1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania një parajsë për mafien?

Stephanie Höppner11 Prill 2014

Bankat, kantieret e ndërtimit, lojërat e fatit: Ekspertët besojnë, se nuk ka thuajse asnjë sektor në Gjermani, ku të mos ketë depërtuar kriminaliteti i organizuar. Por ky problem nuk merret seriozisht.

https://p.dw.com/p/1Bftp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në fund u bë një marrëveshje mes palëve: Tre vjet e gjysmë dhe katër vjet e tre muaj heqje lirie duhet të vuajnë dënim burrat nga Siçilia, kështu vendosi Gjykata e Rrethit në Këln (09.04.2014). Lënda penale: Mbështetje për evazion fiskal dhe privim nga paga e punës. Katër të akuzuarit, që e kanë pranuar akuzën, kanë mashtruar shtetin gjerman dhe arkat e sigurimit social duke përfituar një shumë prej gjashtë milionë eurosh. Me ndihmën e 14 firmave fiktive u janë paraqitur fatura falso sipërmarrjeve të tjera të ndërtimit. Këto të fundit faturat fiktive ia kanë paraqitur zyrës së tatimeve për të paguar kësisoj më pak taksa.

Interesi i medias për vendimin në këtë proces ishte mjaft i madh, sepse pas marifeteve të të të akuzuarve mendohet të ketë një sistem - pra sistemin e mafies. Ndaj ky rast kishte marrë edhe emrin si procesi i "mafies së ndërtimit". Por nga këndvështrimi i drejtësisë ky supozim nuk qëndron, thotë për DW zëdhënësi i Gjykatës së Rrethit në Këln, Achim Hengstenberg. Nuk mundi të gjendet një lidhje me mafien. Madje në proces nuk kanë luajtur rol as "veprime të tjera", që rëndom janë tipike për mafien, thotë Hengstenberg.

Gjykata e Rrethit në Këln
Gjykata e Rrethit në KëlnFotografi: picture-alliance/dpa

"Në fakt është zhgënjyese që është konstruktuar një sistem i tërë firmash fiktive dhe në fund jepen dënime kaq të buta", thotë për DW Anna Neifer, gazetare dhe bashkëautore e dokumentarit të ARD-së "Kujdes mafia - Si e kërcënojnë bandat kriminale Gjermaninë". Për realizimin e filmit dokumentar, ajo ka xhiruar dhe hulumtuar intesivisht edhe lidhur me procesin në Këln. "Sipas dokumenteve, që ne kemi verifikuar, ka mjaft të dhëna, që disa prej të dënuarve kanë pasur kontakte me ish-mafiozë." Sidoqoftë, thotë ajo, një vendim të tillë në Këln pritej. "Ka pasur fare qartë një marrëveshje për ta shkurtuar procesin."

Mafia si problem global

Mafia në Gjermani: Për një kohë të gjatë një gjë e tillë konsiderohej si e paimagjinueshme. Por kohët kanë ndryshuar, për këtë janë të sigurtë ekspertët. "Mafia ka kohë që nuk është më një dukuri specifike italiane, por ndërkohë një problem global dhe ndërkombëtar", vëren André Schulz, kryetar i Lidhjes Federale të Nëpunësve gjermanë të Kriminalistikës (BDK). "Nëse për një kohë të gjatë Gjermania shihej si një vend, ku mafia italiane tërhiqej për të gjetur qetësi, sot ne e dimë, që grupime të ndryshme mafioze thuajse të patrazuar janë mjaft aktivë në bizneset e tyre." Fushat e veprimit të tyre sipas BDK-së janë: tregtia me narkotikë dhe armë, gjithnjë e më intensivisht edhe sektori i ndërtimit, ai bankar dhe i lojërave të fatit.

"Mafiozët marrin pjesë - të kamufluar si sipërmarrës legalë - në jetën ekonomike tek ne dhe depërtojnë në sektorin publik, duke aplikuar p.sh. në tendera kryesisht të sektorit të ndërtimit me oferta dumping, gjë që i merr frymën konkurrencës së ndershme", thotë Schulz. Zyra e Kriminalistikës në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, sipas mediave, posedon një dokument, sipas të cilit mafia italiane përfshihet fort në sektorin e ndërtimit në Renaninë Veriore - Vestfali. "Nuk ka thuajse asnjë kantier të madh ndërtimi këtu në vendin tonë, në të cilin të mos fitojë mafia", citohet nga ky dokument, ekzistencën e të cilit Zyra e Kriminalisitikës së landit as e pranon dhe as e përgënjeshtron.

Nga një raport sekret i BKA-së mësohet, se në Republikën Federale të Gjermanisë jetojnë të paktën 460 persona të dyshuar si mafiozë, shkruan revista Spiegel Online. Prej tyre më shumë se gjysma i përkasin klanit kalabrez Ndrangheta, 88 Camorra-s nga Napoli, 77 Cosa Nostra-s siçiliane dhe 14 klaneve të Puljas. Kryetari i degës së BDK në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, Sebastian Fiedler, i tha revistës Spiegel, se nuk ka pothuajse asnjë vend tjetër, në të cilin mafia ta ketë kaq të lehtë sa në Gjermani.

Pamje simbolike: mafia në Gjermani
Fotografi: picture-alliance / dpa

Mohimi i eksistencës së mafies

"Problemi më i madh lidhur me këtë temë në Gjermani është, se gjermanët gjithmonë thonë: Ne nuk kemi mafie", thotë gazetari Marko Rösseler, i cili gjithashtu ka bashkëpunuar për dokumentarin e ARD-së. Rösseler dhe kolegët e tij kanë investiguar në të dy vendet dhe kanë folur me prokurorë e hetues. Hulumtimet në Itali kanë ecur ndryshe nga ato në Gjermani. "Duhet theksuar, se në Itali njerëzit flasin me më shumë kurajo hapur lidhur me mafien e madje edhe e luftojnë atë, gjë që në Gjermani nuk ndodh kështu.“

Gjermania ua bën të thjeshtë strukturave mafioze, ky është mesazhi i protagonistëve të dokumentarit. "Në Gjermani mafia mund të veprojë thuajse e patrazuar", thotë në film Roberto Scarpinato, prokuror i Palermos. Gazetari Rösseler mendon se përgjegjës është edhe juridiksioni. Ndërsa në Itali tani mund të arrestohet edhe dikush, që ka kontakte me organizatat mafioze, në Gjermani mund të mbeten të pazbuluar madje edhe ata, të cilëve u provohet antarësia në një organizatë mafioze italiane, thotë autori i dokumentarit. "Mungon një juridiksion i përshtatshëm", vë në dukje edhe autorja Neifer. Sipas saj „autoritetet gjermane dhe ato italiane duhet të bashkëpunojnë më fort midis tyre.