1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Je i ri në Gjermani?

Vilma Filaj-Ballvora26 Maj 2011

I ri në Gjermani? Nuk i ka ke idenë e bankave, sigurimeve dhe si të gjesh shtëpi? Këtu gjeni disa ide që do t'iu ndihmojnë.

https://p.dw.com/p/11ON8
Fotografi: bilderbox.de

Shërbimi mjekësor

Kush ka një infeksion të zakonshëm shkon në fillim tek mjeku i shtëpisë. Mirë është që ai të jetë në afërsi të vendit ku banon. Përveç të ashtuquajturve «mjekë të përgjithshëm», ka edhe mjekë specialistë. Është mjeku i shtëpisë ai që e vendos në duhet ta kalojë pacientin te një specialist apo jo. Oraret e hapjes së klinikave mjekësore janë të ndryshme. Me përjashtim të shërbimeve të urgjencës, thuajse të gjitha janë të mbyllura në fundjavë dhe të mërkurave pasdite. Në rast nevoje mund të shkohet edhe në spital. Aty ka gjithmonë një departament urgjencash. Në raste kur duhet reaguar me shpejtësi të madhe, mund të vijë edhe urgjenca në shtëpi. Numri i telefonit është 112.

Telefon auf Schreibtisch
Në rast nevoje telefono 112Fotografi: DPA

Udhëtim me makinë

Në Gjermani trafiku shkon djathtas. Parakalimi bëhet vetëm nga e majta. Autostradat gjermane janë të preferuara, sepse ato nuk kanë kufizime shpejtësie, por ekziston një shpejtësi referimi aty rreth 130 km/orë. Në raste aksidentesh duhet thirrur policia, kështu është e sigurt që sigurimi do t'i heqë kostot e dëmit. Kush dëshiron të blejë një makinë, përveçse nëpër dyqanet e makinave, mund të kërkojë edhe nëpër ofertat e shumta të gazetave të përditshme ose në internet. Automjeti pastaj duhet regjistruar në pikën e licencimit (Zulassungsstelle) të Zyrës së Qarkullimit Rrugor. Informacionet e nevojshme mund të merren tek administrata e qytetit. Për ata që banojnë në Gjermani patentat e huaja zakonisht janë të vlefshme vetëm për gjashtë muaj. Pastaj patentat duhen riregjistruar. Përjashtim këtu bëjnë patentat e lëshuara në një vend të BE-së.



Institucionet zyrtare

Kush dëshiron të banojë në Gjermani për më shumë se tre muaj, duhet ta regjistrojë vendbanimin në zyrën e regjistrimit të banorëve (Einwohnermeldeamt) brenda shtatë ditësh. Për regjistrim kërkohen kontrata e qirasë ose një vërtetim nga i zoti i banesës. Për të drejtën e qëndrimit është përgjegjëse Zyra e Të Huajve (Ausländeramt). Aty duhet vërtetuar se si do të mbulohen shpenzimet gjatë studimit, qoftë me bursë, qoftë me kapital privat. Çdo muaj një student duhet të ketë në dispozicion të paktën 500 Euro. E drejta e qëndrimit jepet kur ke një vizë të vlefshme studimi, një pasaportë të vlefshme, dëshminë e sigurimit shëndetësor, vërtetimin e qiradhënësit dhe tre fotografi pasaporte. Ka raste kur kërkohet edhe një vërtetim mjekësor. Informacione të mëtejshme jep Zyra Akademike për Marrëdhëniet me Jashtë (Akademisches Auslandsamt) e cila në çdo universitet ka nga një filial të vetin.

Dyqanet

Dyqanet janë zakonisht të hapura nga ora 10 deri në 18. Bukëpjekësit, dyqanet e mishit dhe farmacitë hapen që herët në mëngjes. Supermerkatot e fillojnë punën më herët dhe rrinë hapur gjer në orët e mbrëmjes. Të shtunave shumë dyqane jashtë qendrës janë të hapura deri në mesditë. Disa dyqane të vogla mbyllen gjatë pushimit të drekës, pra, nga ora13 deri në 15. Të dielave, thuajse të gjitha dyqanet, me disa përjashtime, janë të mbyllura. Ndonjë gjë e vogël jashtë kohës së hapjes së dyqaneve mund të blihet edhe nëpër kioska ose pikat e karburantit.

Mirësjellja

Einkaufswagen Supermarkt Bio Bioprodukte Lebensmittel Biomarkt
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa
Deutschland Sicherheit Reisepass mit Fingerabdruck
Në Gjermani kur regjistrohesh të duhen disa dokumenta me veteFotografi: AP


Që gjermanët i japin shumë rëndësi përpikmërisë, ky nuk është vetëm një paragjykim. Vetëm nëpër party lejohesh të shkosh me vonesë. Gjermanët gjithashtu i mbajnë për të distancuar dhe jo të çlirët. Kjo vihet re edhe nga gjuha. Një personi të panjohur ose të moshuar i drejtohen me «Ju». «Ti» thonë vetëm kur e njohin më mirë njëri-tjetrin. Të rinjtë zakonisht flasin me «Ti» edhe pa u njohur. Përshëndetjet duke u puthur në faqe bëhen zakonisht vetëm mes miqve. Të tjerëve thjesht u jepet dora.

Paratë

Monedha e Gjermanisë është euro. Në shumicën e dyqaneve mund të paguhet edhe me karta bankare. Paratë mund të tërhiqen nëpër banka, arkat e kursimeve (Sparkasse) dhe në postë. Aty mund të hapësh një xhirollogari për të ardhurat dhe shpenzimet. Kush dëshiron të kursejë, mund të hapë një librezë kursimi. Mirë është që për këtë të krahasohen ofertat ndërmjet bankave me qëllim që interesat të jenë sa më të larta. Shumica e bankave u ofrojnë studentëve xhirollogari falas. Ia vlen të pyetet.

Barazia e të drejtave

Në Gjermani burrat dhe gratë kanë të drejta të njëjta. Kjo nuk do të thotë vetëm që gratë dhe burrat kanë të drejtë të barabartë për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe që gratë nuk duhet të diskriminohen në profesion. Në të gjitha sipërmarrjet e mëdha dhe nëpër universitete ka nga një person të ngarkuar enkas trajtimin e barabartë. Ndër të tjerash, ata kujdesen edhe që gratë të mos diskriminohen në konkurset për punësim. Ka disa ndërmarrje madje, të cilat kanë caktuar kuota për punësimin e grave. Në ofertat e punës shumë shpesh shkruhet: "Gra ose persona me aftësi të kufizuara dhe kualifikime të njëjta me konkurruesit trajtohen me përparësi». Gjithashtu nuk lejohet të diskriminohet askush për shkak të përkatësisë fetare.


Interneti

Gjermania ka një internet të shpërndarë mirë e që ofrohet nga sipërmarrje të ndryshme. Përpara se të zgjidhet një ofertë duhen krahasuar mirë kostot dhe shërbimet, gjë që nuk është edhe aq e lehtë. Me të ashtuquajturat «Flatrates» (tarifa të sheshta) në shumicën e rasteve mund të kursehen kostot. Kush nuk ka kompjuter të vetin, mund t'i krahasojë ofertat nëpër kafenetë e internetit, të cilat gjenden gjithandej nëpër qytetet e studenteve.

Sigurimi shëndetësor

Kush banon në Gjermani duhet të ketë një sigurim shëndetësor. Sigurimet janë ose ligjore ose private. Zakonisht studentët e huaj hyjnë në sigurimet publike. Për studentët ka tarifa speciale. Trajtimi mjekësor për të siguruarit është falas dhe barnat janë ose falas ose më të lira.

Symbolbild Kreditklemme scharf
Pamje simbolike. Në automatët e bankës sate mund të nxjerrësh euro, por jo vetëm aty, edhe banka të tjera ta ofrojnë këtë shërbimFotografi: dpa

Shpenzimet e nevojshme për jetesë

Sipas statistikave studentëve u nevojiten rreth 700 euro në muaj. Shpenzimet e jetesës në Gjermani janë relativisht të larta, prandaj është mirë që qiraja e banesës të jetë sa më e ulët. Kjo është ose kur e merr atë me qira së bashku me disa të tjerë, ose në konviktet e studentëve. Për këto të fundit kujdeset një institucion publik që quhet Studentenwerk. Në muze ose institucione të tjera kulturore, studentët zakonisht hyjnë me tarifa më të ulëta. Gjithashtu, ata nuk janë të detyruar të paguajnë tarifa për Radio-Televizionin publik. Edhe në udhëtimet e largëta ose trafikun lokal biletat për studentët ofrohen me zbritje. Në se një student është në gjendje të vështirë financiare, ai mund të shkojë për konsultim në Studentenwerk. Edhe komunitetet fetare të shkollave të larta janë në dispozicion të studentëve me këshilla.

Ndarja e mbeturinave

«Ndarja e mbeturinave» - për shumë njerëz kjo është një fjalë tipike gjermane, sepse në Gjermani mbeturinat ndahen veçmas që në shtëpi. Letrat, plastika, qelqet dhe pjesa tjetër hidhen secila në kazan më vete. Në shumicën e qyteteve ka kontejnerë grumbullues për qelqe, në disa edhe për letra dhe ambalazhe. Ka disa komuna që vënë në dispozicion lloje të ndryshme kazanësh për plehrat. Kazani bojë kafe për shembull mund të jetë për plehrat organike, ai i verdhë për materiale ambalazhi dhe ai blu për letra. Kazanët gri zakonisht janë për pjesën tjetër të mbeturinave. Bateritë dhe lëndët kimike janë mbeturina të një lloji tjetër dhe duhet të dërgohen në pikat speciale të grumbullimit. Shumica e shisheve dhe disa kanoçe mund të kthehen në dyqan kundrejt një pagese.

Mülltrennung 3.jpg
Pamje simbolikeFotografi: Bilderbox

Posta

Në Gjermani ka disa ofrues për shërbime korrieri, zarfesh dhe paketash. Më së shumti njihet Deutsche Post, simboli i së cilës është një bri i zi në sfond të verdhë. Në sajë të këtyre shenjave dallohen për shembull filialet e postës. Në to ka edhe sportele të Postbank-ut, ku ashtu si në banka dhe arka kursimi të tjera, mund të hapësh një xhirollogari. Zarfet e letrave hidhen nëpër kutitë e verdha të postës, të cilat gjenden nëpër rrugë ose në zyrat postare. Një pullë për zarf të zakonshëm brenda Evropës kushton 55 cent, ndërsa për kartolinat 45 cent.

Itineraret dhe qarkullimi

Gjermania ka një rrjet rrugësh dhe autostradash mjaft të përhapura, kështu që në të gjitha vendet mund të shkohet me makinë pa problem. Po s'pate makinë, atëherë mund të regjistrohesh në një Mitfahrzentrale dhe të kërkosh kështu njerëz që bëjnë të njëjtin itinerar. Ofertat më të shpeshta janë për distanca ndërmjet qyteteve. Brenda qyteteve ka mjete të trafikut lokal. Autobusët dhe trenat janë të përpiktë dhe të sigurt, por ato shpesh nuk udhëtojnë gjatë gjithë natës. Ndërsa taksitë në Gjermani janë të shtrenjta. Edhe rrjeti i hekurudhave për distanca të mesme dhe të largëta është mjaft i zgjeruar. Trenat e sipërmarrjes hekurudhore Deutsche Bahn dhe sipërmarrjeve të tjera më të vogla qarkullojnë në tërë Gjermaninë dhe, në varësi të distancës, ofrojnë tarifa të posaçme më të lira. Autobusët për distanca të largëta përdoren më rrallë, por ato gjithsesi qarkullojnë ndërmjet qyteteve të mëdha të Gjermanisë dhe Evropës, ku ka stacione trenash specialë. Deutsche Bahn me trenat e tij ICE ofron shpesh lidhjet më të shpejta përbrenda Gjermanisë. Prandaj fluturimet me tren brenda Gjermanisë ia vlejnë vetëm kur distancat janë shumë të largëta. Gjermania ka rreth 40 aeroporte, më i madhi syresh është ai i Frankfurtit, njëkohësisht i treti për nga madhësia në Evropë.

Feja

Shumica e gjermanëve janë të krishterë. 30 përqind e tyre janë katolikë, e po aq ungjillorë. Rreth 200.000 hebrenj jetojnë në Gjermani si dhe 3,5 milionë myslimanë. Fetë përgjithësisht bashkëjetojnë paqësisht me njëra-tjetrën. Megjithatë, herë pas here ka konflikte për përdorimin e simboleve fetare, të cilat shpeshherë përfundojnë nëpër gjyqe. Kështu për shembull, në shumë lande federale në shkollat publike ndalohet mbajtja e shamisë së kokës. Por as kryqi nuk lejohet në të gjitha landet që të varet nëpër klasë.

Siguria nëpër rrugë

Gjermania është një vend relativisht i sigurt. Megjithatë: Edhe këtu ka grabitje ose vjedhës. Nëpër qendrat e qytetit mund të lëvizësh lirshëm edhe në errësirë. Në rrugët më të veçuara ose në vende të mbyllura duhet pasur kujdes. Në pallatet e parkingut ka vende të rezervuara enkas për gra. Ato zakonisht ndodhen në afërsi të hyrjes. Me çantën e dorës gjithmonë duhet të kihet kujdes, sidomos nëpër ato vende ku ka atraksione turistike që të tërheqin lehtë vëmendjen. Në rast rreziku mund të thirret numri i emergjencës 110, i cili është falas nga çdo kabinë telefonike.

Rryma elektrike

Gjermania punon me rrymë 220 volt. Jo çdo spinë e botës hyn në prizat gjermane. Spinat e normës evropiane hyjnë në çdo prizë. Elektriciteti në Gjermani prodhohet nga qymyri, fuqia atomike si dhe energjitë alternative, si për shembull, nga fuqia diellore, ajo e erës dhe bio-karburantet. Çdo banesë mund të furnizohet me rrymë nëpërmjet njërit prej shumë sipërmarrësve furnizuese. Kriteri për zgjedhjen e tyre nuk është vetëm ana ekonomike. Duke zgjedhur rrymën elektrike, përzgjedh edhe burimin energjetik që dëshiron të përdorësh në banesë. Pra, kush është kundër fuqisë atomike mund të kërkojë një ofrues që deklaron se rryma e tij nuk prodhohet nëpër reaktorët bërthamorë.

Telefonia

Krahas linjave telefonike fikse që ofrojnë Deutsche Telekom dhe sipërmarrje rajonale, ka edhe një numër të madh sipërmarrjesh të tjera që ofrojnë numra telefonash celularë, në Gjermani të quajtur «handy». Ofertat janë të llojllojshme, duke filluar nga tarifat e sheshta e deri tek telefonat me karta të parapaguara. Shpesh për studentët ka zbritje. Kush telefonon shumë shpesh jashtë shtetit këshillohet të zgjedhë atë tarifë që ka ofertat më të lira me jashtë.

Numra të rëndësishëm telefonash:
Zjarrfikëset / Policia 110
Urgjenca 112
Prefiksi i Gjermanisë është 0049, pastaj vjen prefiksi vendor, por pa "0" përpara dhe më pas formohet numri i telefonit.

Viza

Kush dëshiron të studiojë në Gjermani dhe nuk është shtetas i Bashkimit Evropian, zakonisht ka nevojë për një vizë. Vizat janë të ndryshme. Kush dëshiron të studiojë nuk duhet të vijë me vizë turisti. Kush kërkon një vizë për studime a kurs gjuhe, duhet të ketë një pasaportë të vlefshme, fotografi pasaportash, të drejtën e regjistrimit në një shkollë të lartë (Hochschulzugangsberechtigung) që njihet nga Gjermania, dhe një dëshmi se është në gjendje t'i mbulojë vetë shpenzimet e një vit. Kërkesa për vizë shtrohet në ambasadën ose konsullatën gjermane në vendin e prejardhjes. Aty mëson edhe se çfarë gjërash duhen pasur parasysh.

Banimi

Banesat gjenden nëpër lajmërimet e vogla të gazetave të përditshme dhe javore si dhe në internet. Përveç kësaj në të gjitha universitetet ka kënde afishimesh të vogla, ku ofrohen banesa ose dhoma në banesa të përbashkëta. Në shumë qytete ka edhe «Mitwohnzentrale», të cilat janë agjenci që ndërmjetësojnë banesa. Qiratë në Gjermani janë shumë të larta. Më të larta ato janë në Mynih me afro 10 euro për metra katrorë, kësaj i shtohen edhe shpenzimet për ngrohje dhe elektricitet. Ndërsa qiratë më të ulëta janë në Lajpcig. (Gjendja e vitit 2010)

Autor: Gaby Reucher / A. Shuka
Redaktoi: Lindita Arapi