1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohen punonjës nga vende problematike të Evropës

27 Korrik 2011

Që pas krizës profesionistë të fushave të ndryshme nga Evropa e Jugut kërkojnë punë. Gjermania ka nevojë për punonjës të kualifikuar. Agjencitë e punës duan të harmonizojnë kërkesën dhe ofertën, por hasin në rezistencë.

https://p.dw.com/p/125Ay
Fotografi: DW [M]

"Nuk ka mungesë punonjësish të kualifikuar në Gjermani": Ky ishte vetëm një reagim i një lexuesi ndaj një artikulli online të publikuar nga "Süddeutsche Zeitung". "Firmat ankohen për situatën e vështirë, që ato e kanë krijuar vetë. Nëse viziton agjencitë e ndërmjetësimit të punës, firmat me siguri do të takojnë atje ish-punonjës të tyre, përgjigjet një tjetër lexues. Shumë gazeta gjermane kanë njoftuar, se Agjencia e Punës është duke bërë reklamë intensive për tërheqjen e emigrantëve të kualifikuar, kryesisht nga Spanja dhe nga vendet e krizës Portugalia dhe Greqia.

Qendra për Ndërmjetësimin e Ekspertëve nga jashtë (ZAV), që vepron në kuadër të Agjencisë Federale të Punës prej gati dy dekadash ndërmjetëson për punësimin e ekspertëve përtej kufijve. Ndonëse më parë janë ndërmjetësuar kryesisht ekspertë gjermanë për tregun jashtë vendit, tani kahu ka ndryshuar. Ekspertë nga jashtë nevojiten në Gjermani. Reagimi tek gjermanët është në përgjitësi i tillë: Ne nuk duam. E kjo vlen jo vetëm për reagimet në World Wide Web.

Migracioni ka konotacion negativ

Hilmar Schneider, drejtor për politikat e tregut të punës pranë Institutit për të Ardhmen e Punës (IZA)
Hilmar Schneider, drejtor për politikat e tregut të punës pranë Institutit për të Ardhmen e Punës (IZA)

Agjencia ZAV ka gjetur 17.000 spanjollë, që parimisht janë të gatshëm të punojnë në Gjermani. Ata janë regjistruar në një database. 17.000, për shumë gjermanë tingëllon si një fluks i forcave të reja të punës, që do të depërtojnë në vend. Hilmar Schneider, drejtor për politikat e tregut të punës pranë Institutit për të Ardhmen e Punës (IZA), e neutralizon këtë reagim të gjermanëve si një refleks vetëmbrojtjeje duke argumentuar se : "Çdo emigrant i kualifikuar nuk ia zë vendin e punës askujt, përkundrazi ai bën që të rritet niveli i kërkesës", thotë ai.

Instituti IZA mendon se punonjësit e kualifikuar jo vetëm që krijojnë vende të reja pune për të tjerët, por përveç kësaj ata hapin mundësinë për punësimin e dy deri në tre punonjësve më pak të kualifikuar. IZA madje ka zbuluar edhe një tjetër efekt: ndërsa rritja e kërkesës për punonjës më pak të kualifikuar çon në rritjen e pagave të tyre, pagat e profesionistëve mbeten në të njëjtin nivel, madje edhe ulen, sepse ata ofrojnë profesionistë nga jashtë, gjë që çon në nivelimin e të ardhurave.

Oferta për vende pune
Oferta për vende puneFotografi: picture alliance/dpa

Si rrjedhojë 17.000 spanjollë nuk janë as pak dhe as shumë, mendon Schneider. Sepse tek e fundit prej tyre maksimumi do të vijnë në Gjermani 1500. Një pikë uji në det kjo, thotë Schneider, i cili mendon se në tridhjetë vitet e ardhshme në Gjermani do të mungojnë çdo vit 300.000 deri në 500.000 punonjës. Në kërkim të profesionistëve jashtë vendit Gjermania është shumë prapa, krahasuar me Britaninë e Madhe apo vendet skandinave: "Ne nuk kemi më emigrantë në atë kontigjent, që do të nevojitej", thotë eksperti i tregut të punës në bisedë për DW-WORLD.DE.

Për shkak të krizës në Evropën Jugore shanset janë të mira, që të gjenden ekspertë nga Evropa Jugore, të cilët duan të zhvendosen në një vend tjetër, thotë Beate Raabe nga qendra ZAV. Por edhe ajo mendon, se me kohë do të vështirësohet gjetja e profesionistëve të përshtatshëm në Evropë. Duke përjashtuar vendet e krizës, sot në të gjitha vendet kërkohen profesionistë në fushën e IT-së, në sektorin e shëndetësisë, apo inxhinierë. "Dhe kjo do të thotë, që këto grupe profesioni kanë shanse të mira punësimi në vendin e tyre", konkludon Raabe, e sipas saj "gatishmëria për t'u zhvendosur nga njëri vend në tjetrin mund të bjerë."

Politika i shmanget temës së migracionit

Flamuri i Portugalisë
Flamuri i Portugalisë

Nuk do të jetë e lehtë që të zgjidhet ky problem, sipas Hilmar Schneider nga IZA. Ai i ka humbur shpresat tek politika. Kush është ai, që do të angazhohet për migracionin, duke e ditur që me këtë humbet në zgjedhje? Që Gjermania nuk i pret me krah hapur punonjësit e huaj, ky imazh përflitet në shumë vende të botës. Kësaj i shtohet problemi i gjuhës, shpesh nëpër shkolla jashtë gjermanishtja ose nuk ofrohet si gjuhë, ose nuk preferohet të mësohet. Ndërsa në Britaninë e Madhe dhe në vendet skandinave punonjësve të kualifikuar nga jashtë u gjejnë shtëpi dhe u garantojnë vende në kopshte për fëmijët, këtu në Gjermani migrantëve u duhet t' ia dalin vetë mbanë.

Beate Raabe, eksperte pranë ZAV, beson megjithatë se ndërmarrjet në të ardhmen do të ndryshojnë diçka, sepse atyre po u ikin prej duarsh kandidatët e mirë dhe u duhet që të përpiqen të gjejnë kandidatë të përshtatshëm. "Parrulla: Harmonizimi i familjes me profesionin", thotë Raabe për DW-WORLD.DE, "një sipërmarrës që e ofron këtë mundësi, është tërheqës."

Hilmar Schneider nuk është i bindur për një kthesë të tillë pozitive. Nëse vështirësohet gjetja e punonjësve të kualifikuar, atëherë është më e thjeshtë që të shkojnë ndërmarrjet atje, ku janë punonjësit e kualifikuar.

Autor: Jutta Wasserrab / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Angjelina Verbica