1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mund të gëzohet për vite me rritje ekonomike

Sabine Kinkartz/ Auron Dodi16 Prill 2014

Qeveria gjermane pret për vitin 2014 si edhe vitin e ardhshëm 2015 një rritje koniunkturore prej 1,8 përkatësisht dy përqind. Ministri gjerman i Ekonomisë, Gabriel pret dy vite të suksesshme nga pikëpamja ekonomike.

https://p.dw.com/p/1BjCV
Sigmar Gabriel ne prognozen e pranveres te qeverise gjermane
Sigmar Gabriel ne prognozen e pranveres te qeverise gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Në vitin 2013, produkti i brendshëm bruto - që është shuma e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të gjeneruara - u rrit me vetëm 0,4 përqind në Gjermani. Në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm rritja do të jetë shumë më e madhe. "Ekonomia gjermane ndodhet në një fazë rritjeje solide", tha ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel në prezantimin e prognozës së pranverës të qeverisë federale. "Në bazë të prognozës tonë, rritja ekonomike ndodhet në një bazë të gjerë dhe stabile". Me përllogaritjet e saj, qeveria gjermane bashkohet me parashikimet e instituteve kryesore ekonomike gjermane, të cilat parashikuan javën e shkuar për vitin në vazhdim një rritje ekonomike prej 1,8 dhe për vitin e ardhshëm një rritje prej 2,0 përqind.

Në këto parashikime megjithatë nuk janë llogaritur pasojat që do të kishte një përshkallëzim i situatës në marrëdhëniet midis BE dhe Rusisë në kuadër të një ashpërsimi të sanksioneve. "Natyrisht që në prognozë ne nuk mund të marrim parasysh një ashpërsim të gjendjes aktuale, qoftë edhe për vetë faktin, sepse ne nuk e duam këtë ashpërsim", u shpreh Gabriel.

Deutschland Wirtschaftswachstum
Fotografi: picture alliance/chromorange

Por sipas tij, gjithashtu mbetet e qartë se qeveria gjermane nuk ka frikë dhe është e gatshme të përballet në mënyrë të qartë me një shkallëzim tjetër të situatës. "Nëse Rusia nuk do të kujdeset më në fund që shkallëzimi të marrë fund, atëherë ajo duhet të llogarisë që Gjermania dhe Evropa janë të gatshme që të aktivizojnë shkallën e tretë të sanksioneve", paralajmëroi ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskancelari në Berlin.

Gjermanët me tendencë për të blerë

Në prognozën e pranverës, qeveria gjermane konstaton se është ekonomia vendase ajo që e shtyn përpara rritjen ekonomike. Sipas kësaj, gjermanët po blejnë më shumë se më parë. Këtë vit, shpenzimet private të konsumit pritet të rriten me 1,5 dhe në vitin e ardhshëm me 1,8 përqind. Tendenca për të blerë përforcohet, sepse gjendja në tregun e punës është e shtensionuar. Numri i të punësuarve do të rritet këtë vit, duke arritur një shifër të re rekord prej 42,1 milionë të punësuar.

Ai që ka punë, fiton edhe para. Të ardhurat e ekonomive private do të shtohen fuqishëm: këtë vit me 2,9 dhe vitin e ardhshëm me 3,3 përqind. Pozitive është atmosfera edhe tek sipërmarrjet gjermane. Në bazë të prognozës së pranverës, investimet në makineri dhe pajisje do të rriten me 4,1 përqind këtë vit dhe me 4,7 përqind vitin që vjen. Kjo në një kohë kur ekonomia gjermane përfiton në mënyrë të dukshme nga shlodhja e ekonomisë botërore dhe gjendja në eurozonë.

Eksportet gjermane do të rriten këtë vit me 4,1 përqind. Vitin që vjen, qeveria gjermane pret një rritje me 4,6 përqind. Edhe më e madhe do të jetë rritja e importeve: 4,7 përqind këtë vit dhe 5,1 përqind vitin e ardhshëm. Nëse këto parashikime do të rezultojnë të sakta, atëherë do të ulet edhe teprica gjermane në bilancin e pagesave, e cila është kritikuar kudo në botë.