1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE

Angjelina Verbica12 Mars 2014

Gjosha: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy më kryesorët, ku qeverisë i kërkohet të japë më shumë prova.

https://p.dw.com/p/1BOY7
Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian
Fotografi: Blerina Visha/Ministerium für Europäische Integration, Tirana

Deutsche Welle: Zonja ministre, në vizitën tuaj në Gjermani zhvilluat takime me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme. Cilat janë arritjet konkrete, me të cilat Shqipëria erdhi në Berlin, duke patur parasysh pesë prioritetet, që i ka vënë BE për të përmbushur?

Gjosha: Vizita zyrtare në Gjermani çel turin e një sërë takimesh, që Ministria e Integrimit Evropian ka planifikuar të zhvillojë në disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në rajon. Më lejoni të theksoj se qëllimi i këtyre vizitave është t'u dëshmojmë partnerëve tanë punën konkrete, që qeveria shqiptare po bën në kuadër të përmbushjes se reformave, për të cilat është angazhuar përpara qytetarëve. Pata kënaqësinë dhe ndjehem e nderuar që gjatë këtyre ditëve në Gjermani ta përcjell këtë angazhim tonin tek zyrtarë të lartë, me të cilët ndamë bindjen e përbashkët se prespektiva dhe e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Në lidhje me 5 prioritetet mund t'ju them se puna jonë është përqendruar në përmbushjen sa më të shpejtë të tyre. Vizita ime në Gjermani vjen vetëm disa ditë pas tryezës së dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë, ku ne patëm mundësinë që në prani të Komsionerit për Zgjerimin z. Stefan Fyle të prezantonin planin konkret të masave, i cili është një dokument mjaft i rëndësishëm për adresimin e këtyre 5 prioriteteve. Përban afate, masa të qarta, të cilat në fakt kanë nisur të zbatohen nga Ministritë e Linjës, por edhe institucionet e pavarura. Gjithashtu mund t'ju them se me zyrtarët e lartë gjermanë pata mundësinë të prezantoj edhe disa prej arritjeve, që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku ne jemi të vendosur dhe të palëkundur të përdorim të gjitha kapacitetet dhe energjinë për të marrë rezultate konkrete.

Cili është mendimi i palës gjermane për përmbushjen e këtyre prioriteteve? A ka rezerva Gjermania?

Gjatë gjithë takimeve, që kam patur, reagimi dhe qëndrimi i partnerëve tanë ka qenë mjaft pozitiv në lidhje me përpjekjet e qeverisë shqiptare në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Është mirëpritur vullneti dhe puna konkrete dhe gjithashtu jemi inkurajuar të vazhdojmë me reformat e nisura të cilat, siç e kam theksuar vazhdimisht, në rradhë të parë i shërbejnë të ardhmes së vendit tonë, qytetarëve tanë, europianizimit brenda nesh, që është edhe gjëja më e rëndësishme.

Në cilat prioritete e vendos më shumë pikërëndesën Gjermania. Çfarë u lavdërua si e arritur dhe çfarë mbetet për t'u përmiresuar më tej?

Ne po punojmë paralelisht për përmbushjen e 5 prioriteteve, por mund t'ju them se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy më kryesorët, ku qeverisë i kërkohen të japë më shumë prova. Kjo është thelbësore dhe unë mund t'ju them se jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur sa më shumë rezultate në këtë drejtim. Jemi vlerësuar për vullnetin, që qeveria po tregon, dhe sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë për plotësimin e prioriteteve dhe të gjithë standardeve të kërkuara, por dua të theksoj se kemi të bëjmë me një proces, që kërkon kohën e vet dhe përfshirjen e gjithë shoqërisë shqiptare.

Komisionieri i zgjerimit Fyle kërkon gjithpërfshirjen jo vetëm të forcave politike, por të gjithë shoqërisë, të të gjithë qytetarëve? Si mund arrihet më së miri kjo?

E thashë dhe më sipër që integrimi i Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa gjithpërfshirje. Ndaj shpreh plotësisht të njëjtën bindje me Komsionerin Fyle dhe e kam përmendur vazhdimisht se është domosdoshmëri që për procesin e integrimit të jemi të gjithë bashkë për të dhënë kontributin tonë. Kjo sepse ndryshimi, progresi vjen pikërisht nga ne. Nuk mund të presim që të na dhurohet Bashkimi Evropian. Duhet të kuptojmë që jemi ne, që do të shkojmë drejt tij si një destinacion i shumëpritur dhe tërësisht i arritshëm. Dua të jem e qartë se kjo përpjekje nuk i përket vetëm një qeverie, shkon përtej në mandate. Kërkohet bashkëpunim shumëplanësh dhe nga të gjithë aktorët. Vetëm kështu jam e bindur se mund t'ia dalim.

Sa pengesë mund të bëhet mosharmonizimi i veprimeve dhe i toneve ndërmjet pozitës dhe opozitës në këtë proces?

Opozita ka rol thelbësor në procesin e integrimit të vendit. Mendoj se për këtë proritet kombëtar e gjithë klasa politike shqiptare duhet të kapërcejë mosmarrëveshjet dhe të punojë bashkë në dobi të përshpejtimit të këtij procesi, por mbi të gjitha në dobi të qytetarëve shqiptare. Reformat që qeveria është duke ndërmarrë nuk janë pjesë vetëm e një elektorati, ato janë në interes të vendit dhe për këtë kërkojnë konsesus. Brukseli ka theksuar faktin se bashkëpunimi ndërpartiak është thelbësor për statusin e kandidatit, por ky bashkëpunim është i rëndesishëm edhe për vete përparimin e vendit tonë. Siç e dini duhet vullneti i të dyja palëve për ta arritur këtë konsensus. Qeveria e ka treguar gadishmërinë e saj duke e ftuar opozitën të jetë pjesë konstruktive e të gjitha reformave, që po ndërmerren. Ne jemi të hapur dhe të predispozuar maksimalisht për të bashkëpunuar.

Mendoni se Shqiperia do ta kalojë kësaj rradhe provimin dhe do t'i jepet statusi i vendit kandidat?

Marrja e statusit të vendit kandidat nuk është as fundi dhe as fillimi i procesit të integrimit, por vetëm një fazë e tij. Vendimi u takon vendeve anëtare. Detyra jonë kryesore është të intensifikojmë reformat dhe t'i përmbahemi me përpikmëri planit të veprimit. Pavarësisht statusit, reformat përmirësojnë jetesën, forcojnë shtetin e së drejtës dhe sjellin më shumë barazi dhe drejtësi. Ky është komponent themelor i planit të veprimit. Jemi optimistë për avancimin e procesit të zgjerimit. Shumë vende po bëjnë përparim dhe besojmë se Shqipëria po e shpejton ritmin drejt integrimit në BE. Bashkimi Evropian është pro zgjerimit dhe Shqipëria i ka të gjitha arsyet, që të ecë me hapa të shpejtë në këtë proces.

Vizita në Gjermani është pjesë e turit promocianal për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në vendet e BE? Cilat vende të BE-së do të vizitoni akoma e çfare prisni prej tyre?

Në Berlin do të ketë edhe një tjetër vizitë zyrtare, ku delegacioni do të kryesohet nga Kryeministri. Pjesë e axhendës do të jenë vizitat në Greqi, Londër, Hollandë, por edhe në vende të tjera anëtare të BE dhe rajonit.