1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania vazhdoi mandatin e ushtarëve të saj në Kosovë

Bahri Cani5 Qershor 2014

Bundestagu gjerman e ka vazhduar misionin ushtarak të Bundeswehrit në kuadër të Kforit. Vendimit i ka paraprirë një debat, ku vetëm e Majta ishte kundër vazhdimit të mandatit.

https://p.dw.com/p/1CDOx
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, me përjashtim të së Majtës, votuan pro vazhdimit të misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, në kuadër të trupave ndërkombëtare të KFOR-it. Në fund të debatit, prej 598 deputetëve prezentë, 532 u deklaruan për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. 59 ishin kundër, ndërsa abstenuan shtatë deputetë.

Në propozimin e qeverisë gjermane thuhet se gjendja në Kosovë në parim është e qetë, por "potenciali i shkallëzimit mbetet i lartë", në veçanti në veri të Kosovës me shumicë serbe.

Mbështetësit e vazhdimit të mandatit theksuan se qëndrimi ushtarëve gjermanë në Kosovë ka për synim garantimin e sigurisë në këtë vend. Qëllimi përfundimtar i bashkësisë ndërkombëtare është që të zvogölohet numri i ushtarëve të huaj në Kosovë, por aktualisht kjo nuk është e mundshme.

Deputeti i grupit parlamentar CDU/CSU Peter Beyer theksoi se kundërshtimi i misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë prej të Majtës nuk është vetëm vendim i keq, por edhe ofendim për ushtarët, që shërbejnë dhe kanë shërbyer në këtë vend. "Pas përfundimit të luftës, në misionin paqësor në Kosovë kanë qenë rreth 50.000 ushtarë të NATO-s. Ndërsa sot atje kanë mbetur vetëm rreth 5000, prej tyre 700 ushtarë gjermanë. Por Kosova ende ka nevojë për këto trupa për të garantuar sigurinë", theksoi Beyer. Sipas tij, Kosova dhe Ballkani duhet të kenë një përspektivë të hapur evropiane, siç është premtuar edhe në samitin e Selanikut. Beyer theksoi se potenciali më i madh i konfliktit është në veri, ndaj edhe Kfori është i domosdoshëm.

Siguria e brishtë

"Ura mbi lumin Ibër ende është e mbyllur. Në veri ka pasur shpërthime dhe dhunë. Mosbesimi është ende tepër i madh, ndaj misioni i Kforit është i domosdoshëm", theksoi Beyer duke shtuar se prej fillimit të misionit të Kforit e deri më sot në Kosovë kanë shërbyer rreth 100.000 gjermanë ushtarë.

"Çdo vendim tjetër do të ishte i papërgjegjshëm, sepse duhet evituar kthimin e dhunës dhe duhet vazhduar dialogun. Ndërkohë që Serbia duhet të ndëpresë financimin e strukturave serbe në këtë vend", theksoi Beyer. Ai sikur edhe folësit e tjerë kërkuan nga pesë vendet e BE, që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë. "Fatkqeqësisht BE-ja ende nuk e ka njohur Kosovën në tërësi. Kjo duhet të ndryshojë shpejt dhe duhet të mundësohet lëvizja e lirë e kosovarëve, sepse ata janë qytetarët e vetëm, që nuk mund të lëvizin pa viza", theksoi Beyer.

Tërheqja e Kforit do të ishte fatale

Deputetja Franziska Brantner, nga Partia Ekologjiste, sikur edhe shumica dërmuese e folësve mbështeti Marrëveshjen e Brukselit. "Prezenca e Kforit në Kosovë është e domosdoshme", theksoi ajo duke shtuar se tani jemi futur në fazën vendimtare të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe luftimit të kriminalitetit të organizuar, në veçanti në veri të Kosovës. "Ushtria kosovare ende nuk ekziston, ndaj tërheqja e Kforit do të ishte fatale për sigurinë", theksoi Brantner, e cila bëri të qartë se: "Serbia mund të pranohet në BE vetëm, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës. Një Qipro e re në BE nuk do të lejohet", tha ajo, e cila shpreson se serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Heqja e vizave dhe njohja e Kosovës

Sikur Beyer edhe Brantner kërkoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilën po e pengon shumë fakti që Kosovën ende nuk e kanë njohur pesë vende të BE. Julia Bartz e Unionit CDU/CSU hodhi poshtë të gjitha krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë, sepse në Kosovë ka cënuar gjenocidi, ndërsa në Krime jo. "Kfori është i domosdoshëm, sepse shumica serbe në veri ende nuk e njeh Qeverinë e Kosovës. Është bojkotuar edhe krijimi i ushtrisë kosovare. Misioni mund të përfundojë, vetëm kur të ketë një shoqëri demokartike, shumëetnike dhe kur të gjithë njerëzit të mund të jetojnë në paqë", nënvizoi Bartz.

Ndërsa Wolfgang Hellmich i partisë Socialdemokrate (SPD) theksoi se Kosova ka nevojë jo vetëm për siguri, por edhe për ndihmë nö arsim dhe zhvillim. "Në Kosovë janë bërë shumë përparime: janë mbajtur zgjedhjet lokale, është bërë shkrirja e strukturave paralele, janë shënuar hapa në afrimin e Kosovës me BE etj. Ndaj ne nuk duhet t'i rrezikojmë këto përparime dhe duhet të vazhdojmë mandatin e ushtarëve gjermënë atje", tha Hellmich i cili  paralajmëroi se pasojat e luftës nuk mund të tejkalohen për 10-15 vjet. Do të ketë nevojë ndoshta për një gjeneratë të tërë, gjë qe e di edhe Gjermania. "Tani Kosova ka nevojë për ndihma në zhvillimin ekonomik, funksionimin e shtetit juridik dhe në luftën kundër korrupsionit", nënvizoi ai.

Nevoja për ngritjen e forcave të armatosura

Në fund foli edhe deputeti i grupit parlamentar CDU/CSU Roderich Kiesewetter, i cili po ashtu nënvizoi përparimet e bëra, që kanë mundësuar uljen e ushtarëve prej 50.000 në 5000 ushtarë. "Gjermania dhe SHBA e kanë në Kosovë numrin më të madh të ushtarëve në këtë kontigjent. Ndërsa Kfori mbështetet sot si prej Kosovës ashtu edhe prej Serbisë", nënvizoi Kiesewetter. Në apelin e tij për Kosovën ai tha se duhet të ngrihen edhe forcat e armatosura vendore, të cilat duhet të kujdesen për sigurinë e të gjithë qytetarëe të Kosovës. Kjo forcë duhet të ketë kujdes dhe të mos shkaktohet në faktor përçarjeje, por në faktor sigurie për të gjihë qytetarët e vendit. Ndërsa në apelin për Sirinë, Kiesewetter tha se nga shtatë pikat e paraqitura si kërkesa, Serbia i ka realizuar pesë. Por kanë mbetur edhe dy të tjera: njohja e Kosovës, e cila është e domosdoshme para pranimit në BE dhe gjetja dhe denimi i atyre, që e kanë djegur ambasadën gjermane në Beograd.

"Reduktimi i trupave në Kosovë mbetet si synim, por duhet të bëhet varësisht nga gjendja e sigurisë. Kfori është i domosdoshëm në Kosovë edhe për të mbështetur punën e Eulexit në përndjekjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave të akuzuar për krime lufte", theksoi Kiesewetter.

Domethënia e vendimit dhe kostot

Mandati parashikon që në Kosovë të angazhohen më së shumti 1850 ushtarë gjermanë. Aktualisht atje ka rreth 700 ushtarë. Kostot e vazhdimit të këtij misioni janë rreth 68 milionë në vit dhe misioni në Kosovë është i dyti më i madhi i ushtrisë gjermane jashtë vendit, pas Afganistanit