1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania vendos këtë javë për armët, gati dhe Shqipëria me armë për kurdët

afp, dpa, rtr /la27 Gusht 2014

Pentagoni përmend se po shtohet lista e vendeve që duan të dërgojnë armë tek kurdët në Irak. Krahas vendeve si Gjermania, edhe Kanadaja, Danimarka, por edhe Shqipëria janë pjesë e listës kundër IS.

https://p.dw.com/p/1D1gY
Fotografi: Getty Images

Rritet lista e atyre shteteve që duan të mbështesin me armë kurdët. Agjencia gjermane e lajmeve dpa, i referohet të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes në Uashington, sipas të cilave jo vetëm Gjermania, por edhe Kanadaja, Danimarka, Kroacia, si edhe vendi më i ri i NATO-s, Shqipëria janë të gatshme të dërgojnë armë tek kurdët në Irak, njofton agjencia gjermane e lajmeve. Lajmin e publikon edhe agjencia e lajmeve afp. Furnizimet ndërkohë kanë filluar, bëri të ditur ministri amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel të martën. Italia, Franca dhe Britania e Madhe, të cilat Hagel i falënderoi për mbështetjen, e kanë dhënë më parë miratimin për furnzimin me armatime në luftë kundër IS.

Bundestag Berlin Debatte
Fotografi: picture-alliance/dpa

Bundestagu nuk do të votojë për armët

Ndërsa qeveria gjermane sipas deklaratave të kancelares Merkel do të vendosë më së voni këtë dielë për dërgimin e armëve në Irak dhe furnizimin e kurdëve, luftëtarëve Peshmerga. Kancelarja Merkel ia tha këtë transmetuesit publik gjerman, MDR. Parlamenti Gjerman mund të debatojë për këtë temë, por çështja nuk do të kalohet për miratim formal. Opozita nga ana e saj kërkon vendim të Bundestagut për dërgimin e armëve në Irak. "Gjatë kësaj jave, përfshi edhe të dielën, pra para seancës së Bundestagut ne do të marrim vendimet tona përfundimtare" tha Merkel pr MDR. Kryetarja e partisë kristiandemokrate theksoi se Bundestagu nuk do të votojë formalisht. Të hënën e ardhshme, kancelarja Merkel do të mbajë edhe një fjalim qeveritar për këtë çështje. "Por sipas kancelares gjermane, "brutaliteti i pashoq i IS duhet të ndalet."

Bundeswehri paraqet të mërkurën një listë me armët që mund t'u dërgohen kurdëve që luftojnë kundër forcave të IS, shtetit islamik në Irak. Ndërkohë ekstremistët kanë marshuar me sukses edhe në Siri, me qëllimin për përhapjen e kalifatit, shtetit islamik në Irak dhe Siri. Grupit të IS i mvishen një sërë krimesh mizore kundër civilëve.