1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mbështetje qeverisë së Tiranës për të tërhequr investime të huaja

Ani Ruci31 Janar 2014

Gjermania do të mbështesë Shqipërinë për të zënë vendin që meriton në tërheqjen e investimeve të huaja dhe atyre gjermane thotë ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann.

https://p.dw.com/p/1B08z
Porti i Durresit në Shqiperi
Fotografi: DW / Cama

Investimet e huaja mbetet jetike për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Lidhur ngushtë me stabilitetin politik, rritja ekonomike përcakton në fund të fundit edhe ritmin e afrimit të Shqipërisë me BE. Si në një efekt domino politikat, që ideojnë reforma në zbatim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndikojnë direkt në klimën e biznesit, që nga ana e vet përcakton ardhjen ose largimin e investitorëve të huaj, oksigjenit për rritjen ekonomike. Pak muaj larg nga qershori i këtij viti, kur Komisioni Europian do të vendosë për statusin e vendit kandidat, Gjermania i ofron përsëri Shqipërisë mbështetjen e saj për të kryer përmirësuar klimën e biznesit dhe rritur investimete huaja.

Shoqata gjermane e Industrië dhe Tregëtisë në Shqipëri, DIHA, (Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien) i dorëzoi kohët e fundit qeverisë së kryeministrit Rama një letër pozicionimi, ku i propozon 20 hapa konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit ku faktori kryesor për rritjen e investitorëve të huaj është citoj "ekzistenca e një kuadri të përgjithshëm strukturor dhe ligjor të besueshëm dhe në përputhje me standartet europiane" . Në një takim që DIHA zhvilloi kohët e fundit me përfaqësues të biznesit gjerman në Shqipëri dhe përfaqësues të qeverisë së Tiranës për Ekonominë, Energjitikën dhe Transportet, ambasori gjerman Helmut Hoffmann tha se: " Investimet dhe marrëdhëniet tregëtarë kanë nevojë për një klimë të mirë biznesi. Kanë nevojë për rregulla të qarta dhe të pranuara, ndershmëri dhe besim ".

Ngurrim për të investuar në Shqipëri

Por ky besim duket se deri sot nuk ka qenë në atë nivel që investitorë të rinj të huaj të mos ngurrojnë të vijnë në Shqipëri. Sekretarja e përgjithshmë e DIHA-s, Anette Kasten, thotë për DW se " Biznesi ka nevojë për qëndrueshmëri dhe besueshmëri. Qëndrueshmëri në kontratat dhe koncesionet e firmosura. Investitorët e huaj që operojnë tanimë në Shqipëri ankohen prej vitesh për mosrespektim të ligjeve, burokraci të lartë dhe administratë të keqe, situate të paqartë lidhur me pronësinë, mungesë trajnimi profesional, prirje për korrupsion. Tani për tani gjithçka ka mbetur pezull pasi ka një regjim të ri taksash dhe komuniteti i investitorëve të huaj kërkon të adaptohet me situatën e re."

Ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffmann
Ambasadori gjerman në Tiranë Helmut HoffmannFotografi: DW/A. Ruci

Sinergji dhe qëllime të përbashkëta mes qeverisë Rama dhe Gjermanisë

Por në situatën e re të këtyre 4 muajve të fundit kanë dalë tanimë në pah zhvillime pozitive që premtojnë pikërisht atë që investotirët e huaj kërkojnë: qëndrueshmëri, besim. Kryeministri Rama në një takim të kohëve të fundit me biznesin vendas dhe të huaj që operon në Shqipëri theksoi rëndësinë e ndershmërisë, reduktimit të burokracisë ne kontaktet me autoritetet, të reformave në regjimin e taksave dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Procesi nuk është i lehtë dhe rezultatet pozitive kërkojnë kohën e tyre. Në këtë process, thekson Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann ka një sinergji të plotë mes Gjermanisë dhe Qeverisë Rama.

"Shqiptarët dhe gjermanët janë plotësisht në një mendje: ne duam ta kthejmë vitin 2014 në një vit të rritjes së investimeve të huaja ekzistuese plus investime të reja. Gjermania dëshëron që Shqipëria të zërë vendin që meriton me fuqinë e saj të punës, shumë punëtore dhe potencialin investues në shumë fusha. Gjermania do të bëjë gjithë sa është e mundur që të sjellë në Shqipëri më shumë investime gjermane. Sa më efikase të jenë reformat, aq më mirë ky proces do të realizohet. Reformat ekonomike që do të çojnë në një mjedis në një klimë më të mirë biznesi do të sjellin më pranë bizneset gjermanedhe shqiptare dhe kjo do t’u shërbejë në fund të fundit të dy popujve tanë në Europë", theksoi ambasadori gjerman Helmut Hoffmann.

Interesat e biznesit gjerman në Shqipëri

Anette Kasten
Anette KastenFotografi: DW/A.Ruci

Anette Kasten nga DIHA rreshton një sërë sektorësh që janë me interes për investitorët gjermanë në Shqipëri: infrastruktuara, logjistika, mineralet, industria e lehtë, turizmi, IT dhe agrobiznesi. Në Shqipëri operojnë kompani 100 për qind gjermane ose në partneritet si RÖFIX, një kompani gjermano- austriake në sektorin e materialevetë ndërtimit, GALA dhe ASC që merren me logjistikë në portin e Durrësit, DEG në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Linder Gruppe që do të ndërtojë Parkun e Biznesit në Tiranë, EMS për shkarkimin dhe ngarkimin e mallrave në anije, AFTO operator në hekurudhat e Shqipërisë. Por pjesa më e madhe e investitorëve gjermanë kërkojnë fuqi punëtore për industrinë automobilistike dhe në sektorin e inxhinierisë mekanike. "Gjithsesi në potencialet e mëdha që ka Shqipëria në turizëm, industrinë e lehtë dhe agrobiznes, duhet të ketë më shumë promocion dhe heqje pengesash për investitorët e huaj" thotë Anette Kasten për DW.