk gjej dot më as punë tjetër dhe s'kam as pension" - thotë Evangelia Alexaki.

Wahlkampf in Griechenland
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Alexaki i ka shpresat tek Syriza. Ajo thotë se nuk ka frikë prej paralajmërimeve të partisë në pushtet dhe se Greqia ka nevojë për një ndryshim. "Fëmijët tanë po emigrojnë jashtë, vendin po e shesin, ka shumë njerëz që kërkojnë ushqime në kazanët e plehërave, apo janë të pastrehë" - thotë e zemrëruar Alexaki.

Pastrueset e pushuara nga puna kanë arritur ndërkohë një sukses të pjesshëm. Në maj 2014 një gjykatë në Athinë urdhëroi rikthimin e menjëhershëm të 397 pastrueseve. Qeveria greke u ankua ndaj vendimit dhe gjykimi pritet në shkurt. Tani pastrueset shpresojnë për një vendim politik - nga një qeveri e krahut të majtë.