1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata kushtetuese: Zgjedhja e Pacollit jo kushtetuese

29 Mars 2011

Gjykata Kushtetuese e shpalli jo kushtetues vendimin e Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit Behxhet Pacolli. Asnjëra nga institucionet qëndrore të vendit nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës.

https://p.dw.com/p/10jSR
Kosovo's Behgjet Pacolli newly elected President is seen during a visit to the family of late Kosovo's president Ibrahim Rugova in Kosovo's capital Pristina, on Wednesday, Feb. 23, 2011. Kosovo parliament elected businessman Behgjet Pacolli as the country's new president on Feb. 22, 2011. (AP Photo/Visar Kryeziu)
Presidenti i Kosovës Behgjet PacolliFotografi: AP

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili u bë publik të hënën pasdite, pasoi kërkesën e 34 deputetëve nga LDK dhe AAK, të cilët kërkonin opinonin e Gjykatës rreth procedurës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Në njoftimin publik të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se ajo njëzëri ka vendosur që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe me shumicë votash, shpall se: "Vendimi i Parlamentit të Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës me datë 22 shkurt 2011 është jo kushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty."

Si do të veprohet më tej?

epa02596406 Behgjet Pacolli, the newly elected president of Kosovo greet deputies at the parliament in Kosovo's capital Pristina, on 22 February 2011. Kosovo parliament has elected businessman Behgjet Pacolli as country's new president. EPA/VALDRIN XHEMAJ
Parlamenti i Kosovës zgjodhi me 22 shkurt Behxhet Pacollin president të KosovësFotografi: picture alliance/dpa

Mirëpo në njoftimin e Gjykatës nuk saktësohet se cilat do të jenë veprimet e mëtejme, nëse do të ketë një rivotim të presidentit aktual, apo duhet të zgjidhet një president i ri. Asnjëra nga institucionet qëndrore të vendit, Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria, nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zyrtarët institucionalö ka qenë e pamundur të kontaktohen. Përfaqësuesit e partive politike opozitare ndërkaq thonë se është në duar të Gjykatës Kushtetuese të sqarojë, se si duhet vepruar me tej. Gjykata Kushtetuese është e obliguar që brenda 24 orëve të bëjë publike të gjitha detajet e e vendimit të saj. Ndërkohë njëri nga anëtarët e kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, parti kjo e cila inicoi në Gjykatën Kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së presidentit Behxhet Pacolli, thotë. "Mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë dhe vendi të mos e rrezikojë as qëndrueshmërinë institucionale, as qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare dhe të gjitha elementet tjera në këtë drejtim", thotë Arben Gashi. Parlamenti i Kosovës më datën 22 shkurt zgjodhi president Behxhet Pacollin me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme. Ai u zgjodh president në raundin e tretë të votimit. Të pranishëm në sallë gjatë tri raundeve të votimit ishin vetëm 67 deputetë, ndërsa sipas Kushtetutës në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave për zgjedhjen e presidentit. Pikërisht mungesa e 80 deputetëve të pranishëm në sallë në dy raundet e para të votimit, sipas LDK-së, është arsyeja kryesore, se pse Gjykata Kushtetuese e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica